LAJMI I FUNDIT:

Paradokset e investimeve në qendrën e kryeqendrës së Kosovës

Nëse ndonjëherë populli bëhet i pavëmendshëm ndaj punëve publike, unë dhe ti, Kongresi dhe kuvendet, gjykatësit dhe guvernatorët, të gjithë duhet të bëhemi ujq
-Thomas Jefferson-

Sheshet janë pjesë e infrastrukturës së qyteteve. Prishtinës si kryeqytet i Kosovës, me përjashtim të disa hapësirave të vogla rreth ndërtesave shoqërore, i ka munguar shumë një shesh i mirëfilltë dhe i rregulluar. Qytetarët në përgjithësi e kishin mirëpritur vendimin e kuvendit komunal (KK) të Prishtinës për mbylljen e qarkullimit të automjeteve në një pjesë të rrugës Nënë Tereza dhe shndërrimin e saj në shesh, pa marrë parasysh se me këtë projekt do të ngarkohej qarkullimi në rrugët tjera të kryeqytetit ende pa i gjetur alternativat e lehtësimit të tollovisë në komunikacion. Projektin po e përkrahte edhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

Kur u arrit marrëveshja ndërmjet KK të Prishtinës dhe kontraktorit për fillimin e punimeve, kishte vërejtje pak rreth aspektit urbanistik të sheshit në raport me qytetin, e më shumë nga partitë politike opozitare rreth asyeshmërisë ekonomike të këtij projekti në vlerë prej 2 milionë eruo që po zbatohej para zgjedhjeve politike të 17 nëntorit 2007. Nuk kanë qenë të pakta as akuzat nga mediat dhe qytetarët. Jo shumë larg nga ai vend që KK do ta shtronte me pllaka graniti, era nga mbeturinat dhe kanalizimi i dobët i qytetit ende ta zinin frymën. Si do që të jetë, ajo pjesë e rrugës Nënë Terza u mbyll për qarkullim, punë filluan, dhe tani vetëm mund të thoshim ishte: “për hajr na qoftë.” Ekskavatori po gërmonte asfaltin që ishte përuruar si i ri pas luftës në Kosovë, ose 4-5 vite më parë. Asfalti e kishte pasur fatin e “mbijetesës” më të gjatë se rrethojat metalike që ishin vënë para ndërtesës së ish-komitetit ku ndodheshin zyrat e partive kryesore politike, dhe tash Ministria e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente. Nuk dihet nëse ato rrethoja të çmontuara janë përdorur për qëllime të ngjashme diku tjetër.
Gjatë gërmimit të asfaltit dhe punëve shoqëruese u dëmtuan edhe disa drunjë në trotuar që ishin rritur për dekada, e që më vonë do të zëvëndësohen me fidane. Do t’u vie radha edhe shkatërrimit të pengesave anësore në trotuar të ngitura si shtylla apo tuba metalike me gjatësi pak më të shkurtë se një metër. Vënia e këtyre pengesave ishte bërë në kohën kur u asfaltua rruga Nënë Terezë dhe konsiderohej si investim i duhur. Kishte punë për to duke filluar nga matjet e largësisë ndërmjet tyre, shpuarjen e vrimave me kompresor në asfaltin e trotuarit dhe përforcimi me beton. Numri më i madh i tyre në rrugën Nënë Tereza ishte vendosur përgjatë hotelit Iliria, ish-shtëpisë së mallrave Gërmia, pranë përmendores së Skënderbeut, vazhdonte kah ndërtesa e Kuvendit të Kosovës për të dalë në rrugën Agim Ramadani. Një vend ndalje (stacion) për autobus ishte ndërtuar pak më poshtë ish-Gërmisë. Në fakt ai ka ekzistuar edhe para luftës por, nga struktura tërësisht metalike qe kishte filluar të ndryshket, u zëvendësua me objekt bashkëkohor prej xhami të trashë të përforcuar me shufra të çelikta. Ulëset po ashtu ishin të çelikta. Si rezultat i projektit të ri për sheshin, ai objekt do të çmontohet në tërësi sepse tani ishte i panevojshëm. Modeli i tij është prezent në rrugët tjera të qytetit siç janë edhe pengesat anësore si hunj, të dyja këto investime të pasluftës. Heqjen e pengesave anësore në pjesën që do të shtrohej me granit gjatë fazës së parë të zbatimit të projektit, do ta bëjë ekskavatori duke i thyer ato. Metali i mbetur nën asfalt do të përfundojë si mbeturinë në rimorkion e kamionëve transportues, ndërsa shtyllat metalike mbi asfalt si mbeturinë për riciklim jashtë Kosovës – eksport. Sipas statistikave zyrtare, eksporti i përgjithshëm i mallrave nga Kosova në muajin dhjetor 2007 mbulonte vetëm 8,8 përqind të importit të përgjithshëm. Në strukturën e eksportit të vogël prej 13.1750.000 euro dominonin mbeturinat e metalit me 66 përqind dhe kjo pjesëmarrje ishte rritje nga e njëjta periudhë e vitit paraprak kur kishte qenë 50.2 përqind. Një arsye pse mbeturinat e metalit kanë pjesëmarrje kaq të lartë në strukturën e eksportit është edhe kjo: investimet në mjete që kanë përdorim të kufizuar ose për një qëllim (ang. asset specificity) dhe nuk mund të shfrytëzohen më tej përveç si mbeturina. Ato mjete ose ai mall sillet në Kosovë në gjendje të mirë, vihet në funksion dhe pas një kohe të shkurtë përfundon si mbeturinë metalike për eksport. Blej shtrenjtë e shit lirë. Edhe ky është ligj i tregtisë që ia hedh poshtë pohimin Benxhamin Franklinit se “asnjë vend nuk është rrënuar nga tregtia.”


Kur asfalti ishte në fazën përfundimtare të zhbërjes dhe largimit, tek atëherë KK i ra ndërmend se para fillimit të vënies së pllakave të granitit është e domosdoshme të rregullohen edhe rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimit. Ishte kjo një ndërhyrje e rastësishme vetëm pasi u konstatua problemi gjatë punës, për të cilin nuk ishte menduar në fillim. Pasi u rregullua edhe kjo dhe u përgatit terreni, erdhi momenti i vënies së pllakës së parë nga prefekti i bashkisë së Prishtinës Ismet Beqiri. Ndërmarrja që po i kryente punimet vuri të tjerat njëra pas tjetrës dhe për një kohë të shkurtë 200 metra gjatësi të rrugës Nënë Terezë i bëri me granit kinez 5 centimetra të trashë.

Sheshet i mbijetojnë edhe luftërave me dekada dhe shekuj – në Kosovë as një vit në kohë paqeje
Nëpër shumë qytete të botës gjinden sheshe të ndërtuara në shekujt e kaluar, por edhe më herët. Me gjasë, në asnjë prej tyre, në çfarëdo rrethane nuk ka pasur nevojë për riinvestim (duke përjashtuar mirëmbajtjen e rregullt) të shpeshtë sikur që do të ketë nevojë sheshi i posa ndërtuar në qendër të Prishtinës. Kjo filloj të vërtetohet jo më larg se një muaj pas lëshimit të sheshit në përdorim. Pllakat e para të granitit filluan të thyhen tri javë pas përfundimit të punimeve. Punëkryesi kishte dhënë dhjetë vite garanci për qëndrueshmërinë e tyre. Fillimisht dukej se thyerjet ishin rastësi dhe nuk do të përhapen. Prefekti Beqiri bile nuk e përjashtoj mundësinë se në dëmtimin e tyre kishte dorë faktori njeri. E vërtetë. Dhe ajo ishte dora e kontraktorit që ai ia kishte besuar kryerjen e punëve. Prefekti i tanishëm i Prishtinës, Isa Mustafa, gjatë dimrit që kaloj e deklaroj mundësinë e dënimit të punëkryesit. Punëkryesi në anën tjetër do të përgjigjet me premtimin për zëvendësimin e pllakave të dëmtuara dikur në pranverë, ose kur të përmirësohen kushtet atmosferike. Tash po hyjmë në stinën e verës, dhe deri në momentin kur po shkruajmë, e që është një periudhë jo më shumë së 6 muaj kur kanë përfunduar punimet, në bazë të vështrimit që mund t’i bëhet sheshit duke kaluar nëpër të, mund të supozohet se së paku 10 përqind e pllakave janë dëmtuar, disa më pak e disa më shumë. Duket se as KK i Prishtinës dhe as punëkryesi nuk e kishin pa të arsyeshme të fillojnë me zëvendësimin e pllakave në pranverë kur e kanë vërejtur dinamikën e thyerjes, nga frika se riparimi i dëmeve mund të jetë proces që nuk i dihet fundi. Shumë qytetarë spekulojnë, e besa mund të kenë të drejtë, se thyrja e pllakave do të intensifikohet kur të vie një acar më i madh gjatë dimrit, me çka do të rritet vëllimi i punëve riparuese. Shtohet pyetja: pse ndodhi dhe vazhdon thyerja e pllakave?

Mjafton të jesh qytetar i thjeshtë e jo arkitekt ose inxhinier i ndërtimtarisë për ta gjetur fajin e thyerjes së pllakave. Ato ishin thyer dhe vazhdojnë të thehen për shkak se largësia ndërmjet tyre është e ndryshme; diku kanë hapësirë më të madhe, e diku janë të puthitura ose fërkuara ndërmjet vete. Thyerjet e para kishin ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në pllakat me pozitë si në rastin e dytë. Zëvendësimi i tyre me pllaka të reja do të jetë një punë e mundimshme pasi ato janë të shpërndara në vende të ndryshme dhe, ekziston rreziku i dëmtimit të pllakave tjera gjatë nxjerrjes së atyre të dëmtuara për shkak të mungesës së largësisë normale. Po ashtu, zëvendësimi i pllakave me dimensione të njëjta në hapësirat ekzistuese nuk e përjashton rrezikun se edhe këto do të thehen. Për ta evituar ose minimizuar këtë rrezik, punëkryesi i ka dy alternativa: E para, krijimi i hapësirave normale ndërmjet pllakave, që duket shumë e pamundur pa i lëvizur të gjitha pllakat nga brendia deri në çdo fillim dhe fund të skajeve të sheshit; dhe e dyta, zvogëlimi i dimensioneve të pllakave të reja zëvendësuese duke i prerë skajet e tyre, e që duket një alternativë me punë të mundimshme.

Krahas shfaqjeve të pllakave të thyera, u dhanë njoftimet se, në bazë të analizave dhe matjeve që janë bërë, radioaktiviteti/rrezatimi i granitit të shtruar kinez ishte më i lartë se që është e lejuar. Ekspertët megjithatë paralajmëruan se rrezatimi i tillë në ambient të hapur nuk është rrezik për shëndetin e qytetarëve që kalojnë nepër atë shesh. Ata më tutje i qetësuan qytetarët duke thënë se rrezatimi i sheshit është nën ndikimin e erës dhe lëvizjeve të ajrit, kështu që nuk paraqet rrezik kushedi sa. Bëhej fjalë për kalimtarët dhe ata që shëtisin nëpër shesh, e jo për ata që jetojnë në blloqet e ndërtesave dhe dyqanxhinjët përgjatë sheshit që janë nën ndikim të përhershëm të rrezatimit. Rrezatimi nuk është iperit që ta tregoj efektin e tij brenda sekondave. Efektet e tij mund të vërehet pas shumë viteve dhe mund të kenë pasoja edhe tek pasardhësit.

Tregimi për të metat e sheshit nuk mbaron me thyrjen e pllakave dhe rrezatimit përtej normales së lejuar. Kur bie shi, pluhuri dhe mbeturinat e imëta rrjedhin në shesh nga tri rrugica duke i transformuar ato në baltë. Dy rrugicat janë ato që ndahen nga rruga Agim Ramadani dhe tjetra nga rruga Sylejman Vokshi. Arkitektët dhe inxhinierët nuk kishin menduar t’ua bëjnë një kanalizim të vogël fundit të këtyre rrugicave që lëshohen në shesh. Uji që rrjedh dhe llumin që e sjell flenë mirë në vende të caktuara të sheshit duke iu “falënderuar” punës së punëkryesit që e ka lanë rrafshinën e shumë pllakave në nivel të pabarabartë (disa më poshtë e disa më lartë). Qëllimi më sa duket ka qenë vetëm të nxjerrë punë joproduktive në pastrimin e baltës ose pluhurit në shesh. Tash së voni u raportua se edhe shtyllat elektrike për ndriçim publik në shesh nuk janë pa defekte, dhe se ekzistonte rreziku i goditjes së rrymës të kalimtarëve të rastit. Këtë problem po ua lëmë elektro-inxhinierëve. Vetëm të shtojmë se shtyllat e vjetra, nëse nuk janë ngjyrosur për shfrytëzim të ngjashëm ose të ndryshëm diku tjetër në Kosovë, kanë përfunduar si mbeturina metali për eksport.

Ofensiva e radhës: zgjerimi i sheshit dhe rrënimi i ish-hotelit Union

Në plan është vazhdimi i shtrimit me granit të rrugës Nënë Tereza deri në hyrje të rrugës Agim Ramadani. Shpresojmë se KK i Prishtinës dhe arkitektët, inxhinierët dhe ekonomistët e tyre kanë nxjerrë mësime të mira nga ajo që u përshkrua më lartë ose mënyra se si nuk duhet punuar. Përndryshe, as budallenjtë nuk do t’ua marrin lakmi.

KK ka hasur në kundërshtime nga shumë qytetarë të Prishtinës për rrënimin e ish-hotelit Union. Bëhet fjalë për një ndërtesë të projektuar nga Austriakët dhe të ndërtuar në vitin 1927 me një stil klasik që është një ndër objektet e rralla në Prishtinë me vlerë arkitekturale. Është diçka e ngjashme me ato ndërtesat në Tiranë përgjatë rrugës që shpie tek Universiteti Politeknik të ndërtuara nga Italia. KK të Prishtinës ky objekt i ka dalë si pengesë në zgjerimin e sheshit që tani quhet Sheshi i Pavarësisë. Pengesa e Unionit ndaj sheshit është e ngjashme sikur pengesa e ndërtesës së Bankës së Shqipërisë ndaj sheshit të Tiranës. Mendimet më të shpeshta për rrënimin e Unionit janë se ky objekt nuk ka kurrfarë vlere dhe duhet t’ia liroj hapësirën Sheshit të Pavarësisë. Mendimet për ruajtjen dhe meremetimin e tij (është propozuar të shndërrohet në galeri të arteve) janë se ai është një objekt dykatësh që nuk e pengon por ja shton vlerën sheshit dhe se vlera e tij historike është më e madhe se, e së paku garniturës së tanishme politike që do ta rrënoj dhe zhvendos diku tjetër. Ka edhe paralajmërime konspirative se në vend të atij ish-hoteli do të ngritet busti i Ibrahim Rugovës, me çka do të plasë një luftë ndërmjet partive politike për buste.

Një pengesë tjetër në synimin e KK të Prishtinës ndaj Unionit është se objektin e ka privatizuar Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe pronar i tij tani është privat. Prefekti i Prishtinës Isa Mustafa më të drejtë kishte llogaritur se rrënimi i tij dhe kompenzimi i pronarit do t’i kushtojë komunës dyfish. Së pari, objekti në gjendjen e tanishme kërkon investime për meremetim deri në 2 milionë euro. Së dyti, kompenzimi në para ose ndërtimi i objektit të njëjtë diku tjetër, nuk është thjeshtë çmimi i vlerës së tanishme plus shpenzimet e meremetimit. Ka edhe shpenzime tjera të ndërtimit (gjetja e vendit, matjet detaje të objektit ekzistues dhe zbatimi i kopjimeve objektin e ri, plani urbanistik, qasja në infrastrukturën e qytetit, etj.). Taman me i ra shi n’kallamoq pronarit privat në rast se KK i Prishtinës përfundimisht vendos për rrënimin e objektit ekzistues dhe ndërtimin e tij diku tjetër. Pronari do t’i kursente të gjitha mjetet e domosdoshme për meremetimin e objektit ekzistues.

Më shumë është bërë bujë për këtë objekt se për objektet tjera shumëkatëshe që janë ndërtuar pa leje në pjesë të ndryshme të Prishtinës, e të cilat janë duke e ngarkuar shumë qytetin në çdo aspekt (kërkesa e shtuara për rrymë, ujësjellës, kanalizim, parkim të veturave). Nëse KK është aq i specializuar në rrënimin e objekteve, atëherë le ta bëjë këtë ndaj atyre pa leje, ose së paku le ta ndal ndërtimin e tyre të mëtutjeshëm.

Përvojat tjera të ngjashme me investime në infrastrukturë
Para se të filloj me ndërtimin e sheshit, KK i Prishtinës kishte mbaruar me vënien e disa rrethojave metalike përgjatë shumicës së rrugëve dykahëshe të qytetit. Ishin një lloj i rrethojave të ngulitura me bulona në mbrojtëset prej betoni të asfaltit. Pakkush e di arsyeshmërinë e këtyre rrethojave jo më të larta se 20-25 centimetra, vetëm se dukeshin të bukura. Pas dëmtimit të disave nga automjetet, filloj çmontimi edhe i këtyre rrethojave, dhe i mbrojtësve anësore prej betoni të asfaltit. Në disa rrugë të qytetit ende ekzistojnë këto rrethoja. Mos të harrojmë të përkujtojmë se materiali i tyre ishte i mirë dhe ka kushtuar. Pas çmontimit dihet se ku kanë përfunduar shumica e atyre rrethojave. Disi duhet mbajtur përparësinë tonë krahasuese në eksport – mbeturinat e metalta.

Disa muaj para zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, KK i Prishtinës po bënte një revolucion në shtrimin e trotuareve me pllaka të betonit me dimensione shumë më të vogla (10×20 cm më duket) por me trashësi më të madhe se ato të granitit. Nuk mendohej shumë për punët tjera shoqëruese. Qëllimi ishte të krijohen sa më shumë trotuare të tilla të shtruara me pllaka betoni. Dhe ja, nuk vonojë shumë kur do t’i bie ndërmend diçka e ngjashme sikur në rastin e sheshit – rregullimi i rrjetit të ujësjellësit (apo ngrohjes qendrore) në trotuarin tek ish-gjimnazi Xhevdet Doda. Vetëm se tani, për dallim nga sheshi që ndodhet në të njëjtë rrugë diku 250 metra larg, pllakat e betonit ishin shtruar dhe duhej zhvendosur për ta kryer punën me gypa. Pas shiut të rrufeshëm këtyre ditëve, dheu që ishte nxjerrë nga ai kanal i bëri helaq shumë automjete dhe qytetarë që kalonin andej pari. Punët e tilla me siguri do të vazhdojnë edhe në të ardhmen por nuk dihet se ku do të çupurisin punëkryesit e KK të Prishtinës.

Çka duhet të mësojmë nga këto investime?

Qeveria nuk është arsyeja, nuk është oratoria, është forca; si zjarri, një shërbëtor i mundimshëm dhe zotëri i frikshëm. Për asnjë moment nuk duhet të lejohet në veprim të papërgjegjshëm

-George Ëashington-
KK i Prishtinës bënë eksperimente në infrastrukturë sikur ta kishte buxhetin e Nju Jorkut e jo të kryeqytetit të shtetit më të varfër në Evropë. Nga kjo përvojë nuk kanë nevojë të brengosen apo mësojnë diçka arkitektët dhe inxhinierët por ekonomistët. Duke u nisur nga kufizimet buxhetore, një investim më i madh në një projekt lë zbrasësira në projekte tjera dhe kjo është vërejtur me rastin e sheshit. Sa do që shumica e qytetarëve u pajtuan me një shesh të mirëfilltë në kryeqytet, vërejtjet rreth mënyrës se si u punua ai nuk kanë të ndalur.

,,Çka piqet – s’hiqet”, është kjo një thënie aq origjinale e gjuhës shqipe për të cilën nuk jemi të sigurt nëse përdoret shpesh në gjuhët tjera dhe zbatohet sikur në Kosovë. Është bërë shprehi të investohet në të njëjtën gjë disa herë që paraqet punë të dyfishtë e shumëfishtë. Aq me tepër duhet të kritikohet kjo dukuri kur dihet se infrastruktura fizike siç janë sheshet dhe rrethojat nuk janë në ndonjë funksion ekonomik. Prandaj duhet pasur shumë kujdes kur investohet në infrastrukturën fizike në përgjithësi, që puna të bëhet me plan të zbërthyer deri në detajet më të imta dhe, që ato investime kapitale të mos kenë nevojë për riinvestime për një kohë të gjatë, duke përjashtuar mirëmbajtjen me shpenzime të arsyeshme. Me këtë qasje do të kursehej buxheti në vijim që krijon mundësi për investime më të diversifikuara në sfera tjera të shoqërisë dhe ekonomisë. Dhe gradualisht, prej eksportit të mbeturinave metalike që së pari po i importojmë i material të mirë me çmime të larta, të kalojmë në eksportin e mallrave të prodhuara nga lënda e parë dhe gjysmëproduktet. Është momenti i fundit, e shumica do të thoshin shumë i vonuar, që t’i themi ndal punëve të dyfishta pa efekt. KK të Prishtinës i kanë mbetur vetëm edhe njerëzit për t’i investuar si asset specificity. Me disa investime në infrastrukturë deri më tani e ka kënaqë krejt!

Dilemat e KK të Prishtinës për rrënimin e Unionit dhe zgjerimin e sheshit të pavarësisë vijnë në një kohë të pakohë. KK i Prishtinës për momentin më shumë është i preokupuar me krijimin e hapësirave artificiale në qendër të qytetit se sa me mbrojtjen e hapësirave periferike natyrore ku nuk ka pasur objekte (në Badovc të Ri), e ku po vazhdojnë ndërtimet e egra të një shteti tjetër – Serbisë. Udhëheqësia e Prishtinës i dënon ato ndërtime me deklarata por nuk kërkon mobilizim të përkrahjes dhe veprimeve për të ndërmarr diçka, qoftë vet apo përmes përfaqësimit, ndërsa shteti fqinjë vazhdon punën në terren. Ne kritikojmë disa projekte të qeverisë së Prishtinës e ajo i grah në terren me të veten. Çfarë paradoksi! Kur Prishtina të jetë më e përkushtuar me veprime konkrete për ta mbrojtur periferinë, psh. në rastin e Badovcit, kysmet unë do të jem vullnetar në rrënimin e Unionit (nëse argumentohet se duhet të rrënohet) por edhe të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, ashtu që hapësira e sheshit të pavarësisë të jetë më e madhe. Ndërtesa e teatrit duhet të rrënohet e para sepse nuk e ka vlerën si Unioni dhe mund të ndërtohet tjetërkund krejtësisht ndryshe. Mirëpo, për momentin mos e prekni asnjerën. Ka shumë gjëra më urgjente se sa rrënimi i tyre. Mos u ngutni me mega-sheshin e pavarësisë derisa pavarësinë ta bëjmë pak më domethënëse.

Për fund, është marr ky shembull i investimeve të komunës së Prishtinës për shkak se projektet e shumë komunave të Kosovës që do të paraqiten në konferencën e donatorëve me 11 korrik 2008, kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturën. Nëse në ato projekte investohet sikur në rastet e mësipërme ose bëhen punë të dyfishta e shumëfishta, atëherë rrezikojmë të mbetemi pa zhvillim ekonomik.

(Autori është hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike)