LAJMI I FUNDIT:

Në Vjenë flasin për hendbollin

Në Vjenë flasin për hendbollin

Një delegacion i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) të prirë nga Presidenti Eugen Saraçini dhe Sekretari i përgjithshëm Izet Gjinovci, sot në Vjenë janë takuar me kreun e Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF), në një takim të rregullt vjetor.

Delegacioni i FHK-së është pritur nga kreu i EHF-së Presidenti Jean Brihault dhe Sekretari i përgjithshëm Michael Wiederer.

“Gjatë takimit, që ishte vazhdimi takimeve të përfaqësueseve të FHK-së të zhvilluara kohë më parë ne Doha të Katarit, u diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me situatën aktuale në hendbollin e Kosovës, për garat ekipore ne kampionatet e hendbollit në Kosovë, puna me gjeneratat e reja, përfaqësimi i skuadrave kosovare në kupat evropiane, organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare në Kosovë, infrastruktura aktuale si dhe u trajtuan ide te reja për zhvillimin e hendbollit të Kosovës”, është thënë në njoftimin e FHK-së.

Sipas këtij njoftimi, njëra nga temat te cilat u shqyrtuan ishte edhe angazhimi i mëtutjeshëm për statusin e FHK-së në kuadër te EHF-it, respektivisht aktiviteteve te cilat do te zhvillohen edhe në Komitetin Ekzekutiv te EHF-it, lidhur me pranimin e me të drejta të plota të FHK-së në asociacionin më të lartë evropian.


“Takimi ne Vjenë, u bë në vigjilje të aktiviteteve të shumta, të cilat në muajt e ardhshëm do të organizohen nga Federata Evropiane e Hendbollit, në të cilat do të participojë edhe Federata e Hendbollit e Kosovës, cila sivjet shënon 60 vjetorin e themelimit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FHK-së. /Kosovapress/Telegrafi/