LAJMI I FUNDIT:

Nxirren në privatizim 1280 sipërmarrje dhe objekte publike

Nxirren në privatizim 1280 sipërmarrje dhe objekte publike

Qeveria shqiptare ka nxjerrë për privatizim 1280 sipërmarrje dhe objekte publike. Vendimi u mor të enjten në mbledhjen e Task-Force për privatizimin. “Procesi i privatizimit të aksioneve shtetërore ka një rëndësi përcaktuese për luftën kundër korrupsionit, që mbetet gjithnjë kriteri dhe shtylla e parë e reformës ekonomike”, tha kryeministri Sali Berisha që drejtonte këtë mbledhje.

Berisha u kërkoi anëtarëve të Task Force-s të mobilizojnë të gjitha potencialet dhe burimet njerëzore që ky proces të finalizohet brenda këtij viti. “Objektiv madhor i qeverisë për këtë vit është finalizimi i privatizimit për të gjitha asetet e përcaktuara për këtë proces nga të gjitha ministritë, si në rrafshin e aksioneve që kanë mbetur në sipërmarrjet strategjike dhe sipërmarrjet e paprivatizuara, ashtu edhe në rrafshin e të gjitha aseteve dhe sipërmarrjeve të tjera që janë për t’u privatizuar”, tha Berisha.

Kryeministri kërkoi që të ecet drejt privatizimit të plotë dhe të shiten të gjitha aksionet e shoqërive aksionare, si ato të sektorit strategjik edhe të sipërmarrjeve të tjera të vogla e të mesme. “Sektori privat sot është përgjegjës për rreth 84 për qind të Prodhimit të Brendshëm të vendit. Ne duhet të bëjmë që kjo përqindje të shkojë edhe më lart”, tha ai.

Gjithashtu kryeministri kërkoi përparësi në shpejtësinë e procedurave të vlerësimit të objekteve në privatizim, duke kërkuar që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të përgjigjen brenda afateve kohore për këtë proces pranë Drejtorisë së Privatizimit. /Telegrafi/