LAJMI I FUNDIT:

Në Ditën Ndërkombëtare të Postës shpërblehen tre punëtorë

Në Ditën Ndërkombëtare të Postës shpërblehen tre punëtorë

Ndërmarrja Publike Posta Kosovës ka shënuar të hënën Ditën Ndërkombëtare të Postës, përmes aktiviteteve të ndryshme.

Dita Ndërkombëtare e Postës shënohet për çdo vit, më 9 tetor, në të gjitha shtetet e botës. Në këtë datë, në vitin 1874 është themeluar Unioni Postar Universal (UPU), agjenci e Kombeve të Bashkuara, që përbëhet nga 192 shtete anëtare.

Në këtë përvjetor, kryeshefi ekzekutiv Sejdi Hoxha ka ndarë mirënjohje për tre punëtorë të dalluar në punë: Leonora Hasanin, kontrollore në zyrën postare nr. 23 në regjionin e Prishtinës, Gëzim Bajraktarin, përgjegjës i zyrës postare nr.8 në Pejë dhe Hetem Mehmetin, kontrollor i zyrës postare në Ferizaj.


Kryeshefi i Postës ka falënderuar ata për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në shërbim të qytetarëve.

“Ka mjaft punëtorë të Postës që meritojnë të shpërblehen për kontributin e tyre por kësaj here ju jeni zgjedhur për shkak të performancës së lartë për ç’gjë edhe ju falënderoj”, ka thënë Hoxha.

Posta e Kosovës ende nuk është anëtare e UPU-së, për shkaqe politike, sepse ndër kriteret për anëtarësim është që Kosova të jetë anëtare e OKB-së. Ndryshe, Posta e Kosovës është e gatshme në çdo aspekt të anëtarësohet në këtë organizatë.
Posta e Kosovës kërkon që të bëhet anëtare me të drejta të plota në UPU. /Telegrafi/