LAJMI I FUNDIT:

Një kubane thotë se e ka festuar ditëlindjen e 125

Një kubane thotë se e ka festuar ditëlindjen e 125

Plaka nga Kuba, Juana Rodriguez ka thënë se, të martën ka festuar ditëlindjen e saj të 125, dhe duket se ajo është personi më i vjetër në botë, edhe pse libri i rekordeve botërore Guinnes, nuk e ka përcaktuar saktësinë e certifikatës së saj të lindjes.

Juana Bautista de la Candelaria Rodriguez, e njohur me nofkën Candulia, është lindur më 2 shkurt të vitit 1885, në Campechueli, ku jeton edhe sot, bëjnë të ditur mediat kubane, që i referohen librit të amzës të Campechuelit.

Rodriguez, nënë e tre fëmijëve, prej të cilëve dy tashmë kanë vdekur, jetëgjatësinë e saj thotë ta ketë arritur falë ajrit të pastër të fshatit, ushqimit të shëndetshëm, dhe dashurisë të më të dashurve të saj.

Siç bëjnë të ditur mediat kubane, nëna e Candualias ka vdekur në moshën 100-vjeçare, ndërsa babai i saj në moshën 96-vjeçare.


Kuba, një ishull me mbi 11 milionë banorë, njihet për numrin e madh të njerëzve të moshës mbi 100-vjeçare, gati 1.500 sish, sipas autoriteteve të këtij vendi.

Personi më i vjetër në botë, me ditëlindje të certifikuar zyrtarisht, ishte francezja Jeanne Calment, e cila kishte vdekur në vitin 1997, kur i kishte pasur 122 vjet, 5 muaj dhe 14 ditë. /Telegrafi/