LAJMI I FUNDIT:

“Panama Papers”: Priten informacione konkrete edhe për Kosovën

“Panama Papers”: Priten informacione konkrete edhe për Kosovën

Projekti për Raportimin mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP) pritet të nxjerrë brenda dy javësh informacionet për Ballkanin që përfshihen tek “Dokumentet e Panamasë”.

Redaktorja e këtij projekti, Miranda Patrucic i pohoi Zërit të Amerikës, se mund të priten informacione konkrete për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

“Sigurisht. Dokumentet dhe artikujt janë për çdo vend dhe sigurisht ato janë të ndryshme në varësi të sasive të parave ose personave të implikuar”, tha ajo.


“Ballkani nuk do të lihet mënjanë”, tha zonja Patrucic, duke shtuar se bëhet fjalë për informacione për të gjitha vendet e rajonit.

OCCRP-së, si anëtare e Konsorciumit Ndërkombëtare të Gazetarëve Investigativë, iu ofrua mundësia të bashkëpunojë dhe meqenëse ajo operon, në Evropën Lindore, Ballkan dhe Rusi, ajo do të analizojë dokumentet e këtij rajoni.

Ndërkohë, gazeta izraelite Haaretz, shkruante sot se mes 11.5 milionë dokumenteve të nxjerra nga studioja ligjore panameze Mossack Fonseca, përmendet edhe një biznes që është regjistruar në vitin 2013 në ishullin Anguilla, pronësi e shtetasit izraelit, juristit Assaf Halkin, një shqiptari që gazeta e identifikon si Ismail Mulati, por që shtypi shqiptar shkruan se është Ismail Mulleti, si edhe një firmë kanadeze.

Sipas Haaretz-it, një nga mbi 100 mjetet e shtypit me të cilat gazeta gjermane Suddeutche Zeitung dhe Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë i ndau informacionet e nxjerra nga një burim i paidentifikuar, bëhet fjalë për kompaninë GFI Technologies dhe firma kanadeze quhet Global Fluids International S.A. dhe synimi ishte investimi në kompani të teknologjisë së lartë në Shqipëri.

Dokumentet e nxjerra nga studioja ligjore panameze Mossack Fonseca ekspozojnë një sistem që bën të mundur krimin, korrupsionin dhe abuzimet, të fshehura në kompani sekrete të dyshimta.

Nxjerrja e informacionit masiv është një ndër më të mëdhatë në historinë e gazetarisë, me një ekip gazetarësh ndërkombëtarë, që i kanë studiuar për afro një vit.

Nga dokumentet e publikuara nga Konsorciumi me qendër në Uashinghton, del se 140 politikanë dhe zyrtarë në gjithë botën kanë bërë depozitime parash në bankat e vendeve të njohura si “parajsa fiskale”, kryesisht në Karaibe. 12 janë udhëheqës dhe ish-udhëheqës botërorë.

Raporti thekson se “dokumentet tregojnë se bankat, studiot ligjore dhe aktorët e tjerë, që kanë mundësuar këto transaksione, shpesh nuk kanë ndjekur kërkesat e duhura ligjore për t’u siguruar që klientët e tyre nuk kanë qenë të përfshirë në aktivitete kriminale, në skema për të shmangur taksat ose në korrupsion politik”.

Presidenti francez, Francois Hollande tha sot se Franca do të ndërmarrë një hetim për shtetasit francezë që përdorin “parajsa fiskale” për të fshehur pasuritë.

“Nxjerrja e këtij informacioni konfirmon se është e mundur të luftosh mashtrimet me taksat dhe se gjithë informacioni i mbledhur do të sjellë si rezultat hetime nga autoritetet e taksave dhe masa ligjore”.

Gazetarët investigues kanë arritur në përfundimin se ndihmës të Presidentit rus Vladimir Putin kanë qarkulluar deri në 2 miliardë dollarë përmes bankave në të ashtuquajturat “parajsa fiskale”.

Kremlini i denoncoi informacionet e publikuara, duke thënë se ato kishin kryesisht në shënjestër Presidentin Putin dhe duke pretenduar se ish-zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe CIA-s kishin ndihmuar për analizimin e 11.5 milionë dokumenteve.

Mes udhëheqësve të përmendur për llogari bankare në “parajsa fiskale” janë kryeministri i Islandës, David Gunnlaugsson i Islandës, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri.

Por mes emrave të implikuar ka edhe figura të tjera të njohura që nuk i takojnë botës së politikës, siç është rasti i futbollistit Lionel Messi, për një firmë nafte që e ka në pronësi me të atin dhe për të cilën autoritetet spanjolle nuk ishin më parë në dijeni.

Ramon Fonseca, një nga themeluesit e firmës e firmës Mossack Fonseca, e mbrojti kompaninë.

“Ne jemi një kompani që kemi 40 vjet që veprojmë në tregun kombëtar dhe atë ndërkombëtar dhe asnjëherë nuk jemi gjetur fajtorë për absolutisht asgjë”.

Gazeta gjermane “Sueddeutsche Zeitung”, me seli në Mynih, tha të dielën se dokumentet i kishte siguruar nga një burim anonim para më shumë se një viti.

Në trend Lajme

Më shumë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
Zafir Berisha për deklaratën e Lladrovcit për Limajn: Po e luan rolin e Burdushit, nuk biem në nivelin e tij

Zafir Berisha për deklaratën e Lladrovcit për Limajn: Po e luan rolin e Burdushit, nuk biem në nivelin e tij

Lajme
Fillon numërimi i votave për kandidatë, KQZ: Do të bëhet edhe verifikimi i votave për parti

Fillon numërimi i votave për kandidatë, KQZ: Do të bëhet edhe verifikimi i votave për parti

Politikë
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
KQZ: Janë mbi 84 mijë vota nga diaspora, do të numërohen në një fazë të mëvonshme

KQZ: Janë mbi 84 mijë vota nga diaspora, do të numërohen në një fazë të mëvonshme

Politikë
KQZ del me rezultate të reja, numërohen 90.09 për qind e votave

KQZ del me rezultate të reja, numërohen 90.09 për qind e votave

Lajme
Kalo në kategori