LAJMI I FUNDIT:

Omeri dhe Noemi

Në rutinën e përcjelljes dhe ngazëllimit pas “motmoteve” bëjnë pjesë disa rite, që shumë prej tyre tashmë kanë hyrë në skicën mitologjike festive, e disa të tjera po provokojnë të integrohen në sistemin normativ të entiteteve të ndryshme identitare në botë. Që nga mitologjia e “Babadimrit”, bredhit dhe “fatit” që sjell ai, e deri te krismat, koncertet dhe zbukurimet e shesheve, janë pjesë nga “ritet” përcjellëse që e shënojnë kalimin e vitit kalendarik nga 31 dhjetori në 1 janar. Historia, rrënja kulturore dhe religjioze e “Vitit të Ri” dhe gjithë “atmosferës” që sjell ai janë çështje në vete që meritojnë trajtim të veçantë teorik. Po ashtu vlerësimi i depërtimit, modifikimit apo edhe refuzimit të këtij “rituali” ndër shoqëri, popuj dhe entitete kulturore apo fetare që kanë sistem të dallueshëm normativ apo kalendarik, janë dimensione të arsyeshme të rivlerësimit teorik. Shqiptarët u bënë pjesë e “lojës” festive të “Vitit të Ri” në kontekste të caktuara historike, pushtetare dhe politike, kur po i fryhej rishqyrtimit identitar dhe kulturor të vendit në dëm të autoktones.

Ndërkohë, veç aspektit ritual dhe gazmor që përshkon “Vitin e Ri”, ai tashmë paraqet edhe një moment evidentues, raportues dhe vlerësues të arritjeve dhe realizimit të agjendave në planin ekonomik, social, kulturor, etj., qoftë formal, qoftë përmbajtjesor, në nivele të ndryshme të organizimit shoqëror, deri te arritshmëria personale në plane të ndryshme të veprimit. Mirëpo, ky dimension vlerësues (brenda periudhës kalendarike vjetore) është karakteristikë e vendeve perëndimore që kanë standard të lartë të arritjes, pikësëpari asaj intelektuale dhe profesionale, e mandej ekonomike, industriale dhe teknologjike. Ndërsa “aderimi” i “Vitit të Ri” si rit dhe spontanitet “i paqëllimtë” u bë rëndom në vendet të cilave u mungon një vetëdije kulturore dhe që kanë dilemë në përcaktime vlerore, që kanë mungesë të një tradite të mirëfilltë të progresit dhe qëndrueshmërisë ekonomike, zhvillimit industrial dhe tekonologjik, si dhe kanë një zbrazëti në rrafshin e formësimit dhe avancimit arsimor, intelektual dhe profesional që mund të jenë shkaktuar nga kontekstet sunduese, shtypëse apo transitore. I njëjti konfigurim perceptues në raport me “Vitin e Ri” vlen edhe në miniaturat individuale të njerëzve, që, po ashtu janë formues të sistemit, të tërit.

Edhe në Kosovë e në Shqipëri, me rastin e ndërrimit të motmoteve, veç aspektit pragmatik dhe praktik të shënimit dhe vlerësimi të arritshmërisë vjetore, e cila është jo shumë e mirëpranuar dhe realizuar në instanca të ndryshme të jetës shoqërore, përjashto institucionet, tashmë ana rituale dhe formale e “motmoteve” ka depërtuar dukshëm në sistemin kulturor, në vetëdijet e njerëzve dhe opusin e tyre vleror. Përcjellja, vizita dhe urimet për lindjen e foshnjës së parë në shtet, në orët e para të fillimit të vitit vijues përbën një akt interesant që është përvetësuar edhe nga udhëheqësit institucionalë në Kosovë dhe Shqipëri. Këtë vit, ndonëse lindjet e para në Elbasan dhe në Tiranë u përcollën nga presidenti shqiptar, Bamir Topi dhe nga kryeministri Sali Berisha, me ç’rast ndanë kënaqësinë dhe urimet më të çmueshme, në Kosovë s’u bë e njëjta gjë, dhe foshnja e parë e lindur pas orës 00:00 nuk gëzoi urimet dhe vizitat e udhëheqësve. Ndoshta vakuumi institucional dhe “rinumërimi i votave” i parazitoi pushtetarët.


Sidoqoftë, veçantia e këtyre lindjeve ishte ajo e emërtimit të fëmijëve. Emrat që njerëzit u lënë fëmijëve të tyre përcaktohen në mënyra të ndryshme dhe bartin kuptime që s’janë të rastësishme për kontekste të caktuara kulturore. Përgjithësisht emrat janë reflektim i sistemit të vlerave, atyre familjare, kombëtare dhe fetare përmes të cilave formohet një model i perceptimit të vetvetes dhe botës. Foshnja e parë e lindur në Shqipëri, ishte ajo e gjinisë mashkullore dhe u emërtua Darjan (në Elbasan), për tu pasuar menjëherë me foshnjën e dytë të gjinisë femërore, me emrin Noemi (në Tiranë). Ndërsa në Kosovë, foshnja e parë e lindur (në Prishtinë) ishte ajo e gjinisë mashkullore që u emërtua me emrin Omer. Ndërkohë në disa faqe elektronike informative shqiptare, krahas urimeve që u dhanë përmes komenteve tek lajmi për këto lindje, u aktualizua debati mbi (pa)vendësinë e emrave të foshnjave në fjalë. Përderisa në lidhje me emrin e Omerit të Kosovës njëra palë këmbëngul të urrejë emërtimet “e huaja” “arabe”, “persiane”, etj., me arsyetimin se me ta “nuk shkohet në Evropë”, pala tjetër e arsyeton këtë duke e llogaritur si pjesë të identitetit shqiptar, dhe si variant të emrit të shumëhasur tek shqiptarët, Ymer dhe Imer. Ndërsa në lidhje me Darjanin dhe Noemin e Shqipërisë, lexuesit shfaqin dilemat e tyre se po “tjetërsohet” kultura e emrave autoktonë shqiptarë, po edhe arsyetimet se jemi pjesë e “botës perëndimore”.

Të tre emrat, Omeri i Kosovës dhe Darjani e Noemi të Shqipërisë, kanë rrënjë krejtësisht të ndryshme kulturore. Emri Omer, për myslimanët identifikon udhëheqësin e dytë të shtetit islam (ummetit), pas vdekjes së Profetit Muhammed (a.s.), figurë me ndikim në historinë islame (lexo: Michael Hart: “100 personalitetet më të shquara në histori”), e po ashtu varianti i tij Ymer dhe Imer, i inkorporuar tashmë në “logjikën” normative të kontekstit shqiptar. Ndërsa emri i djalit nga Shqipëria, Darjan dhe vajzës Noemi janë me rrënjë krejtësisht të dallueshme linguistike dhe kulturore dhe për nga rrallësia e tyre janë të veçantë për kontekstin shqiptar. Sidoqoftë, emrat e këtyre fëmijëve dhe mikrodebatet mbi ta janë reflektim i një ndryshueshmërie vlerore që ekziston në kontekstin kulturor në Kosovë dhe në Shqipëri. Kjo reflekton nevojën e rishqyrtimit dhe riteorizimit të aspekteve të identitetit në këtë nënqiell.

Pa u bërë pjesë e polemikës për nevojën dhe panevojën e emrave në fjalë, natyrisht që dihet se patriotizmi, humanizmi e qytetërimi dëshmohen me vlera, veprimtari dhe suksese, ngase emri, edhe pse instancë e rëndësishme e përkatësisë identitare, prapëseprapë nuk i përcakton cilësitë e karakterit dhe formësimin psikologjik, edukativ dhe intelektual të individit, që si fëmijë i trashëgon apo përvetëson modelet nga prindërit, familja dhe rrethi. Emri i pranuar në tablonë tonë normative identitare, rëndom provohet të reflektojë kuptime të mira, predispozita estetike dhe të përmbajë finesa të “background-it” kulturor familjar, nacional dhe fetar. Omeri, Darjani dhe Noemi le t’i gëzojnë emrat e tyre, me jetë të gjatë, le të reflektojnë vlera dhe mbarësi për gjithë kombin, shoqërinë dhe mbarë njerëzimin!