LAJMI I FUNDIT:

Opozita shfaqi filozofinë e dhunës në Parlament

Opozita shfaqi filozofinë e dhunës në Parlament

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) kritikoi atë që ajo e quajti dhunë në sallën e Parlamentit nga ana e deputetëve të opozitës, duke vlerësuar se kjo është pjesë e filozofisë së dhunës që ndiqet nga udhëheqja e Partisë Socialiste.

“Akti i shëmtuar i dhunës së demonstruar në sallën e kuvendit prej deputeteve të opozitës, nuk është gjë tjetër por vazhdim i së njëjtës praktikë dhe politikë të dhunës të demonstruar dhe më parë, veçse me ndryshimin që politika e dhunës në rrugë është shfaqur në sallën e Kuvendit”, deklaroi Luan Rama, sekretar i Përgjithshëm i LSI-së.

Duke cituar deklaratat zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Thomas Countryman, i cili një ditë më parë vizitoi Tiranën, Rama kërkoi nga të gjitha partitë politike nisjen e menjëhershme të dialogut.

“Zgjedhjet e 8- Majit, apelojnë ditë pas dite për domosdoshmërinë e realizmit të reformës zgjedhore, apelojnë ditë pas dite për domosdoshmërinë e uljes në tryezën e dialogut politik dhe për të përcjellë të gjithë së bashku mesazhet e bashkëpunimit, mesazhet e respektimit të ligjit, mesazhet e paqes dhe të qytetarisë”, tha zyrtari i LSI-së.


Pas deklaratave të tij, reagoi edhe Partia Socialiste me anë të anëtares së kryesisë, Megi Ajtyreza, duke theksuar se nuk ka dhunë më të madhe se sa të vjedhësh çdo ditë shqiptarët.

“Video-hajnia shan përditë opozitën për dhunë, po a ka dhunë më të madhe për shqiptarët sesa pamjet e kryetarit të asaj partie me bllok në dorë? A ka dhunë më të madhe për shqiptarët sesa vjedhjet e rrenat e përditshme të Saliut (Berishës) e të qeverisë që vrau njerëz të pafajshëm vetëm për të vazhduar për të vjedhur? A ka dhunë më të madhe për shqiptarët sesa dhuna e këtij pushteti hajnish e rrenash kundër institucioneve?”, tha Ajtyreza. /Telegrafi/