LAJMI I FUNDIT:

Nëse je me ne, je atdhetar – nëse je me të tjerët, je tradhtar

Nëse je me ne, je atdhetar – nëse je me të tjerët, je tradhtar

Është praktikë që njerëzit, përgjithësisht, kanë frikë të ndryshojnë mendim edhe atëherë kur situata , koha apo rrethanat e kërkojnë një gjë të tillë. Të ndryshosh është guxim, ndërsa guximi është vlerë që mund ta ketë një njeri.

Ndryshimet e mendimeve që ndodhin tek njerëzit mund të jenë të natyrave të ndryshme, mirëpo do të fokusohem tek ndryshimi i mendimit në politikë.


Në politikë asgjë nuk kemi me tapi. Madje, rrethanat politike janë ato që ndryshojnë më së shpeshti, prandaj edhe njerëzit – subjektet – duhet të ndryshojnë karshi rrethanave politike. Mos ndryshimi i mendimit politikë, në përputhje me situatën, do të thotë ngecje për subjektin/individin. Përndryshe, ndryshimi i mendimit në politikë, përveç tjerash, të bën individ apo subjektë të guximshëm.

Ju kujtoj që subjektet politike në Kosovë, pa përjashtim, me dhjetëra herë kanë ndryshuar dhe ndryshojnë qëndrimin dhe mendimin e tyre politik, sepse u është imponuar nga ndryshimi i situatës, pavarësisht se dikush nga ata nuk guxon ta pranojë se kanë ndryshuar në esencë.

Ju kujtohet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kur pati deklaruar se “ne nuk bashkëqeverisim me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK)”, dhe sot ata janë në qeverisje e cila u është imponuar nga situata. Madje, kemi deklarata publike nga eksponentët kryesorë të LDK-së që ishin kundër këtij koalicioni dhe tash e mbrojnë me xhelozi.

Ju kujtohet Lëvizja Vetëvendosje, kur pati deklaruar se “ne bëjmë koalicion me partitë tjera, vetëm nëse jemi të parët dhe ne e zgjedhim partnerin që duam”. Mirëpo, pak vite më vonë kjo tezë bie nga kombinimi, sepse ndryshoi situata, e bashkë me ndryshimin e situatës ndryshoi edhe qëndrimi dhe mendimi politik. Ata ishin të parët që iniciuan të bëhet VLAN-i, më vonë VAN-i etj., duke mos i përmendur edhe akuzat për Fatmir Limajn dhe Ramush Haradinajn, që më vonë situata i bëri të jenë të pandashëm e madje edhe zëdhënësa të njëri tjetrit (për të mos shkuar më tutje, në kohën kur patën refuzuar të hyjnë edhe në zgjedhje, sepse nuk i pranonin institucionet).

Ju kujtohet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si e konsideronte Lëvizjen Vetëvendosje me llojin e rrugaçëve, axhamillëkut politik, e akuza të tjera të rënda, e që shumë prej tyre i pati bërë edhe Donika Kadaj-Bujupi e cila tashmë është në gjirin e kësaj lëvizjeje?!

Ju kujtohet Dukagjin Gorani i cili kërkonte Ministri të veçantë për veriun e vendit, vetëm që serbët të ndihen më komodë në Kosovë. Të gjitha marrëveshjet që u bënë me Serbinë erdhën edhe si rezultat i negociatave ku ai ishte pjesë e tyre, e sot është pjesë e Vetëvendosjes e cila e kundërshton çdo marrëveshje me Serbinë .

Këto janë pak nga shumë rastet që tregojnë se sa shumë ndryshon qëndrimi dhe mendimi politik, përveç nëse nuk duam ta pranojmë. Fatkeqësisht, ka të tilla subjekte që nuk e pranojnë ndryshimin që ju ndodh, me vetëdije ose pavetëdije, mirëpo akuzojnë të tjerët për ndryshim të pozicionit, të qëndrimit dhe të ndryshimit të mendimit politik. Të gjitha këto janë të natyrshme dhe si të tilla do të duhej të pranoheshin, në të kundërtën ato subjekte apo individë mund të konsiderohen me aftësi të kufizuara politike.

Përndryshe, kjo gjendje, nëse je me mua je i mirë dhe atdhetar, e nëse je me tjetrin je i keq dhe tradhtar, mund të shpjegohet se faza e dëshpërimit që po kalojnë këto subjekte dhe individë ka bërë që dështimet e tyre t’i mbulojnë me fyerje ndaj të tjerëve. Kjo aq me keq për ta, sepse ata nuk mund ta pranojnë se gjërat kanë filluar të kthehen kah e mbara!