LAJMI I FUNDIT:

Osmani i kënaqur edhe me barazim

Osmani i kënaqur edhe me barazim

Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani, ka thënë se tetovarët do të ishin të kënaqur edhe me një barazim ose një disfatë minimale në ndeshjen e sotme përballë Partizanit të Beogradit.

Kampioni shqiptar i Maqedonisë sonte me fillim në ora 20:45 do të dalë në fushë të Partizanit në kuadër të rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, dhe Osmani thotë se të gjitha përfundimet janë të mundshme.

“Në çdo ndeshjet futemi me dëshirën për të fituar, por edhe barazimi në këtë rast do të ishte një rezultat i mirë, si edhe disfata minimale, me një gol të pranuar”, ka thënë Osmani para gazetarëve, raportojnë mediat serbe.

“Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për këtë ndeshje, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi kjo është dalja jonë e parë në Evropë. Duke pasur parasysh rezultatet e mëhershme të Partizanit në skenën ndërkombëtare, është e qartë se ata janë favoritë. Megjithatë në futboll gjithçka është e mundshme dhe nuk do të dorëzohemi lehtë. Edhe ne i kemi kualitetet tona”, ka thënë trajneri.


Osmani po ashtu ka falënderuar mikpritjen në Beograd dhe ka shtuar se shpreson në siguri dhe ndeshje të qetë edhe në stadium. /Telegrafi/