LAJMI I FUNDIT:

“Nëntë ditë që ndryshuan botën”

“Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën”, një film dokumentar i venë në skenë nga Njut Gingric, kandidat për president i Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe bashkëshortja e tij Kallista, në bashkëpunim me Citizens United Productions, fitoi Çmimin e Artë si filmi më i mirë dokumentar për vitin 2011, në Festivalin e Filmave të pavarur ndërkombëtar, në Hjuston të shtetit Teksas.

Filmi “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën” është një skenar i vizitës së parë të Papa Gjon Palit II në vendlindjen e tij në Poloni, në fillim të Qershorit të vitit 1979, vizitë kjo që sipas shumë analistëve e historianëve anë e mbanë botës, filloi një revolucion të ndërgjegjes, i cili transformoi Poloninë dhe ndryshoi në mënyrë themelore gjendjen politike dhe shpirtërore të shekullit të 20-të. Profesori Xhon Luis Gadis, i universitetit amerikan Jelle, në librin e tij “Lufta e Ftohët – Një Histori e Re” shkruan se: ”Kur Papa Gjon Pali i Dytë puthi tokën në aeroportin e Varshavës me 2 Qershor të vitit 1979, ai filloi një proces sipas të cilit, komunizmi në Poloni dhe më në fund në të gjithë Evropën – do të merrte fund”. Edhe arkitektët kryesorë të revolucioneve anti-komuniste, Lek Valesa i Polonisë dhe Vaclav Havel i ish-Çekosllovakisë i thanë Zotit Gingric se vizita e parë e Papës në vendlindjen e tij ishte vendimtare në minimin eventual të komunizmit.

Ky film dokumentar shqyrton e gjurmon vizitën nëntë ditëshe të Papa Gjon Palit te II, vizitë kjo që shtyri popullin polak të ri-përtërihej shpirtërisht dhe të fitonte rishtas kurajon që të lirohej, një herë e mirë, nga zinxhirët e komunizmit ndërkombëtar. Papa Gjon Pali i II vizitoi Poloninë tetë herë si udhëheqës i Kishës Katolike, por siç vë në dukje edhe filmi “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën”, vizita e parë e tij në Qershor të vitit 1979 ishte ajo që bota dëshmoi si vizitën që filloi dhe që eventualisht solli shkatërrimin paqësor të regjimit komunist në Poloni dhe më vonë rrëzimin e komunizmit anë mbanë Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik.


Filmi “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën” ven në dukje rolin personal të Papa Gjon Palit II në rrëzimin e perandorisë së kuqe komuniste sovjetike si edhe vë në skenë bashkëpunimin midis Gjon Palit II dhe ish-Presidentit amerikan, Ronald Reagan, si dhe shumë udhëheqësve të tjerë politikë, të cilët e kishin kuptuar se sa e rëndësishme ishte lufta kundër regjimeve komuniste totalitare të kohës.

Filmi tregon skena të ndryshme të vizitës së Papës, ku me miliona polakë kishin dalë për ta përshëndetur atë. Këto skena shërbyen atëherë për polaket që të realizonin se në numër, ata ishin me shumë se kundërshtarët e tyre komunistë dhe si rrjedhim nuk kishin ndonjë arsye të kishin frikë nga një regjim i pakicës që nuk i përfaqësonte ata. Me thirrjen e tij “Mos Kini Frikë”, që Papa Gjon Pali i II u drejtoi bashkëkombësve të tij gjatë asaj vizite, Polonia bëri një kthesë historike për fatin e vet dhe të popujve të tjerë nën thundrën komuniste në Evropë, e që nuk mund të ndalohej nga askush. Sipas filmit dokumentar, miliona polakë dolën nëpër rrugë, sheshe e katedrale për të dëgjuar predikimet e Papës dhe brenda një kohe të shkurtër, u formua sindikata e parë e lirë në bllokun komunist, me më shumë se 10 milion anëtarë.

Mbi të gjitha, “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën”, dokumenton faktin se si Papa Gjon Pali i II kontribuoi në fitoren mbi një kundërshtar të gjithëfuqishëm, siç ishte në atë kohë perandoria sovjetike—dhe ketë e bëri pa shkaktuar derdhjen e asnjë pikë gjaku. Thuhet se diktatori sovjetik Stalini kishte bërë pyetjen se sa divizione ushtarake kishte Papa, duke u tallur me faktin se udhëheqësi i Kishës Katolike nuk kishte ushtri për të komanduar dhe si rrjedhim nuk përbënte ndonjë rrezik për fuqinë ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik. Por Stalini nuk kishte paraparë zgjedhjen e Papa Gjon Palit II,i cili nga zemra e Evropës komuniste u solli bashkëkombësve të vet shpresën dhe frymëzimin për një jetë më të mirë e demokratike; por për më tepër u solli atyre mundësinë për të ringjadhur kulturën, historinë dhe identitetin e tyre duke i bërë të vetëdijshëm se ata ishin polakë e jo anëtarë të një lëvizjeje komuniste ndërkombëtare të pa identitet, të pa fe e të pa atdhe.

Në një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 1995, Papa Gjon Pali II reflektoi mbi ato që ai mendonte se kontribuuan në revolucionet anti-komuniste të vitit 1989, duke thënë: “Një faktor vendimtar në suksesin e këtyre revolucioneve pa dhunë ishte përvoja e solidarizimit shoqëror. Përballë regjimeve të përkrahura nga fuqia e propagandës dhe e terrorit, ky solidarizim ishte thelbi moral i ‘fuqisë së të pafuqishmëve’, një dritë kjo shprese dhe një kujtesë e përhershme se është e mundur që për në udhëtimin historik të njeriut të shkohet drejtë rrugës që është në përputhje të plotë me aspiratat më të mira të njeriut.”

“Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën” është një film dokumentar katolik mbi vizitën e Papa Gjon Palit II në Poloni, Qershorin e vitit 1979 – vizitë kjo, gjatë të cilës, ai u tregoi jo vetëm polakëve, por edhe të tjerëve, vlerën e jetës dhe të dinjitetit njerëzor. Gjon Pali II, atë vit u dëshmoi atyre dhe botës, se asnjë person, qeveri ose ligj nuk mund tua mohonte lirinë, besimin, dashurinë dhe shpresën.

Fjalët e tija dekada me parë, janë relevante edhe sot për qytetarët e çdo vendi në botë që vuajnë nga shtypjet e shoqërive dhe qeverive të tyre. Siç i tha Zotit Njut Gingric edhe ish disidenti cek, Zoti Vaclav Havel, “është detyrim i të gjithë ne qe kemi përjetuar këto kohë, që këto ngjarje t’ia rikujtojmë botës demokratike, por posaçërisht duhet t’i tërheqim vëmendjen mbi këto ngjarje sidomos vendeve ku diktatura ekziston gjithnjë dhe kudo ku ka lëvizje opozitare që meritojnë përkrahjen tonë…”.

Prandaj “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën”, megjithëse është një film dokumentar katolik është relevant edhe për ata që nuk janë katolikë, pasi Papa Gjon Pali II e donte të gjithë botën të cilën ai e ndryshoi me vizitën e tij të parë në Poloni, në Qershor te vitit 1979.

Në trend

Më shumë
Ditë e re, provokim i ri për të mos reaguar - kësaj radhe në shtëpinë e BBVA futet Livia për të zgjuar banorët nga gjumi

Ditë e re, provokim i ri për të mos reaguar - kësaj radhe në shtëpinë e BBVA futet Livia për të zgjuar banorët nga gjumi

Magazina
I dërguari i Trumpit largohet nga Moska pas një takimi me Putinin - ai ka një mesazh të rëndësishëm për SHBA-në

I dërguari i Trumpit largohet nga Moska pas një takimi me Putinin - ai ka një mesazh të rëndësishëm për SHBA-në

Botë
Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Lajme

"Policë evropianë që vijnë të veshur si paramilitarë, si hajdutë, si bandita", Behrami kritikon përcjellësit e Thaçit

Lajme
Xheneta reagon pasi takoi Gjestin në BBVA: Hiç prej shtëpisë mos me dalë, si ti 100 i gjejë

Xheneta reagon pasi takoi Gjestin në BBVA: Hiç prej shtëpisë mos me dalë, si ti 100 i gjejë

Magazina
Gjyqtari Marciniak thyen heshtjen, tregon se si erdhi deri te anulimi i penalltisë së Julian Alvarez

Gjyqtari Marciniak thyen heshtjen, tregon se si erdhi deri te anulimi i penalltisë së Julian Alvarez

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori