Jezusi, a është ai figurë historike apo thjesht një mit antik që pati fatin të mbijetonte deri në ditët tona? Nëse ka ekzistuar vërtet, çfarë mund të dimë me siguri për jetën e tij? A u martua ndonjëherë? A vdiq dhe u ringjall vërtet, siç festojnë miliarda të krishterë çdo Pashkë? Në këto dilema përgjigjet Craig Blomberg, një prej studiuesve më të njohur në botë të Jezusis historik. Ai është autor e redaktor i mbi 20 librave, si dhe profesor i Dhiatës së Re në Seminarin e Denverit në Kolorado të SHBA-ve.
Prof. Blomberg, a ka ekzistuar vërtet Jezusi? A ka ndonjë provë historike për këtë përtej Biblës?
Blomberg: Jezusi ka ekzistuar, kjo është më se e sigurt. Kemi regjistrime të pandërprera dokumentesh brenda dhe jashtë Dhiatës së Re që mund të na kthejnë pas deri pak vite pas vdekjes së tij. Fetë e reja nuk lindin prej komisionesh, as është tipike që të rriten në mënyrë graduale me kalimin e kohës. Nuk ndodh as që njerëzit të vendosin se do të shpikin tani një person e t’i atribuojnë atij një fe krejt të re, ta adhurojnë atë e ta ndryshojnë jetën e vet për mirë bazuar në një qenie njerëzore të trilluar. Pothuajse gjithmonë, në themel të feve qëndron një person real, karizmatik e ndikues, qoftë ky Moisiu për judaizmin, Muhamedi për islamin, Zeno dhe Epikuri për stoikët dhe epikurianët, Gautama për budistët, Jozef Smithi për mormonët, Lao-tzu për taoistët, e kështu me radhë.
Krishterimi lindi nga judaizmi, besim ky që po priste për Mesinë çlirimtar. Jezusi tha e bëri shumë gjëra që i shtynë ndjekësit e tij të besonin se ai ishte pikërisht një figurë e tillë, edhe pse ai vetë ishte shumë më i interesuar për çlirimin shpirtëror sesa atë politik. Kryqëzimi i Jezusit gjatë qeverisjes së Ponc Pilatit, prefektit romak të Judesë, në vitin 30 e.s. (ose më pak e mundshme në vitin 33 e.s.) është një prej fakteve themelore të botës mesdhetare antike, i dëshmuar mes të tjerësh edhe nga Taciti, historiani romak i fillim shekullit të II-të.
Gjithsej, rreth një duzinë burimesh jo të krishtera hebreje, greke e romake të shekujve të parë të krishterimit dëshmojnë për ekzistencën e Jezusit, përfshirë këtu Jozefin, si dhe një gjysmë duzine tradita të madhësive të ndryshme nga Talmudi, Talusi, Luçiani i Samosatës, Mara ben Serapioni, Plini, Taciti dhe Suetoni. Bashkimi në një mozaik i dëshmive të tyre na mëson se Jezusi ishte një hebre i fillim shekullit të parë që jetoi në Izrael e që jeta iu ndërthur me atë të një njeriu që quhej Gjon, i cili i pagëzonte njerëzit duke simbolizuar faljen e mëkateve të tyre; ky Jezus kishte një vëlla që quhej Jakob; lindi jashtë martese; në moshë të rritur mblodhi rreth vetes dishepuj, pesë prej të cilëve ua dimë emrat; mësoi në mënyrë të vazhdueshme në kundërshtim të interpretimeve konvencionale hebreje të Ligjit; kreu vepra të mëdha; besohej se ishte Mesia ose mbreti i premtuar i hebrenjve; u kryqëzua nën pushtetin e Pilatit; e, megjithatë, ndjekësit e tij e besonin të ringjallur nga vdekja. Shpejt ata nisën t’i këndonin himne e ta adhuronin si të ishte perëndi. Shkurt, nuk ka asnjë shpjegim bindës të origjinës dhe rritjes së krishterimit përtej Jezusit, dhe çdo brez i historisë njerëzore që atëherë e ka njohur këtë fakt. Pretendime për të kundërtën sot nga blogerë të famshëm nuk përbëjnë akademizëm serioz, as janë të bazuara në ndonjë provë të re të panjohur më parë. Njerëzit thjesht bëhen shumë krijues në mënyrat si i sajojnë gjërat!
Për sa i përket pretendimeve të krishtera për Jezusin (se është hyjnor, se fal mëkatet etj.), pse duhet t’u besojmë ungjijve kanonikë e jo ungjijve të tjerë që nuk janë pranuar kurrë si pjesë e Biblës?
Edhe pse ekzistojnë një seri dokumentesh të tjera që janë zbuluar ose janë ditur përgjatë shekujve e që janë quajtur ungjij, asnjëri prej tyre nuk përmban atë lloj informacioni që kemi te Mateu, Marku, Luka e Gjoni. Asnjëri nuk përpiqet të përshkruajë ndonjë periudhë domethënëse të jetës së Jezusit. Disa kanë përralla ekstravagante për mrekullitë që ai supozohet t’i ketë kryer kur ishte fëmijë, ose përmbajnë zbukurime të tregimit të pasionit apo ringjalljes. Shumica pretendojnë se janë dialogë ose monologë drejtuar dishepujve të caktuar pas ringjalljes, me Jezusin që diskuton në lidhje me natyrën e krijimit, fuqitë e padukshme të së mirës e së keqes, njohuri sekrete, veçanërisht në lidhje me si të ndezim shkëndijën e hyjnores strukur brenda çdo qenieje njerëzore, dhe mohim të ringjalljes trupore në favor vetëm të pavdekshmërisë së shpirtit. Etosi i shumicës së këtyre dokumenteve është shumë grek, me pak ose aspak përmbajtje hebreje, dhe tradhton origjinën e tyre nga filozofia greke e shekullit të II-të ose të III-të të amalgamuar me elemente të ndryshëm të krishterë, në një fe hibride të njohur si gnosticizëm.
Ekziston një dokument i vetëm që ka njëfarë ngjashmërie të drejtpërdrejtë me përmbajtjen e katër ungjijve të Dhjatës së Re, dhe ky është Ungjilli Koptik i Thomait. Por, ai nuk është shkruar aspak në të njëjtin zhanër si ungjijtë kanonikë. Ai është thjesht përmbledhje e 114 thëniesh të njëpasnjëshme atribuuar Jezusit. Pothuajse gjysma e tyre tradhtojnë origjinën e tyre gnostike, rreth një e treta tregojnë njëfarë përngjasimi me ndonjë gjë në Dhiatën e Re, edhe pse shpesh kanë devijime gnostike ose alla-gnostike, ndërsa pak të tjerat e mbetura i mundojnë studiuesit sepse mund të interpretohen në stil gnostik ose të krishterë ortodoks. Pak prej tyre mund të jenë thënie të panjohura të Jezusit historik, por edhe studiuesit më radikalë rrallë pranojnë më shumë se katër-pesë prej tyre si mundësisht autentike.
Në mënyrë ironike, romani i trilluar modern “Kodi i da Vinçit”, shkruar nga Den Braun (Dan Brown) më 2003 dhe përkthyer në më se dyzet gjuhë kryesore të botës, është ai që nxori pretendimin se janë shtatëdhjetë a më shumë ungjij të ndaluar, shumë prej të cilëve do të mund të ishin pranuar në kanunin e krishterë po të mos ishte për pushtetin politik që ka mashtruar më shumë njerëz vitet e fundit se kurdoherë. Disa njerëz kanë një mendësi të çuditshme që i bën t’i besojnë me shpejtësi çdo falsiteti a ekstravagance që shpiket për origjinat e krishtera, ndërkohë që refuzojnë t’i besojnë asaj që i ka qëndruar sprovës së kohërave për dymijë vjet. Kjo është mënyrë shumë e rrezikshme të jetuari e menduari, qoftë në lidhje me fenë, qoftë në lidhje me çfarëdo rruge tjetër të jetës!
Është edhe diçka tjetër ironike. Gnosticizmi besonte në hyjninë e Jezusit, vetëm natyrën e tij njerëzore nuk mund ta pranonte. Kështu, problemi me thuajse të gjithë të ashtuquajturit ungjij jashtë Dhiatës së Re nuk është se ato mohojnë natyrën hyjnore të Krishtit, por se e teprojnë në kurriz të qenies së tij njeri real, i gjallë e i fundmë, me gjithë emocionet dhe kufizimet e gjithë qenieve të tjera njerëzore (e megjithatë pa mëkat).
Cilat ishin ngjarjet kyçe në jetën e Jezus Krishtit?
Ngjarjet ose temat kyçe në jetën e Jezus Krishtit e që kanë sasinë më të madhe të provave historike në favor të tyre, janë: përputhja e shërbesës së tij me atë të Gjon Pagëzorit, përzgjedhja e dymbëdhjetë dishepujve të tij, shoqërimi i tij me të varfrit e të përbuzurit e kësaj bote, konfliktet e tij me autoritetet fetare në lidhje me interpretimin e Ligjit (sidomos Ligjet e Sabatit), mrekullitë e shërimit dhe dëbimi i demonëve, pranimi nga ana e tij e pohimit të Pjetrit se ai ishte Mesia, hyrja e tij në Jerusalem në atë që sot njihet si e Diela e Palmave, pastrimi i tempullit, Darka e tij e Fundit me dishepujt për Pashkë, gjyqi i tij para gjykatës së lartë hebreje, shfaqja e tij para Ponc Pilatit dhe kryqëzimi, si dhe zbulimi i varrit bosh nga gratë ndjekëse të tij.
Edhe sikur asnjë tjetër prej gjërave që mendohet të ketë thënë a bërë Jezusi të mos besohej si e vërtetë, këto dymbëdhjetë fakte themelore mjaftojnë për të vërtetuar natyrën e tij mesianike. Ato tregojnë edhe se ai ishte më shumë se thjesht një çlirues tokësor. Ai pretendonte se fliste e vepronte në emër të Perëndisë në mënyra që i bënë priftërinjtë dhe mësuesit hebrenj më me ndikim të kohës të bindeshin se Ai e kishte kaluar cakun. Ai kishte pretenduar në mënyrë të papërshtatshme për veten gjëra që asnjë njeri nuk kishte të drejtë të pretendonte, gjëra që i takonin vetëm Perëndisë. Ai ose ishte perëndi, ose kishte blasfemuar. Ndjekësit e tij ishin të bindur për hyjninë e tij, ndërsa kundërshtarët e tij ishin të bindur se ai kishte blasfemuar. Prandaj, e dënuan me ekzekutim si kriminel e si dikush i ndëshkuar nga Vetë Perëndia.
Çfarë mund të thoni për zërat se Jezusi kishte jetë romantike? A u martua ndonjëherë?
Nuk ka asnjë të dhënë historike askund që të tregojë që Jezusi të jetë martuar ndonjëherë. Vetë ky vëzhgim është goxha i habitshëm, sepse shumica dërrmuese e burrave hebrenj të kohës së Jezusit ishin të martuar dhe pothuajse të gjithë mësuesit ose rabinët hebrenj ishin të martuar. Po të mos kishte qenë beqar, është e vështirë të imagjinosh se si dikush do të mund ta kishte shpikur këtë pretendim.
Gjithsesi, shkruesve të legjendave dhe trillimeve nëpër shekujt e krishterimit e veçanërisht atyre të kohëve të fundit u ka pëlqyer shumë të spekulojnë se Jezusi mund të ketë qenë i martuar, me kandidate të tyre të preferuar për bashkëshorte të tij Maria Magdalenën. Por, në vetë Dhiatën e Re ka shumë pak shpjegim për këtë interes në Marinë. Ajo thuhet të ketë qenë dikush prej së cilës Jezusi dëboi shtatë demonë. Thuhet edhe se ajo ishte një prej grave të pranishme në varrin bosh, e shumë pak më tepër. Megjithatë, në shekullin e VI-të, Papa Gregori shpalli se ajo ishte edhe gruaja mëkatare pa emër, e cila e vajosi Jezusin me parfum te Luka 7:37-39. Ai pretendim i pakonfirmuar u hapi rrugën shumë shkrimtarëve trillues nëpër shekuj që të imagjinonin se ajo ra në dashuri me Jezusin dhe se patën së bashku ndonjë marrëdhënie seksuale, me ose pa martesë.
Disa “ungjij” të hershëm gnostikë i referohen asaj si ndjekësja që Jezusi e donte më shumë, e se atij i pëlqente ta puthte atë. Por, gnostikët ishin asketë, që do të thotë se zakonisht promovonin celibatin, dhe puthja ishte përshëndetje standarde mes miqsh në botën antike mesdhetare. Ndaj, edhe sikur këto pretendime të dilnin të vërteta, nuk do të sugjeronin kurrsesi diçka erotike.
Çfarë rrethanash çuan në kryqëzimin e Jezusit?
Që të katër ungjijtë në Dhiatën e Re, bashkë me disa jashtë saj, bien dakord se Jezusi hynte rregullisht në konflikt me autoritetet e tij fetare në lidhje me interpretimin e Ligjeve të Moisiut nga shkrimet hebreje (Dhiata e Vjetër për të krishterët). Mrekullitë e tij interpretoheshin si përmbushje e profecive të Dhiatës së Vjetër, sidomos atyre nga Isaia 35:5-6, që tregonin ardhjen e epokës mesianike. Por, nëse ajo epokë kishte ardhur, duhej të kishte ardhur edhe Mesia. Ky ishte një kërcënim i tërthortë ndaj gjithë udhëheqësve fetare e politikë të Izraelit të asaj kohe, shumë prej të cilëve nuk i përkisnin vijës së përcaktuar nga ligjet e Moisiut për kë duhej të kishte ato pozita. Ata ishin vetëemëruar në to ose ishin caktuar nga Roma.
Në fillim, turma të mëdha njerëzish të zakonshëm që nuk ishin të përfshirë në ndonjë studim të specializuar të Ligjit u dyndën që të shihnin e të dëgjonin Jezusin, të mahnitur nga mrekullitë e tij e të impresionuar nga mësimet e tij. Por, me kalimin e kohës, u bë gjithnjë e më e qartë se ai nuk kishte interes të udhëhiqte një rebelim kundër Romës e të përpiqej të rrëzonte autoritetet politike që kishin pushtuar Izraelin. Kjo ishte shpresa kryesore e shumë njerëzve për Mesian, për pasojë popullariteti i Jezusit u pakësua. Edhe pse ishte paditur nga autoritetet hebreje për akuza të fryra, ai iu kalua udhëheqësve romakë në Izrael si kërcënim ndaj sundimit perandorak romak (e vetmja lloj “tradhtie” që do t’u interesonte atyre). Pilati nuk qe në gjendje të gjente prova të mjaftueshme për ta dënuar Jezusin, por, duke qenë se i duhej të ruante ekuilibrin e brishtë mes kënaqjes së autoriteteve hebreje që të mos rebeloheshin dhe kënaqjes së perandorit në Romë me anë të ruajtjes së paqes, ai e dorëzoi Jezusin për kryqëzim.
Ndoshta, për dikë që jeton në shekullin e XXI-të, nuk do të ishte e vështirë të pranonte lirshëm se Jezusi jetoi e vdiq, por nuk është po aq e lehtë të pranojë pretendimet biblike se ai u ringjall prej së vdekurish pas tri ditësh? Cilat janë provat për Jezusin e ringjallur?
Ka shumë pjesë që tregojnë për ringjalljen në ungjij e që i bëjnë ata të besueshëm historikisht. Nëse varri nuk ishte bosh, autoritetet hebreje do të ishin kthyer te Jozefi nga Arimatea, anëtari i Sinedrit i cili kishte ofruar për varrosjen e Jezusit një mauzole të papërdorur, një varr në pronësi të tij e i gdhendur si zgavër në një shkëmb. Ai do të duhej t’u tregonte varrin autoriteteve e ata do të kishin gjetur kufomën e Jezusit. Po ta kishin vjedhur dishepujt trupin, që ishte edhe shpjegimi më i hershëm i historive të ringjalljes dhënë prej atyre që nuk besonin në to, atëherë dhjetë prej njëmbëdhjetë apostujve të mbetur (pas vetëvrasjes së Judës) vdiqën brenda çdo gjase si martirë pas shërbesash të gjata e të mundimshme duke shpallur lajmin e mirë të Jezusit nëpër perandorinë romake, duke e ditur se gjithçka ishte mashtrim. Vërtet shumë njerëz në historinë botërore janë martirizuar për çështje fetare në të cilat besonin, por nuk ka asnjë histori paralele me martirizim njerëzish në këtë shkallë teksa e dinin që po jetonin një gënjeshtër.
Pastaj është edhe fakti se që të katër ungjijtë i vendosin gratë si dëshmitaret dhe vërtetueset e para të varrit bosh, pavarësisht se ndryshimet e konsiderueshme mes tyre në çfarë regjistrojnë për ringjalljen sugjerojnë se ata nuk po bazoheshin të gjithë te një burim i vetëm i përbashkët. Por, dëshmia e grave, me vetëm pak përjashtime, nuk merrej parasysh në gjykatat e shekullit të I-rë, që do të thotë se, nëse historia nuk ishte e vërtetë, kjo shpikje do të konsiderohej si një lloj i çuditshëm trillimi nga njerëzit e botës së Jezusit. Për më tepër, në më pak se një brez, ndjekësit e Jezusit, përfshirë ata me prejardhje hebreje, nisën të mblidheshin në adhurim të tij të dielave, në vend që t’i bindeshin njërit prej urdhërimeve hebreje më të shenjta: e shtuna, Sabati ose dita e shtatë e javës ishte dita e tyre e shenjtë e pushimit nga puna e zakonshme. Diçka që ndodhi vërtet në histori, jo thjesht në vizione a halucinacione, diçka që mund të datonte në mëngjesin e një të diele e që ishte parë si më e rëndësishme edhe se vetë Dhjetë Urdhërimet, diçka e tillë duhej të kishte ndodhur që të shkaktohej një ndryshim i kësisoj.
Këtu mund të shtojmë edhe faktin se hebrenjtë kishin vendosur tashmë se kryqëzimi me varje në copa druri ishte aq i ngjashëm në dukje me vdekjen me varje në degë peme, sa fjalët e Ligjit të Përtërirë 21:23 zbatoheshin edhe për viktimat e kryqëzimit: edhe ata ishin të mallkuar nga Perëndia. Ky vëzhgim duhej të kishte fshirë tërësisht çdo shpresë që kishin ndjekësit e tij se Jezusi ishte Mesia, por në fakt nuk ndodhi kështu. E vetmja gjë e mjaftueshme për të tejkaluar këtë pengesë duket një ringjallje në jetënjerëzore të re e të vërtetë. Më pas, apostulli Pal shpjegoi se Jezusi u mallkua nga Perëndia, jo për mëkate të vetat, por për mëkatet e gjithë botës (Galatasve 3:13).
Së fundmi, është e rëndësishme të theksojmë se tregimet e ringjalljes nuk janë produkt i disa serive mitesh a legjendash që evoluuan ngadalë. Te 1 Korintasve 15:3-8, Pali vëren se një prej gjërave të para që u mësoi korintasve herën e parë që shkoi në atë qytet e që ishte me domethënie themelore për lëvizjen e krishterë rishtare ishte tregimi i ringjalljes trupore të Jezusit. Ai thotë edhe se po përcillte atë që edhe ai vetë kishte marrë, dy folje këto që në greqisht e hebraisht i referoheshin transmetimit të saktë të traditës së folur. Në fakt, Pali mund të jetë duke pretenduar se këtë ia kishin mësuar njerëzit të cilëve iu shfaq Jezusi “në fillim”, e që ndanë me të kur ai u bë një ndjekës i Jezusit. Por, kjo ndodhi dy a tre vjet pas kryqëzimit të Jezusit, ndaj raportimet ishin tashmë në qarkullim në atë kohë.
Ndonjëherë argumentohet se është a habitshme si nuk ka më shumë dëshmi jo të krishtera për ringjalljen e Jezusit. Por, nëse ndalojmë të mendojmë për një çast, ose nëse lexojmë gjithfarë shkrimesh të krishtera të shekullit të dytë e që kanë mbijetuar nga lëvizja bazë rreth Jezusit, kuptojmë se pothuajse kushdo që besoi se Jezusi vërtet ishte ringjallur prej së vdekurish u bë besimtar i krishterë! Ata që nuk besuan duhet të kenë pasur arsyer e tyre për të mos treguar për gjërat më spektakolare që bëri Jezusi, ndryshe do të përforconin pretendimet e krishtera e do t’i nxirrnin hebrenjtë, grekët dhe romakët mosbesues si të pamendët e vërtetë.
Jezusi mbetet unik mes feve të botës si i vetmi që sikur edhe te jetë pretenduar i ringjallur prej së vdekurish në trup e të jetë parë prej ndjekësve të tij gjatë jetës së tyre tokësore. Tregime ringjalljesh të tjera janë mite të zhvilluara shekuj pas vdekjes së personave të përfshirë në ato histori, ose janë histori perëndish që nuk ishin kurrë qenie njerëzore me biografi të gjurmueshme tokësore e me ndjekës që kaluan vite me ta e duke mësuar prej tyre. /Intervistoi: Kaon Serjani/Përktheu: Brunilda Rustani/Tema/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëThënie të gjeniut që jetonte me 40 mijë libra në shtëpi: Mit’hat Frashëri dhe paradokset shqiptare
Kush e vrau Ismail Qemalin?
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
MOS U DORËZO KURRË
MBRETI
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë