LAJMI I FUNDIT:

Ngritje e sigurisë në trafik apo …?

Në bazë të dhënave statistikore të Policisë së Kosovës, aksidentet në trafik janë shumë të shpeshta dhe me pasoja fatale. Këtë askush në Kosovë nuk e dëshiron, e aq më tepër vet Policia.

Meqenëse roli primar i policisë në trafik është që të ngritë nivelin e sigurisë, çdo rënie e nivelit të aksidenteve, e sidomos të atyre me fatalitet, do të shkonte në favorin e ngritjes së imazhit të policisë së Kosovës. Një ngritje e imazhit të këtij dikasteri institucional të Kosovës, do të shkonte në favor të ngritjes së imazhit të Kosovës si një shtet funksional.

Andaj, organizimi i aksioneve periodike të sigurisë, qoftë ajo “Java e Sigurisë apo Muaji i Sigurisë në Trafik”, tregon angazhimin e veçantë të Policisë së Kosovës në ngritjen e vetëdijes dhe në disiplinimin e pjesëmarrësve në trafik. Përgjegjësit e realizimit të këtij projekti, në radhë ta parë, duhet të jenë vet në nivel të respektimit të rregullave të tyre të mirësjelljes, në mënyrë që të përçojnë mesazhin e duhur tek të tjerët.


E dimë se çdo institucion profesional, e ka edhe Kodin e Etikës. Në këtë rast edhe policia e trafikut e ka atë kod dhe duhet respektuar në tërësi gjatë kryerjes së detyrës, e në veçanti në raste të realizimit të projekteve zbatuese në terren. Por, apo shkelet ky kod nga uniformat shumë të respektuara nga ne, i cili kod parasheh që polici në trafik, me rastin e ndalimit të drejtuesit të automjetit atë ta realizon në mënyrë të rregullt, të përshëndet drejtuesin, t’i tregon arsyen e ndalesës, t’ia kërkon dokumentet në mënyrë shumë xhentile duke iu drejtuar me “Ju lutem dokumentet”, etj. Gjithashtu, polici nuk guxon të ndalon drejtuesin e automjetit në anën e kundërt të rrugës e sidomos me nxitim duke vrapuar drejtë tij, sepse mund të rrezikojë komunikacionin.

Për të argumentuar se janë apo nuk janë në këtë nivel të dëshiruar të gjitha këto sjellje në terren, artikullshkruesi do të përshkruaj ndodhinë e tij shumë origjinale, dhe me qëllimin më të mirë në kuadër të përmirësimit të krejt asaj çka mund të bëhet në të ardhmen, për të mirën e qytetarëve, të pjesëmarrësve në trafik, të policisë dhe të shtetit të Kosovës.

Më 26.11.2011, udhëtoja nga Gjilani për në Universitetin SHTUL në Tetovë. Në veturë kisha edhe dy bashkudhëtarë tjerë. Derisa kalonim nëpër Han të Elezit, kemi ngarë veturën me shpejtësi prej rreth 40 km/h. Në të dalë prej Hanit të Elezit, diku rreth 200 m në afërsi të kufirit, papritmas nga ana tjetër e rrugës vrapon një polic dhe ma bën me dorë që të ndalem (ndërkohë bashkudhëtarët më pyesin me habi “çfarë ndodhi”?). Ndalova makinën, dhe nga habia prej nxitimit të policit nuk dija të hapë dritaren dhe hapa derën e makinës. Fjalia e parë e policit ka qenë. Citat: “Mi jep dokumentet sepse duhet të dënojmë”. Po arsyeja, i thash unë. “Nuk ishit shpejtë, por kur erdhët këtu, në vend se ta ngadalësoni ju e rritët”, më tha polici.

I morra dokumentet dhe sipas urdhrit të tij kaluam rrugën për të shkuar tek vetura e tyre, e cila ishte e parkuar përtej rrugës, në brendi të një hapësire. Ndërkohë polici që më ndaloi , më shpjegoi se ku duhet të shkojë për të bërë pagesën, dhe në insistimin tim që t’iu lë dokumentin (që të mos vonohem) dhe kur bëjë pagesën, shkoj për të marrë dokumentin, ai me thotë, jo, se po iu duhen paratë!!! Nuk e dijë se për kënd aludoi. Kështu na kanë thënë, dhe nuk e falim askënd, se askush s’duhet të jetë mbi ligjin, tha ai. Dakord. Atëherë, kam reaguar, duke i thënë policit, se kjo ndalesë nuk ishte në rregull, dhe tjetër herë unë në ndalesa të këtij lloji nuk ndalem për të rrezikuar veten apo dikë tjetër në komunikacion, dhe i kam kërkuar leje për të shënuar nr. e tij, edhe pse nr. ishte transparent. Më tha se nuk mund të shënojë nr. e tij, ndërsa policit që gjendej në veturë i tha që të ngritë dënimin nga 25 në 35€ .

Atëherë kam vendosë një letër mbi veturë dhe kam shënuar nr. e tij, i cili ishte 1279, ndërsa në dokumentin e dënimit që unë e kam shkruan emri dhe mbiemri i tij, por unë po e kursejë vetëm me iniciale N.S.

Polici më ka shtyrë fizikisht duke më thënë, mos prek veturën se nuk është e jotja. Për këtë i kërkova falje, ndërsa për ngritje të vlerës së dënimit i thash se mund të ketë pasoja. Ai në mënyrë kërcënuese tha se, që tash mund të heq uniformën. Pasi kam bërë pagesën në vlerë prej 35 €, kur kam shkuar tek vetura e policisë për të marrë dokumentin, iu prezantova dhe u përshëndeta miqësisht me ta. Menjëherë reagoi i njëjti polic duke thënë, “Pse bre burrë nuk tregove në fillim se nuk kish pasë problem”, që ishte kontraverz me thënien e tij më parë “Askush nuk është mbi ligjin”.

Tani në bashkëpunim me një avokat jam në përgatitje të lëndës për gjykatë. Por, shpresojë se këtë artikull do të ketë rastin të lexojë ndonjë epror i tij, dhe të ndërmarrë masa përkatëse, me qëllimin më të mirë, në kuadër të respektimit të etikes së policisë.

Vërtetë, me sjellje të tilla të disa individëve me uniformë, na bëjnë të pyesim:. Ç’është qëllimi primar i policisë në trafik: Ngritja e nivelit të sigurisë apo…?