LAJMI I FUNDIT:

Nami i ushtarit, sa jetëshkurtër!

Ideja për këtë shkrim më lindi teksa po lexoja një artikull të shkruar prej arkitektit të platformës së Shqipërisë Natyrale, z. Koço Danaj, me titull, “Lufta e tretë ballkanike”. Përmes asaj përsiatje autori i bie kambanave për një luftë të mundshme, sepse pala tjetër paska ngritur barrikada. Qartë, barrikadat nuk ngrihen për pikë të qejfit. Kjo ngritje është pararendëse e ndonjë të keqe, apo siç thotë z. Danaj, atje ku ngrihen barrikada, do të thotë se po bëhen gati për luftë. Është e vërtet kjo që pohon z. Danaj, sepse pala serbo-ruse me këto veprime po kërkon luftë. Në mos luftë, dëshiron që shqiptarëve të shastisur pas çështjeve tjera t’i ndjell frikë dhe tmerr. Fundja është duke e provuar fatin e saj të humbur. Ata e kanë humbjen e sigurt, përpjekja vetëm mund t’ia shndërroj humbjen e sigurt në fitore të rastësishme, si dhe neve të kundërtën. Mbetet të shihet, edhe pse përmes dioptrisë së sotme është vështirë të shihet përvijimi i tërësishëm i hartës së Kosovës me vija të plota!

Spikama kryesore në këtë shkrim, për mua ishte çështja e barrikadave, madje edhe konstatimi i autorit për një luftë të mundshme. Përmes kësaj fjale dhe këtij veprimi, unë fillimisht u këndella në çështjen e barrikadave që vëllezërit tanë i venduan nëpër mendësitë e tyre, mbase kjo njëherësh mund të jetë edhe pjella kryesore e këtyre barrikadave që sot po i shohim. Ndërsa gjëja e parë që vetvetiu më shkoi ndërmend gjatë leximit, ishte fenomeni i ushtarit të tri luftërave çlirimtare. Edhe pse ky ishte një aludim që nuk përputhej gjithaq me artikullin, përkundër kësaj shkarje, prapë e falënderova ndërdijen time, që thumboi aty ku duhet. Me vete mendova, sikur edhe ndërdija e tjerëve kështu të funksiononte gjersa lexojnë shkrime të kësaj natyre. Madje jo vetëm gjatë leximit, por edhe gjatë ecjes së lirë, sepse pa gjakun dhe djersën e ushtarëve, lirinë ndoshta as në ëndërr nuk do ta shihnim, mbase edhe atëherë kur do ta shihnim, do të kishim frikë robërie të rrëfenim për ëmbëlsinë e asaj ëndrre. Prangat e trishtueshme të asaj robëria, trimërisht ushtarët së bashku edhe me udhëheqësit e tyre na i hoqën qafe. Gjatë asaj ecejake të domosdoshme dhe të lavdishme, ushtarët i merrnin dhe i zbatonin me dinjitet urdhrat që vinin nga lartë. Kishte respekt të ndërsjellët. Edhe pse brenda këtij respekti ushtarët nuk arritën të kuptonin se të mëdhenjtë po bëjnë luftë prej kolltukut të ngrohtë, për të ardhur kështu me djersën dhe gjakun e të tjerëve në kolltukun zyrtar, poashtu të ngrohtë.

Lufta në Kosovë, në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni mbaroi. E kemi fjalën në kuptimin e formacionit dhe aktiviteteve të drejtpërdrejta ushtarake. Me gjithë devijimet e thelbit të betimit dhe pakënaqësive të shumta, sikur kjo kënaqësi e cunguar u arsyetua me faktin se përvijimi i tërësishëm i qëllimit nuk varet prej neve, por prej atyre që kishin skicuar një luftë të tillë. Lufta mbaroi, por filloi lufta për pushtet dhe pasuri! Në këtë betejë të poshtër, ushtarët u mënjanuan, mbase u bë mirë që u mënjanuan, sepse nuk mund të futen të gjithë në thesin e bërllokut. Ngarendja e komandantëve me thesin e bërllokut në shpinë për një pasuri të pistë, njëherësh ishte edhe shkaku i parë i ndarjes së shapit prej sheqerit. Disa prijës ishin mburravecë që vetëm jepnin urdhra prej kolltukut. Duket se kishin filluar ta nuhasin erën e privilegjeve, mbase jo vetëm të privilegjeve, por edhe të fshehjes së gjurmëve të padëshiruara. Kronikat për vrasjet enigmatike ishin bërë normale, sikurse edhe vetë ekzistenca jonë që gjarpëronte për mbijetesë, shpallja e tradhtarëve – spiunëve dhe patriotëve i ngjante fabrikës që prodhonte pa asnjë standard, madje prodhimtari me rrezikshmëri të lartë për konsumatorët.


Kaloi një kohë, ku vrasjet për “qërim hesapesh” u rralluan, bisedat për luftë u shuan nën brengën e një të ardhme më të mirë, madje ky lloj i bisedës filloi të futet në thjerrëzat e primitivizmit, ngaqë tashmë epoka e luftërave ia paska lëshuar rrugën epokës së integrimeve. Kjo ishte dhe është dëshirë e gjithsecilit! Luftën askush nuk e dëshiron, madje edhe atëherë kur shpata të vringëllon përskaj qafës. Nuk duam luftë, por ja që ajo futet brenda neve pa trokitur fare. Po edhe sikur të kishte trokitur, prapë asgjë nuk do të mund të bënim. Ajo do të na përqafojë. E jona mbetej të luftojmë brenda atij përqafimi të akullt.

Pasi u këndellëm prej ndjenjave të forta të atdhedashurisë, pamë se përqafimi pa ftesë nuk paska qenë gjithaq i rrezikshëm, fundja përmes kësaj pleksje të padëshirueshme, arritëm t’i shporrim disa të padëshiruara. Kostoja kishte qenë e lartë pas lirimit të atij përqafimi. Udhëheqësit e dikurshëm të luftës, filluan vetëm në vetën e parë të flasin rreth meritave të zhvillimit të atyre betejave burrërore. Ushtarët që ndershëm dhe me gjithë mundin e tyre fizik dhe shpirtëror kishin luftuar, këta i dëgjonin me dëshpërim, ngaqë asnjërit prej ushtarëve nuk i kujtoheshin ato beteja që i rrëfenin udhëheqësit e tyre të dikurshëm. Aktiviteti i tyre si personazhe që kishin bërë luftë, mungonte në fletoren që rrëfente vetëm drejtë.

Ata kulmuan në sukseset e tyre të pamerituara. Krijuan pasuri dhe shoqëri të re, shoqëri që nuk i përkrahën në kohën e zjarrit. Fundja tani i duheshin! Ata që fjalën e tyre e kishin materializuar nëpër frontet e luftës u lanë në harresë. Edhe më keq, krijuan përshtypje dhe perceptim në popull, gjoja se vetëm komandantët paskan luftuar. Ushtarët u radhitën në karvanin e atyre që kërkonin vetëm për një çast të ishin në qendër të vëmendjes, pra, aq sa ta fitonin një vend pune të thjeshtë. Nëpër tubime, konferenca dhe takime të ndryshme, ushtarët e dikurshëm luanin rolin e auditorit të heshtur dhe të atyre që duhej sa më fortë të rrapëllojnë me duartrokitje ndaj ciceronëve. Duket se edhe ata ishin katandisur fare! Të krijohej përshtypja e fenomenit të shpëlarjes së trurit. Kishin frikë të shkoqitnin përpara të tjerëve ndonjë betejë. Ishte modë e kaluar të flisnin ushtarët për beteja. Ushtarët e dikurshëm u përfaqësoheshin nga udhëheqësit e tyre të tanishëm dhe të dikurshëm, duke mos i përmendur fare ata.

Sot është vështirë ta takosh ndonjë udhëheqës të dikurshëm të luftës, apo ndonjë të dërguar prej këtyre udhëheqësve. Hallin që ke, vetëm mund ta mbash dhe po deshe fërgohu bashkë me të, assesi mos guxo ta çrregullosh rendin protokollar, edhe pse kurrë nuk mund të bëheni pjesë e atij protokolli, ku do të vinit në shprehje ndonjëherë. Qenkan shumë të zëntë, s’kanë kohë me neve të takohen. Duket se neve Zoti na kishte dhënë kohë me bollëk në kohët e vështira, atëherë pra, kur atdheu thërriste për ndihmë, që përkonte jo vetëm me mbrojtjen e atdheut, por edhe me mbrojtjen e këtyre të sotmëve. Ushtarët ata i mbrojtën në luftë, ndërsa këta nuk çajnë kokën për ndonjë takim në paqe. Ky është tmerr, tradhti, rrugaçëri, mimikri, poshtërsi dhe vrasje për së gjalli!

Pas këtij shpërthimi të mllefit, vallë dikush beson se ndonjëri do ta kapte i entuziazmuar pushkën për të luftuar për atdhe. Lufta e tretë ballkanike ndoshta mund të bëhet prej atyre që janë të paguar për këtë çështje! Assesi prej vullnetarëve. Ngase sot vullnetarët e dikurshëm i ke fare pa vullnet. Shkaktarët e kësaj degdisje të vullnetit, janë udhëheqësit e tyre që menjëherë pas luftës i larguan ushtarët prej syrit dhe dëshirës për takim, gjegjësisht, ata që për një dekadë vazhdojnë të vendojnë barrikada të forta për ushtarët e dikurshëm, pa të cilët kjo liri që jemi duke e gëzuar, edhe emërtimi do t’i kishte humbur. Këta shtegtar me barrikada në kokë, kuptohet së bashku me gllabëruesin shekullor të tokave shqiptare, sollën dhe kultivuan krizën e sotme, ngaqë kjo krizë që po mbizotëron në të gjitha trojet shqiptare, njëherësh është edhe pasojë e atyre që u pasuruan dhe u bënë të mëdhenj nëpërmjet krizës dhe kaosit, ndërsa sot po kjo krizë ka gjasa t’i plandos atje ku ishin para një dekade.