LAJMI I FUNDIT:

Ngjarjet kryesore në basketboll gjatë vitit 2012

Ngjarjet kryesore në basketboll gjatë vitit 2012

Fillimi i vitit 2012 shënoi përfundimin e dominimit të Sigal Prishtinës në basketbollin kosovar, pasi ishte Trepça ajo që u kurorëzua me titullin e kampionit të Kupës së Kosovës dhe BKT Superligës.

Klubi i basketbollit Trepça e filloi këtë vit me përkushtim të madh dhe ambicie të larta që e ndihmuan të shkojë fuqishëm drejt titujve.

KB Trepça nga Mitrovica u shpall fitues i Kupës së Kosovës në basketboll, pasi në finale mundi Bashkimin nga Prizreni me rezultatin 86:71, në palestrën ‘Karagaçi’ në Pejë. Vlen të përmendët që në gjysmëfinale, mitrovicasit eliminuan rivalin e madh Sigal Prishtinën.

Rreth 1.500 tifozë nga Mitrovica kishin udhëtuar drejt Pejës për të përkrahur skuadrën e tyre, e cila në fund nuk i zhgënjeu dhe bashkë festuan titullin e tretë të Kupës së Kosovës, pas atyre në vitet 2000 dhe 2004. Në anën tjetër Bashkimi mbeti vetëm me trofeun e vitit 2001, ndërsa rikujtojmë se Prishtina është kampion absolut kur janë në pyetje titujt e fituar në kuadër të Kupës, me gjithsej tetë të tillë.


Ekipi i Trepçës u shpall edhe kampion i ri i Kosovës në basketboll, pasi arriti të triumfojë ndaj Sigal Prishtinës (79-67) në përballjen e pestë të ‘play-offit’ që u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.

Dy rivalët e përbetuar e filluan ndeshjen e pestë dhe vendimtare me rezultat të barabartë prej 2-2 nga seria finale, pasi të dy ekipet kishin shënuar nga dy fitore në terren vendas, ndërsa ishin mposhtur si mysafirë.

Nikoqirët vetëm në çerekun e parë dominuan duke e përmbyllur në favorin e tyre, ndërsa vazhdimi i takimit u takoi krejtësisht mysafirëve, të cilët me lojë të shpejtë dhe me precizitet për tri pikë ia dolën ta mbajnë lojën në kontroll dhe të krijojnë në vazhdimësi epërsi ndaj rivalit. Mysafirët nuk lejuan befasi dhe e përfunduan takimin me 12 pikë diferencë dhe kështu Trepça u shpall kampion i Kosovës pikërisht në Prishtinë.

Trepça e mbylli edicionin e basketbollit 2011/12 duke fituar kurorën e dyfishtë – titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Edicioni i basketbollit 2012/13 filloi me 29 shtator me shumë të befasi. Kampioni aktual i Kosovës në basketboll, Trepça pati rënie të madhe këtë sezon dhe radhitet në vend të katërt në tabelë me shtatë fitore dhe shtatë humbje. Gjelbërezinjtë i humbën të gjitha ndeshjet derbi, duke treguar dobësi konstante, si rrjedhojë e mungesës së palestrës dhe mosangazhimit të lojtarëve të duhur të huaj. Ndërsa, Peja dhe Sigal Prishtina e thanë fjalën kryesore në Superligë.

Që të dyja kanë humbur vetëm nga një ndeshje ndaj njëra-tjetrës, kurse kanë arritur nga 13 fitore, duke u pozicionuar në vend të parë dhe të dytë me pikë të barabarta (27).

Gjatë vjeshtës pati edhe shumë ndryshime të lojtarëve të huaj, ndeshje të tensionuara e të ndërprera dhe akuza e dënime të shpeshta për racizëm. Megjithatë, Federata e Basketbollit e Kosovës pjesën e parë e vlerëson pozitive.

"Klubet kanë bërë përpjekje që ky kampionat të jetë sa më interesant, duke u përforcuar me lojtarë të huaj prej fillimit. Kampionati ka qenë më interesant, pasi për kreun e tabelës nuk kanë luftuar vetëm katër skuadra, por më shumë. Po ashtu edhe për ekzistencë po luftojnë më shumë se dy ekipe", ka thënë sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Nazmi Paçarada.

Lajmi më i madh për basketbollin kosovar padyshim që ishte leja e dhënë nga FIBA, për pjesëmarrjen e ekipeve tonë në Ligën Ballkanike.

Me 21 dhjetor, Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje ka pritur drejtorin e Ballkan Ligës në basketboll, Shay Shtriks dhe menaxheren gjeneral Lubomira Genova, ku u diskutua për interesimin e klubeve kosovare rreth pjesëmarrjes në kampionatin ballkanik.

“Z. Shtriks njoftoi se për shkaqe objektive dhe fillimit të sezonit të rregullt të garave ketë vit, ekipet nga Kosova mund të startojnë në tetor 2013 në Ligën Ballkanike, por paraprakisht kërkohet përgatitje dhe angazhim në të gjitha nivelet për arritje të synimeve, ndërsa përkrahja nga Liga Ballkanike nuk do të mungojë, si në qasje ndaj tentimeve të Kosovës për anëtarësim në FIBA, ashtu edhe në vazhdën e tentimeve për të zbutur dhe eliminuar tërësisht qëndrimin kundërshtues nga federata serbe e basketbollit për pjesëmarrje të rregullt në garat ndërkombëtare të basketbollit”, shkruhej në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Pasi siguroi pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike, Sigal Prishtina ka filluar përgatitjet intensive për pjesëmarrjen në këtë ligë ku pritet t’i zhvillojë tetë ndeshje miqësore me skuadrat e kësaj lige. Katër prej tyre do t’i zhvillojë në Prishtinë.

Një befasi e këndshme e këtij viti, padyshim që ishte edhe kthimi i basketbollistit kosovar, Dardan Berishës, në vendlindje. Ai luajti gjatë tërë sezonit vjeshtor për Pejën duke e shkatërruar çdo klub që i doli përpara. Ai gjithashtu u zgjodh lojtari i muajit tetor dhe dhjetor nga FBK-ja, për paraqitjet e tij të jashtëzakonshme. Sidoqoftë, ai nuk është i sigurt nëse do të vazhdojë të luajë në Kosovë, pasi që u zhgënjye nga tifozeritë e klubeve tjera që e vërshëllyen dhe e fyen, duke ‘harruar’ kontributin qe e ka dhënë për basketboll kosovar.

Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, është zgjedhur lojtari më i mirë për vitin 2012 nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK). Ndërkaq, basketbollistja më e mirë për këtë vit është zgjedhur Valbona Bytyqi (KB Penza). Klubi më i mirë në konkurrencën e meshkujve është shpallur kampioni në fuqi, KB Trepça, kurse te femrat KB Penza. Trajneri më i mirë në konkurrencën e meshkujve është zgjedhur ish-trajneri i Trepçës, Neven Plantak, kurse te femrat Fabian Xhuka. /Telegrafi/