LAJMI I FUNDIT:

Në kërkim të shpirtit binjak

Në kërkim të shpirtit binjak

Psikologët shpjegojnë se si kërkimi i pafund i dashurisë ideale mund te na pengojë për të shijuar martesën apo marrëdhënien e shëndetshme që tashmë kemi.

Erjona Shahini
Psikologe këshillimi
/Psikostil/

Martesa ka vdekur! Feja dhe ligjet tashmë i kanë zbutur disi kthetrat e tyre mbi të. Jemi çliruar nga detyrimi i pamëshirshëm për të qëndruar në një martesë helmuese apo abuzive për hir të fëmijëve, ose te opinionit publik.

Jetë të gjatë martesës së re! Dikur e vlerësonim këtë institucion për bashkimin praktik të babait para-prodhues dhe nënës që kujdesej për shtëpinë. Tani i duam të gjitha – një partner që pasqyron shijen dhe statusin tonë, i cili na sheh për atë që jemi, na do për të gjitha arsyet e duhura, dhe që na ndihmon të bëhemi personi që duam të jemi. Pra, jemi larguar nga modeli i ngurtë social, për të adaptuar një obligim akoma edhe më të vështirë; gjetjen e një përshtatjeje perfekte, partnerin perfekt.


Çdo gjë larg këtij ideali na bën të pyesim: A është kjo gjithçka që mund të arrij? A jam e lumtur siç duhet të jem? Mund të ekzistojë dikush tjetër që është më i përshtatshëm për mua? Dhe shpesh kësaj pyetje të fundit kemi tendencën t’i përgjigjemi me një “po”, duke rënë viktimë e pritshmërive tona të mëdha.Ky dikush është, pikërisht, shpirti ynë binjak, burri apo gruaja që do të kompensojë dobësitë tona, amplifikojë aftësitë dhe do të na ofrojë një mbështetje pa kushte e respektin që është thelbi i një marrëdhënie bashkëkohore. Realiteti është se pak martesa ose marrëdhënie mund të përfshihen në këtë ideal. Dhe rezultati është një angazhim në të cilin edhe pse e duam partnerin tonë vazhdojmë ta mbajmë njërën këmbë prapa derës së zemrës. Në këtë mënyrë, i nënshtrohemi rishikimit konstant të marrëdhënies sonë: A do të isha më e lumtur, e ditur apo një person më i mirë me dikë tjetër? Kjo është një dilemë e dhimbshme dhe e vështirë e kohëve moderne. Ashtu siç pohon edhe psikiatri amerikan Frank Pittman “Asgjë nuk ka prodhuar më shumë pakënaqësi se koncepti i shpirtit binjak"

Shumë prej nesh shmangin vendimin për t’u angazhuar në një lidhje ose lidhen pa hequr dorë plotësisht nga e drejta për të parë diku tjetër – duke zgjedhur një marrëveshje të quajtur “paqartësi e qëndrueshme”. Pra është njësoj si të parkosh në cep të marrëdhënies – kështu që ju jeni në të, por jo e saj. Ka një milion mënyra për ta bërë këtë gjë: mund të jeni në një marrëdhënie, pa qenë i sigurt se është ajo e duhura, t’i mbani sytë hapur për një rast më të mirë ose të zgjidhni dikë të pamundur ose shumë larg jush.

Megjithatë, angazhimi dhe martesa kanë shpërblime të vërteta fizike dhe financiare, të cilat mund të tingëllojnë si retorikë e një politike konservatore, por studimet sociologjike i mbështesin ato. Partnerët e angazhuar i kanë të gjitha mbi beqarët, të paktën në nivel mesatare.

Njerëzit e martuar janë më të qëndrueshëm financiarisht: si burrat ashtu edhe gratë kanë pasuri shumë më të mëdha se individët ‘single’ dhe për gratë diferenca është akoma edhe më e madhe. Dhe përfitimet shkojnë përtej llogarisë bankare. Njerëzit e martuar, veçanërisht meshkujt, priren të jetojnë më gjatë se ata që nuk janë të martuar. Çiftet jetojnë gjithashtu më mirë: Kur njerëzit qëndrojnë së bashku, ata bashkojnë burimet e tyre, duke rritur standardin individual të jetesës. Ata gjithashtu sjellin në marrëdhënie ekspertizën e tyre – si p.sh në gatim ose në menaxhimin financiar. Në fakt përfitimet pragmatike të çiftit kanë qenë më së shumti fryt i mendjeve tona.

Ideja e martesës si një mjet për vetë-realizim dhe lumturi është relativisht e re, thotë Paul Amato, profesor i sociologjisë, demografisë dhe studimeve për familjen në Penn State University. “Sondazhet me nxënës të shkollës së mesme dhe studentë universitarë 50 apo 60 vjet më parë demonstrojnë se shumica dëshironte të martohej në mënyrë që të kishte fëmijë, ose një shtëpi. Tani, studimet tregojnë se njerëzit martohen më së shumti për dashuri. Ky theksim në përmbushjen emocionale brenda martesës i lë çiftet të papërgatitur për realitetin që ndoshta do t’i duhet të përballen.”

Duke qenë se faza fillestare e një marrëdhënie është e përbërë nga pasioni dhe idealizimi, shumica e çifteve romantike presin të kenë të njëjtin pasion përgjithmonë, dhe dëshira e madhe për energjinë e fillimit i bën ata të kërkojnë diku tjetër. Pasioni i lodhur interpretohet shpesh si shenjë e vdekjes së marrëdhënies. Ju filloni të pyesni veten nëse jeni me të vërtetë të përshtatshëm për njëri-tjetrin. Ndiheni rehat por nuk keni të njëjtën lidhje si dikur. A nuk do të ishte më e sinqertë – dhe kurajoze – të pranonit se marrëdhënia nuk është duke funksionuar? Në fund të fundit njerëzit kanë filluar të besojnë se të qëndrosh në një martesë të palumtur është gjest i një dobësie ekzistenciale.

Psikologët theksojnë se presioni i vazhdueshëm kulturor për t’i pasur të gjitha- jetë të kënaqshme seksuale, një familje të mrekullueshme-i ka bërë njerëzit të kenë turp për marrëdhëniet e tyre më pak perfekte dhe të dyshojnë për vazhdimësinë e saj. Ndjenjat e pakënaqësisë apo zhgënjimit janë të natyrshme, por ato mund të perceptohen si të patolerueshme kur standardet janë shumë të larta. Ekziston një presion i madh tek çiftet për të jetuar në një ideal jo-realist.Psikologët dhe avokatët martesor pohojnë se nuk ekziston diçka si përshtatshmëria e vërtetë. Martesa është një makinë mosmarrëveshjes. Të gjitha çiftet grinden pothuajse për të njëjtat gjëra. Ne kemi një nocioni romantik që nëse do të ishim me personin e duhur nuk do të grindeshim aspak. Në fakt mosmarrëveshjet mund të lindin rreth gjithçkaje, parave, fëmijëve, seksit, kohës së lirë dhe studimet kanë treguar se për fat të mirë çiftet e martuara nuk bien dakord për këto gjëra ashtu si shumë çifte të tjera që divorcohen. Të gjitha martesat janë të papërshtatshme- ato ndodhin mes njerëzve nga familje të ndryshme, me pikëpamje të ndryshme. Magjia është të zhvillojmë një vizion binokular, për ta parë jetën me sytë e partnerit, si dhe përmes syve tanë.

Të kuptuarit se nuk mund të marrim të gjitha që duam nga partneri është një hap i nevojshëm në ndërtimin e një marrëdhënie të pjekur. Të gjithë ne dëshirojmë – dhe mendojmë se e meritojmë – perfeksionin. Dhe vështirë se mund të fajësohemi për përpjekjet drejt lumturisë dhe vetë-përmbushjes në jetën tonë romantike. Ky respekt për nevojat tona duket sikur erdhi pak e nga pak “gjatë asaj kohe kur kultura u zhvendos në theksimin e kënaqësisë individuale, dhe martesa ishte pjesë e saj” shpjegon Paolo Manato, i cili ka ndjekur më shumë se 2.000 familje për 20 vjet në një studim afatgjatë rreth martesës dhe divorcit. Amato shpjegon se ky ndryshim solli diçka pozitive pasi i çliroi njerëzit nga martesat abuzive dhe të patolerueshme. Por nga ana tjetër kishte edhe efekte të paparamenduara; inkurajimin e njerëzve të braktisin marrëdhëniet që mund t’ia vlejnë t’i shpëtosh. Në një shoqëri që po shkon drejt arritjeve individuale dhe autonomisë, marrëdhëniet e vështira mund të duken si një pengesë që duhet patjetër ta mënjanosh. Në botën e sotme konkuruese, vlerësohemi pikërisht për këto arritje individuale se sa për ndihmën që mund t’i japim të tjerëve. Vlerësojmë pavarësinë mbi bashkëpunimin, dhe vlerat si besnikëria dhe vazhdimësia duken të kota.

Fokusi i palëkundur në potencialin tonë mund ta kthejë partnerin në një aksesor gjatë kërkimit të vetë-realizimit. Ne mendojmë se ky person duhet të reflektojë bukurinë dhe perfeksionin që është brenda nesh – ose më shpesh akoma, ky person duhet të kompensojë për atë që nuk është e bukur dhe nuk na pëlqen tek vetja. Kjo mund të jetë edhe arsyeja se përse disa burra i thonë gruas së tyre “Duhet të biesh në peshë, se më bën të dukem keq në sy të të tjerëve” dhe jo “sepse të bën keq për shëndetin”.

Nevoja për të gjetur shpirtin binjak nuk është ushqyer vetëm nga nocionet e fatit romantik. Trendet në fuqinë e punës dhe në media krijojnë një ndjesi të mundësive të pafundme romantike. Sipas demografëve afërsia me partnerët e mundshëm ka një efekt të fuqishëm në marrëdhënie. Studimet tregojnë se nivele të larta të divorcit gjenden mes njerëzve që jetojnë në komunitete apo punojnë në profesione ku ata hasin shumë partner potencial – njerëz me të cilët kanë të njëjtën moshë, racë, nivel edukimi, status, etj.

Por tundimet nuk vijnë vetëm nga njerëzit që na rrethojnë, por edhe nga rrethanat e krijuara. Sipas hulumtimeve nga Sara Gutierres dhe Dagllas Kenrick, të dyja nga Arizona State University, njerëzit e këndshëm mund të na duken më pak të tillë pasi kemi parë dike që është më seksi dhe tërheqës (njësoj si mandarina na duket më pak e ëmbël pasi kemi shijuar një çokollatë) – dhe çdo ditë bombardohemi nga imazhet e modeleve me trupa e tipare të mrekullueshme. E njëjta gjë ndodh edhe me tregimet që na rrethojnë. Çdo ditë, televizionet apo revistat na tregojnë për jetën e mrekullueshme që mund të kemi dhe për numrin e madh të mundësive. Dhe janë pikërisht këto mundësi të pafundme që na shpien në dëshpërim. Shumë zgjedhje i jepen konsumatorit, dhe alternativat për një partner nuk përbën një veçori. Në një kohë kur ndarja ishte një vendim i vështirë për t’u marrë çiftet i vlerësonin marrëdhëniet ose martesat si më të kënaqshme se sa çiftet e sotme, për të cilat divorci është një zgjedhje e qartë.
Ndërkohë që presim që martesa të na bëjë përgjithmonë të lumtur, e vërteta qëndron se për shumë njerëz as martesa e as divorci mund të kenë një ndikim kaq vendimtar tek lumturia.Edhe pse studimet tregojnë se njerëzit e martuar janë më të lumtur se sa homologët e tyre beqar, studime të tjera kanë zbuluar se pas disa vjetësh njerëzit janë po aq të lumtur (ose të palumtur) sa ishin përpara se të martoheshin. Dhe supozimi se martesa automatikisht do të sigurojë kënaqësi është një recetë e pagabueshme drejt vuajtjes. Martesa nuk është menduar t’i bëj njerëzit e lumtur. Ajo është menduar t’i bëj ata të martuar. Kur jeni të përfshirë në të, jeni të lirë të bëni gjëra të dobishme, të bëheni një person më i mirë. Një marrëdhënie e shëndetshme ju lejon të rrëzoni çdo pretekst, të jeni vetvetja, të tregoni dobësitë tuaja – dhe të dini se gjithsesi do të duheni e dëshiroheni. Një marrëdhënie e vërtetë është përplasja e humanizmit tuaj me atë të partnerit, në të gjitha gëzimet dhe kufizimet e saj.

Mënyra se si partnerët përballen me këtë përplasje është edhe ajo që përcakton cilësinë e marrëdhënies së tyre. Kjo pikëpamje e thjeshtë (me këmbë në tokë) e martesës nuk është romantike, por kjo nuk do të thotë që nuk është e thellë. Një marrëdhënie autentike me një person tjetër është një nga hapat e parë drejt lidhjes me shpirtin njerëzor – shumë e nevojshme nëse dëshironi të jeni një person i plotësuar. Nëse do të pranoni këto kushte të thjeshta, kërkimi për njeriun e zemrës mund të jetë më i thjeshtë se sa e mendonit./Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori