Shaqir Foniqi është njeri i kulturës sonë. Nuk mund ta gëzojë secili këtë vlerësim epitetizues: të jesh njeri i kulturës. Është thënë sa e sa herë, se njeriu nuk mund të jetojë pa bukë dhe pa kulturë. Po qe se ka vetëm bukë për ta mbushur barkun, atëherë ai pushon të jetë qenie njerëzore. Një komb shquhet edhe për identitetin e tij kulturor. Dhe, po u shua ky identitet, kombi vdes. Këtë postulat kaq esencial e kaq ekzistencial, e ka përsëritur shpesh edhe vetë Foniqi në sa e sa raste.
Nga Prend BUZHALA:
1.
Ai, kësaj radhe, vjen në një ORË JETE, kulture e krijimtarie me personalitetin e zërin e vet të veçantë. Edhe NJË ORË NDËR VITE A NJË ORË VITESH kulture, krijimtarie e përvoje jetësore, flet shumë. Të gjitha ato vite e kanë zërin e tyre; aty ku kori i muzave vjen dorë për dore, me të pesë librave poetike "Drithërimë" (2004), "Diell me diell" (2005), "Diell në janar" (2006), "Porta e diellit" (2007) dhe "Diell në shuplakë" (2010), të cilave u prin muza e Eratos poetike shoqëruar nga ajo e kujtesës dhe e vlerave kulmore, Melpomenës, përkitazi me vëllimet "Mosiu dhe Mosiu" (1994) kushtuar Aleksandër Mosiut, ""Nexhmije Pagarusha – Bilbili i Kosovës" (1995), "Gjelosh Gjokaj – unë për të tjerët, të tjerët për mua" (2003), "Bekim për Bekimin – album artistik" (2013, kushtuar Bekim Fehmiut) dhe, së fundmi "Rita Ora " (2014). Por këtij kori muzash e librash, u bashkëngjiten edhe disa botime të vëllimit që dalin me dy tituj "Albumi i një gazetari" (1996, botimi i II-të 1998) dhe "Teori e praktikë gazetarie" (2012). Dhe këta zëra librash e muzash, kësaj radhe, vijnë së bashku për të na ligjëruar në të njëjtën kohë për këta dyzet e sa vjet pune e krijimtarie.
Shaqir Foniqin, ka disa dekada rresht, që e shohim në cilësinë e gazetarit dhe redaktorit në emisionet kulturore, fillimisht në Radio Televizionin e Prishtinës e pas luftës në RTK. Janë qindra e qindra emisione, mijëra libra e autorë, që kanë defiluar para mikrofonit të tij dhe para pamjeve të kamerës televizive, për t’ia prezantuar publikut vlerat letrare, artistike e kulturore, aty ku secili informohet dhe ku formohen shijet e së bukurës dhe vlerave, ku njeriu merr guximin për të qenë i arsyeshëm. "Kultura është një art i lartësuar në një tërësi bindjesh" do të thoshte Tomas Wolfe. Gjithsesi, përvojë e kësaj veprimtarie parësore të tij, është edhe libri "Teori e praktikë gazetarie", i cili prezanton autorin në fushën e gazetarisë e që është veprimtaria e tij kryesore. Gazetarët gjenden gjithnjë në tensioni dramatik të rrjedhës së ngjarjeve. Dhe t’i ndjekësh rrjedhat e tilla në vlime kohësh e vorbulla motesh, nuk është pak.
Prandaj, motoja domethënëse e Oriana Fallaçit, e vënë në fillim të librit, kërkon gazetarin "të jetë si treni pa orar…kurdo që e kërkon nevoja, opinioni duhet njoftuar." Mirëpo, nga gazetaria kërkohet edhe një vlerë tjetër: liria e fjalës dhe e shtypit, e theksuar nëpërmes nyjave monumentale të “Kanunit të Lekë Dukajginit” mbi Lajmëtarin a Lajmësin. Te ky vëllim Foniqi spikat përvojat botërore e shqiptare të gazetarisë, nocionet dhe zhanret e gazetarisë, ide të përgjithshme, të shoqëruara me fragmente e shembuj konkret nga literatura, nga emisionet e nga shtypi ynë. Ky album shërben edhe si histori gazetarie, edhe si doracak përvojash të shkrimit, edhe si sinteza themelore të mendimit studimor mbi gazetarinë.
2.
Shaqir Foniqi ka edhe një prirje tjetër: që, kur merr e shkruan për një temë të caktuar, ai u drejtohet majave të mendimit e kulmeve të mjeshtërve të shkrimit, siç janë bie fjala, Konica apo Midhat Frashëri, Satri apo Alen Boske, Ali Podrimja apo Ramiz Kelmendi. Gjithnjë me pikëpamjen që t’u drejtohet majave të arritura në kulturë, ai merr e shkruan, gjatë dy dekadave të fundit, monografi për aktorët Aleksandër Moisiu e Bekim Fehmiu, apo për solistet Nexhmije Pagarusha e Rita Ora, për piktorin Gjelosh Gjokaj dhe, në proces botimi, një monografi për Ismail Kadarenë. Janë gjashtë emra kulmorë të kulturës sonë, që na prezantojnë në botë. Bota dje e sot na njeh nëpërmes këtyre emrave. Është e vërtetë se për këto personalitete ekzistojnë të botuara qindra studime e dhjetëra monografi nga studiues të fushave përkatëse. Por personaliteti i këtyre fiugrave do të mbetej i mangët, po qe se nuk do të këndvështrohet edhe nga ai i gazetarisë. Te Libri për Nexhmije Pagarushen autori e quan Biblibili i Kosovës, ku zëri melodioz e bravuroz i kësaj legjende të gjallë të këngës, jo vetëm që epitetizohet kësisoj që në titull, por autori përzgjedh shkrime letrare poetike e intervista, si dhe vlerësime të të tjerëve. Këto vlerësime të shkallës më të lartë vlerash të epërme, nisin me shkrimin “Bilbili Ynë” të shkrimtarit Esad Mekuli (1974), për të vazhduar me kapitujt “Nexhmija çfarë nuk e njohim”, “Aforizma të Nexhmije Pagarushës”, ku përmblidhen mendime e thënie të Nexhmijes për këngën. Vijnë kapitujt Ansambli “ ‘Shota’ dhe Nexhmija“, por janë me vlerë edhe shkrimet që e prezantojnë atë si këngëtare dhe aktore. Të gjithë vlerësuesit e deklaruesit janë personalitete të spikatura, si: Zhyliet Greko, Çesk Zadeja, Rafet Rudi, Ramiz Kelmendi, Marie Kraja, Vaçe Zela, Avni Mula, Inva Mula, Rexhep Munishi, Engjëll Berisha, Pranvera Badivuku, Esat Rizvanolli, Jusuf Gërvalla, Fahri Beqiri etj, kurse në fund botohen edhe disa poezi të shkrimtarëve tanë kushtuar Nexhmije Oagarusës, si janë krijimet e Mirko Gashit, Musa Ramadanit, Adem Istrefit, Nexhat Halimit, Edi Shukriut, Nehat S. Hoxhës, Nuhi Vincës Florë Brovinës, Mehmet Hazirit, Qerim Arifit, Shkëlzen Zhubit, Donika Gashit e të Sejdi Berishës etj. Poezitë e tilla, ndryshe nga shumë pëërmbledhe të ngjashme poetike përkushtimore, janë jo vetëm nga autorë seriozë, por janë me vlera antologjike, që spikasin botën e pasur shpirtërore të kësaj legjende të gjallë shqiptare të muzikës sonë.
Libri përmban edhe reportazhet kushtuar kësaj këngëtareje të shquar, me autorë të përzgjedhur, si Kadriu e Ali Olloni, por edhe intervistat e zgjedhura me Nexhmijen që nga Rexhai Surroi e Maksut Shehu, e deri te Rushit Ramabaja, Mexhide Murseli, Mexhide Hasani, Sami Piraj, Abdyl Bunjaku etj. Ndryshe, intervista mjeshtërore jo vetëm që i përmbush kriteret profesionale, por ajo, si e tillë, e realizuar me Nexhmijen, merr rolin edhe të një kronike të gjallë të kohëve, shndërrohet në një bashkëbisedues dinamik për proceset në fushat e mizikës, jetës e të kulturës, veçanërisht, dhe të jetës shoqërore përgjithësisht. Shndërrohet në një zë intelektual, që e drejton gishtin kah thelbet e qenies sonë, dhe që i jep rrugëzgjidhjet për të dalë nga qorrsokaku ku futen fenomenet a dukuritë e tilla në fushat përkatëse. Sot intervistat bëhen me bollëk, duke ngritur kulte të rrejshme, sidomos nga sferat e muzikës dhe sportit, bëhen me politikanë gjysmanalfabetë, me pseudointelektualë, me sojsorollopësh pushtetorë zëdhënësish për informim; bëhen, madje, edhe me manekene, me modeliste, me miss-e, me aktorë e aktore e me pseudo të panumërt. Intervistat e tilla, mbase, krijojnë një atmosferë argëtimi me lexuesit që kërkojnë shije të sipërfaqshme, por nga ana tjetër, nuk i kënaqin shijet e intervistës profesionale, sepse krijojnë rrëmujë antivlerash. Dikur Roland Bart për fenomenin e tillë thoshte: “Është vrasje e dyfishtë: njëherë e mendimit, sepse na reziston dhe herën tjetër e gjuhës, sepse na tradhton”. Intertvistuesi me intelekt di ta kapërcejë këtë hendek me përvojën e gjatë në lëmin profesional të intervistimit në publicistikën shqiptare; intervistë që e merr rolin e përvojës, si mësuese të jetës, e mësueses së historisë, aq e sigurt e aq urtake njëkohësisht, aq e sertë hove-hove dhe aq e shtruar e shkoqitëse, herëve të tjera; aq me temperament më tutje. Libri kompletohet me faksimile të letrave dhe dokumente të ndryshme, si dhe me një album fotografish.
3.
Metodologjia e tillë e hartimit të librit, vazhdon edhe në monografitë tjera. Kështu, tek monografia kushtuar Aleksandër Moisiut, në kapitujt e parë "Fëmijëria dhe djalëria", "Përpjekjet për t’u bërë aktor", ""Fillimi i karrierës" (Vjena, Praga, Berlini)", "Turnetë nëpër botë dhe "Dy role maestrale të Aleksandër Moisiut", japin kronologjinë e përpjekjeve të suksesshme e të mundimshme për t’u bërë aktor i afirmuar, kurse te kapitulli "Mosiu si e panë të tjerët", shkëputen mendimet e vlerësimet e personaliteteve të shquara botërore e shqiptare që, siç thotë autori, paraqesin vlera universale. Janë vlerësimet e mendimet e emrave të shquar si: Franc Kafka, Stefan Cfajg, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Bardhyl Kosova, Vangjel Moisiu, Viktor Eftimiu, Albert Baserman, Irahim Rugova, Alfred Moisiu, Elizabet Bergnar, Adriatik Kalulli, Dhimitër Patetuqi, Velibor Gligoriq, Artur Kahane etj.
Prozatori e biografi i shquar Stefan Cfajg shprehet: "Njeriu i jugut, gjithmonë njeri i jugut, ai, për të mos ngrirë, sjell kudo me vete diellin e vendit të tij." Të tjerët vlerësojnë shkëlqimin e tij nëpër teatrot botërore. Ndonjë e dhënë biografike interesante, si shënime ditari të Franc Kafkës, këtij kolosi botëror të letrave, apo si ajo e Viktor Eftimiut, këtij dramaturgu të spikatur botëror, i cili ndërhyn për lirimin e kapjes rob në Luftën e Parë Boërore; janë rrëfime interesante autentike.
Në një kapitull tjetër "Moisiu në poezi", figura e tij tashmë vështrohet nga një kënd tjetër, nga ai shpirtëror e shpirtëzues, nëpërmes artit të fjalës poetike përkushtimore, por edhe të artit si natura naturans, si janë, poezitë e Artur Kahan, Ndoc Paplekës, Moikom Zeqos, Agim Spahiut, Musa Ramadanit, Agim Shehut, Adem Gashit, Petrit Rukës, Ramadan Musliut, Beqir Musliut, Shaip Beqirit, Halil Matoshit etj, si dhe tregime nga autorë të tjerë. Edhe te ky vëllim spikasin po atë vlera të larta poetike përkushtimore, ku së brendshmi vrujon e bukura si kategori estetike.
Publikohet edhe drama e Selman Vaqarit "Përndjekjet e Mosiut". Por Aleksandër Mosiu ka qenë edhe njeri i letrave dhe krijues, ku Shaqir Foniqi përmbledh disa shkrime të tij tek kapitulli "Mosiu krijues" dhe ku dallohen drama "I burgosuri", tregimi "Ëndërr fëmijërie", disa ese etj. Në fund jepen tekste të shkurta biografike për Mosiun në disa gjuhë, si dhe kronologjia e jetës së tij, një pasqyrë e roleve të tij nëpër teatrot botërore e në filma, recitimet, si dhe literatura e bibliografia.
Kjo monografi shumëzërëshe për të tashmen ka dhe një vlerë tjetër: në kohën kur po luante në teatër Moisu, dhe po e njihte botën me një emër të panjohur (Shqipëri e shqiptar), skena as që ekzistonte në trojet etnike shqiptare (mbase në disa qytete luhej ndonjë shfaqje e rrallë); nga ana tjetër, Mosiu, përmes prezantimit të shkrimeve të tilla, si polifoni zërash shkrimorë (poetikë, publicistikë, kronologjikë etj), ky aktor na shfaqet si identifikues i vetëdijes sonë për dje e për sot; emër që hyn në botën tonë të trashëgimisë kulturore, duke spikatur gjithnjë e më shumë me shkëlqimet që pati…
Edhe monografia për Bekim Fehmiun ndjek të njëjtën metodologji të bërjes së librit, me shënimet e gazetarit e të kontakteve autoriale me aktorin e madh, një album poezish e një album fotografish, si dhe një pasqyrë e roleve të luajtura. Që në tekstin hyrës “Si e njoha Bekim Fehmiun” autori thekson:
“Më duhet të them se jam njeri me fat të bardhë, që, duke qenë prej kohësh gazetar i kulturës në RTP, e më vonë në RTK, kisha mundësi të shpeshtë që të përcillja festivale të ndryshme ndërkombëtare të filmit, sikurse është ai i Kanës, Berlinit, Pulës, Beogradit… ku artisti i madh Bekim Fehmiu ishte prezent, qoftë me rol, ose anëtar jurie profesionale, në Festivalin e Puljes (Kroaci), që u mbajt më 1990, disi, sikur kisha më shumë mundësi të rrija me të, meqë ai nik e preferonte Diellin (plazhin) prandaj, pothuajse tërë ditën rrinim bashkë nëpër ambientet ku mbahej festivali.”
Tashmë në shqip kemi tre libra për Bekimin: librin autobiografik (të përkthyer) “Shndritshëm dhe tmerrshëm”, këtë të Shaqir Foniqit, si dhe Sinan Gashit “Përjetësi artistike”, kushtuar Bekim Fehmiut. Ndërkaq Shaqur Foniqi kësisoj na fut në botën e rrëfimit publicistik. Është një sintezë që shkreptin me mendim thënia e Bekimit “Arti të vret nga brenda”, kur ai flet për pozitën e artistit sot. Porse artistët edhe jetën e shndërrojnë në art, edhe vdekjen e kanë të tillë, të veshur me velin e misterit. Ende e kemi të freskët vetëvrasjen e tij, ngjarje kaq tragjike e përfundimit të jetës:
“Dhe ai kumtt erdhi me tërë tmerrin e pakufishëm. Bekim Fehmiu e luajti me sukses rolin e tij më të mirë, por edhe më të vështirë jetësor, bëri vetëvrasje, pikërisht në muajin e lindjes, qershor 2010, në banesën e tij, madje me vullnet e vetëdije. Dikush tha, nuk mund të duronte kaq shumë realitet të hidhur brenda në shpirt dhe përreth tij. Dikush tjetër shprehej se shuarja e tij ishte një revoltë, por një është më se e vërtetë, gjenitë nuk mund të kenë tjetër përfundim (ky është mendimi im)! Bekimin e mori vdekja, por vdekja nuk arriti t’ia marrë me vete edhe emrin e tij të bekuar e të lavdëruar…”
Në albumin poetik sfidojnë me vargjet e tyre poetët Ali Podrimja me dy poezi, Agim Vinca (poezi e botuar më 1986), Musa Ramadani (poezi e vitit 1990), poezi të Selajdin Krasniqit, Çun Lajçit, Sabit Rrustemit, Sadik Krasniqit, Abdullah Zenelit, Musa Jupollit, Mentor Thaqit, Valentina Saraqinit, Farku Tashollit, Nebih Bunjakut, Odise Cacit, Naim Kelmendit, Migena Arllatit, Jeton Kelmendit e të disa autorëve të tjerë. Elegjia e Ali Podrimjes shkrepëtin me reflektimet e thella sintetike-metaforike, që asocionojnë me vdekjen e tij e me artin e tij:
Bekimi nxitonte për në Lumbardh
Se nuk kishte kohë
Në shuplakë fiku buzëqeshjen
Udhë së mjegulluar ia hoshi një sy
Atdheut i bie liketrup
Një vashë kyçi në kuti zërin
Valës ia hodhi që rrahte pa ndërprerë
Brigjet e zymta
E panë Bekimin tek bisedonte
Me perënditë ilire
U ngjitën dikur në një kep vaji
Ai kapërcente flakën e kaltër
Një Zot e di se ku arrit
Mik i dashur ishe, lis arbëror.
Tek një faqe tjetër jepet filmografia e Bekim Fehmiut prej vitit 1953 e deri më 1999 dhe ku spikatin tituj filmash me renome botërore nëpër metropolet e filmit botëror, kurse në fund jepet një fotoalbum, ku, edhe përmes fotografisë, shpalosen imazhe që ndalojnë mbamendjen tonë tek sekuencat e kohës, të pashkëputshme nga kujtesa jonë.
Kësisoj na vjen edhe monografia për Rita Orën, të cilën autori, që në fjalinë e parë, e vlerëson si Diva dhe Ikona, Rita Ora është bërë krenaria jonë në shkallë kombëtare e ndërkombëtare. Aty vijnë po ashtu albume, poezi kushtuar Ritës nga autori, intervista e reminishenca gazetarie. Këso reminishence na e dhuron që në nëntitullin e librit: “Pa zërin e saj bota do të ishte më e varfër dhe më e ashpër”, duke na e sugjeruar botën e magjishme të zërit të saj dhe botën e saj skofiare në përmasa planetare. Vjen dhe një cikël simpatik poetik autorial prej tetë lirikash kushtuar Ritës. Autori e portretizon atë me metaforën diellore “E përndritura Rita”, e cila firmohet në botën e muzikës, falë talentit, punës dhe përkushtimit të saj. Figura e saj e ka madhëruar Kosovën edhe jashtë.
LIBRAT e tillë, sikundër janë monografitë e Shaqirit, na vijnë si Kulturë e Zgjerimit të Mendjes dhe Zemrës, si kulturë e zgjimit të vetëdijes sonë për vlerat kulmore kombëtare, të cilat lëshojnë dritën shqiptare e emrin shqiptar në botë. Nëpërmes këtyre figurave, shpirti shqiptar komunikon me botën. Që nga Moisiu, Bekim Fehmiu e deri te Gjelosh Gjoka a Rita Ora, ne vëmë urat tona dhe ndërtojmë ura komunikimi me vlerat botërore. Foniqi na ligjëron kësisoj se kultura është hapësirë e shenjë e shpirtit shqiptar, tempull ku përkulemi përpara veprave supreme e të epërme artistike të këngës, të teatrit e filmit, por edhe të letrave shqipe. Është pasoni i gazetarit për të na e tërhequr vëmendjen, se shqiptarët mund të hyjnë në majat e vlerave të përbotshme, sepse ata tashmë i kanë kryeprotagonistët e vet të kryevlerave që kapërcejnë kufijtë. Mesazhet e këtyre librave janë domethënës: as kultura jonë nuk bën pa atë të përbotshmen, ashtu sikundër ajo e përbotshmja do të ishte e varfër pa gjenitë shqiptarë.
4.
Por cili është Shaqir Foniqi poet? Të pesë librat poetike që i përmendëm më lart ("Drithërimë" "Diell me diell", "Diell në janar", "Porta e diellit" dhe "Diell në shuplakë"), janë shkruar gjatë dekadës së fundit. Por Shaqir Foniqi rrugëtimin e shoqërimin e tij me muzën poetike e ka nisur që në bankat e gjimnazit "Luigj Gurakuqi", diku në vitin 1969, kur asokohe botonim revistën e gjimnazistëve me emrin "Ylli". Figura e diellit shfaqet në katër tituj librash. Nëse te libri i parë "Drithërimë" hasim poezi të shkruara e të botuara që nga vitet ’70 me motive të ngrohta evokuese drithërimash emocionale e biografike; te librat tjerë duket sikur dielli shndërrohet në manifest e program poetik. Dielli bëhet manifest motivesh, kurse ato shpërndahen në të katër libra tjerë si rrezatime meditative e jetësore. Te peozia "Udhëtime" dhe "Fjala" ai jep kredon e biografemën e tij jetësore.
Sa shumë kam udhëtuar
Sa shumë kam nxituar
Sa shumë jam vonuar
Dhe te e dyta ai kërkon që fjalët të jenë sa më të pakta e më të sakta. Kjo gjeopoetikë udhëtimesh këndohet gjithandej librit të dytë, ku stacionet jetësore e kanë shpënë gazetarin dhe poetin gjithandej nëpër Evropë, ku poezia shfaqet si itinerar shpirtëror përjetimesh. Dashuria dhe etnia, jeta me pritje, pleqërinë, vetminë, kohën dhe rrugëtimet, përbëjnë të tjera korpuse tematike e motivore te libri i dytë. Te libri në vazhdim "Diell në janar" ai bën njl shtegtim për tek bukuria, si shprehet metaforikisht te një krijim, ndërsa këngëtohet edhe dilema dhe lufta me vetveten, një luftë e rëndë për ta harruar atë sfilitje. Poezitë lexohen e përjetohen si imazhe e copëza të gjetura realitetesh e përjetimesh nëpër shtegtime jete e kohe, në Berat, Shkodër, Gjenevë, Cyrih apo Dizhon, në vendlindje apo buzë Drinit. Në një poentë dielli na vjen te libri i parafundit, "si peng nderimi për shumë kujtime". Te ky vëllim spikatet më shumë situata jetësore e kënduar si urti e burim përvojash për ta paguar tagrin e shkrimit. Kurse te vëllimi i fundit na ligjërohet një diell në shuplakë, si metaforë e rinimit shpirtëror:
Pse njeriu
Duhet me u plakë
Me mbetë
Pa Diell në zemër
Pa Diell
Në shuplakë
Karakteristikë e të pesë vëllimeve, mbetet vargu i shkurtër, lirika të thurura me pak vargje, me një frymë e frymëmarrje të përbashkët këndimi, pa figura labirintore e e pa metaforikë të ndërliqshme. Figura kërkohet tepër e kursyer, mu ashtu si kursehen fjalët e urta, sepse folësit të kësaj poezie më shumë i pëlqen të dëgjojë zërin e jetës dhe atë të tjerëve, se sa të flasë vetë. Mbase, nëpërmes poezive përkushtimore e apologjike, ai dëshiron të na drejtojë kah gëzimi i lumturimit të përbashkët, kurse tagrin e pikëllimit ta mbajë për vete. Gëzimin, pse sheh që edhe të tjerët e vërejnë aë që e sheh poeti. Paradoks apo jo! Prandaj qartësia e thënies lirike dhe poetika e komunikimit urtak, që përcjell një mesazh që zbulon një kënd të beftë të situatës a qenies sonë, mbetet parim krijues.:
Fati kalon përreth nesh
Jeta nuk merr vesh
Çdo ditë pi helm
Dhe mbetet gjallë.
Botën dëshiron me e përbi
Për të mbetur njeri
Sado që Dielli i jetës dhe i shkëlqimeve të brendshme ekzistenciale, është një metaforë e inspirimeve metafizike, që shtrihet në hapësirë, në qiell a në tokë, në vendlindje apo nëpër rrugëtime të pafund, ai depërton edhe nëpër greminat e brendshme shpirtërore, ku një pritje, vetmi apo qetësi, boshllëk apo dritë, janë kategori mistike e filozofike, por, gjithsesi e mbi të gjitha, ato janë kategori poetike. Kur poeti gjendet në rolin e tillë të ndriçimit të çasteve jetësore, ai merr rolin e ndriçuesit misionar që e ka universin e tij poetik sistemor të diellit.
Fjala është për poezinë që ka tiparet autentike të frymëzimeve burimore, tek e cila intimja e dashuria, atdhesia dhe universalja, mitikja dhe simbolikja, përbëjnë parimin krijues të lirikës. Nga lirikat e lartësuara pafundësisht kah dielli dhe qielli dhe nga rrënjët e thella të etnisë sonë, poeti e ngre vertikalen dhe horizontalen e qenies poetike, përmasat e shumta të njohjes e rinjohjes nëpër shtigje, vende, histori e kohë; poeti e ka obsesionin e tij me diellin e për diellin, kurse ne njohim botën e poezisë me substancat e saj shpirtërore, me thelbin e saj të përvojave ekzistenciale, me dramën e imazheve e të miteve të jetës, (poezia “Itaka”), kurse hapësira jonë atdhetare nuk është thjesht vetëm një gjeografi e kundruar apo e shpaluar, por një dramë e habitshme fatesh, kohësh të rënda. Poeti assesi nuk i largohet diellit të tij poetik. Ai e ndjek atë kudo, sespe është vetë drita që e shoqëron njeriun. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
“Lumi i vdekur” dhe shkrimtari që i dha dimension tjetër gjinisë së romanit

Gladiatorët ishin influencuesit e Romës së lashtë

Operacioni sekret i CIA-s që fitoi Luftën e Ftohtë

Skënderbeu në historiografinë turke
Operacioni sekret i CIA-s që fitoi Luftën e Ftohtë
Teatri epik i Brehtit

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Teuta Krasniqi dhe Adonis Morina në krizë martesore?

Merr fund martesa e Shpend Ahmetit dhe bashkëshortes së tij Ardianës?

Xheneta nis njohje të re me një mashkull misterioz?

Publikohen pamjet se si Laporta dhe Deco u larguan nga stadiumi pas vdekjes tragjike të doktorit

Mbappe reagon për vdekjen e doktorit të Barcelonës

Nga frizerkë në fermere, historia e suksesit të Kreshnike Rugovës nga Peja