LAJMI I FUNDIT:

Nasho Jorgaqi dhe tradita e hajkut në letërsinë shqipe

Nasho Jorgaqi dhe tradita e hajkut në letërsinë shqipe

Nga: Ilir Yzeiri

Në fund të vitit që shkoi, Nasho Jorgaqi botoi një vëllim të ngjeshur me poezi të llojit “hajku” me titullin “Nëpër udhën e dashurisë”, botuar me mbështetjen e “Universiteti Mesdhetar” dhe “Lindita AE”.

Hajku është një lloj i krijimtarisë artistike me origjinë japoneze. Me një kërkim të shpejtë në google, mëson se ky lloj i krijimtarisë është një formë japoneze e poezisë që të lejon të shënosh emocionet që burojnë nga koha që ikën nga kujtimet që na zbukurojnë dhe na kanë lënë mbresa në kuadrin e kohës së mbyllur në katër stinë. Nga pikëpamja e strukturës është tepër koncize: shtatëmbëdhjetë rrokje në tri vargje


Është një nga formatm ë të gjalla, më aktive dhe më të përhapura në botë. Zhvillohen edhe konkurse mbi këtë formë poetike në nivel botëror që financohen nga kompanitë japoneze. Në to marrin pjesë mbi 30 mijë pjesëmarrës dhe e kthejnë këtë në një festë të vërtetë poetike.

Në disa raste krijohet nëpër takime të përbashkëta personash që shkojnë nga 3-100 veta.

Të ngjan si një traditë që ka lidhje me atë të bejteve në vendin tonë, e përhapur sidomos në qytetin e Shkodrës.

Në vendin tonë, hajku si klub, si grup u krijua në qytetin e Elbasanit në fillim nga poeti Milianov Kallupi. Mirëpo, me vdekjen e tij duket se anëtarët e këtij klubi nuk po gjejnë personin e duhur që ta shtyjë përpara këtë traditë të përhapur pothuajse në të gjithë botën.

Siç e përmenda dhe më lart, Nasho Jorgaqi ka qenë një nga lëvruesit më të mirë dhe më të zellshëm të kësaj tradite. Ndoshta pse kjo lloj poezie që ka formën e thjeshtë të trevargëshit dhe që ngjet pak a shumë me sentencat apo me prozën poetike në të cilat emocioni shprehet në formën e një përkufizimi poetik, ka bërë që Jorgaqi të ndjehet i lirshëm dhe gati si në një traditë krijuar enkas për të, me qenë se sidomos këto vitet e fundit ai është bërë më refleksiv dhe megjithëse koha rrjedh ai përpiqet të ndalojë atë ashtu si një udhëtar që ndalon në rrugë një makinë dhe ngarkon mbi të një barrë me emocione dhe kujtime që lidhen me dashurinë, sepse hajku është më i plotë dhe më i bukur kur ka në qendër dashurinë.

Hajkut e Nasho Jorgaqit nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë. Mjaft studiues dhe miq të tij e kanë vlerësuar atë dhe ndër ta Dritëro Agolli thotë se “hajku i përdorur mjeshtërisht nga Nasho Jorgaqi shpreh bukurinë përmes jetës së njeriut dhe jetës së natyrës”. Klara Kodra vlerëson përqendrimin e mendimit dhe vetëpërmbajtjen që është karakteristike për poezinë moderne, ato kanë gjetje befasuese që tërheqin lexuesin.

Një vëllim me hajku i tij është përkthyer dhe në greqisht dhe në lidhje më të, gazetari dhe publicisti Ilir Mborja që e njeh mirë atë gjuhë shkruan se hajkut e Nasho Jorgaqit kanë shpesh dhimbje të ëmbël që çuditërisht kanë ardhur dhe ngjitur bukur edhe në përkthimin greqisht.

Ja disa shembuj të poezive hajku :

Lotët që ti derdhe në ëndrra
I pashë në mëngjes mbi lulet
Veç ti nuk ishe aty.

Apo

Kthimi në dashurinë e parë
Kur ke hyrë në moshën e tretë
I takon iluzioneve të humbura

Do të ishte një gjë e bukur që unë të vazhdoja e të rendisja këtu hajku nga libri i Nasho Jorgaqit, “Hajku nëpër udhën e dashurisë”, por nuk është vendi në këtë shënim të shkurtër. Ajo që dua të shënoj tani në fund është diçka tjetër që lidhet me personalitetin e profesorit tim, Nasho Jorgaqi. Dhe, kjo ka të bëjë me mënyrën se si e përcjell jetën tanin ë këtë kohë të mbushur me një ligjërim agresiv shkrimtari dhe studiuesi Jorgaqi. Kam lexuar prozat e tij poetike dhe kam bërë edhe një shënim për to, tani lexova këtë vëllim me “Hajku” dhe përsëri kam të njëjtën ndjenjë e të njëjtën përshtypje. Është shumë dinjitoze dhe një shenjë e personalitetit të formuar nga kultura dhe nga dija që të dish ta tregosh jetën tënde përmes artit e sidomos përmes poezisë, të bashkohesh kështu me zërin që vjen nga kohë të largëta e që na tregon se ne vërtet jemi kalimtarë në këtë botë, por jetën që na është dhënë e kemi jetuar ashtu siç ajo e meriton. Ne nuk flasim dhe nuk tregojmë fatalitetin, por duam t’ju rrëfejmë të gjithëve se çdo grimëz jete ia vlen të jetohet kur kuptim i saj është dashuria, kur ideal i saj është bukuria dhe kur qëllim i i saj është përunjësia. Me këto tri cilësi e shoqëron edhe Nasho Jorgaqi këtë libër të tij dhe në përgjithësi të gjitha veprat që ka botuar këto kohët e fundit.

Në trend Kultura

Më shumë
Roli i Ismail Qemalit në pavarësimin e Shqipërisë

Roli i Ismail Qemalit në pavarësimin e Shqipërisë

Kulture
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
MBI KRIMIN E CHESSMANIT

MBI KRIMIN E CHESSMANIT

Poezi
Paraja si simbol i vetëm i statusit social

Paraja si simbol i vetëm i statusit social

Kulture
Përplasjet e Ismail Qemalit me Sulltanin

Përplasjet e Ismail Qemalit me Sulltanin

Kulture
Kalo në kategori