LAJMI I FUNDIT:

Murdoch paraqiti gazetën e parë vetëm për iPad

Murdoch paraqiti gazetën e parë vetëm për iPad

Pronari i korporatës News Corp. Rupert Murdoch ka paraqitur gazetën e parë ditore të përgatitur veçanërisht për iPad. Gazetën eksperimentale e ka emëruar thjesht The Daily, e ajo qysh prej të mërkurës ofrohen në dyqanin online të aplikacioneve App Store.

Parapagimi javor në The Daily është 99 centë, respektivisht 39.99 dollarë në vit, e përdoruesit për këto para do të fitojnë gazetë interaktive me video pamje, opinione, thashetheme dhe rubrika nga sporti e kultura.

The Daily, gazetën e parë të përgatitur veçanërisht për iPad, Murdoch e ka paraqitur në muzeun Guggenheim në New York.

“Kohërat e reja kërkojnë gazetari dhe shërbime të reja të krijuara dhe të përshtatura për pajisjet e reja. Sfida jonë është që të marrim më të mirën nga gazetaria tradicionale dhe ta lidhim atë me teknologjinë bashkëkohore”, ka thënë Murdoch në prezantimin e tij.


Ai ka shtuar se është në rritje numri i qytetarëve të arsimuar mirë dhe të sofistikuar të cilët nuk lexojnë gazetat e shtypura dhe presin përmbajtje të përshtatura për interesat e tyre.

“Qëllimi ynë është të informojmë njerëzit, t’i shtyjmë të mendojnë, të qeshin dhe të marrin pjesë në sfidat e ditëve të sotme”, ka thënë manjati i medieve.

Murdoch në projektin e tij të ri ka përfshirë 100 gazetarë në mesin e të cilëve janë edhe disa nga veteranët e gazetarisë amerikane.

Projekti The Daily ka kushtuar 30 milionë dollarë, e shpenzimet javore kushtojnë gjysmë milionë dollarë. Sipas pritjeve, të hyrat më të mëdha do të janë në fazën e parapagimeve, e më vonë pritet të rriten të hyrat nga reklamat në lartësi prej 50 për qind.

Nën pronësi të Murdoch janë The Wall Street Journal, The Times e The Sunday Times, të cilat kanë parapagim për versionet e tyre online. The Daily u bashkohet gazetave tjera të cilat kanë aplikacione për iPad, përfshirë Esquire, The New Yorker, Vanity Fair, Glamour, GQ e Wired. /Telegrafi/