LAJMI I FUNDIT:

Munishi: E përfundojmë sezonin vjeshtor të parët

Munishi: E përfundojmë sezonin vjeshtor të parët

Llamkos Kosova do ta mbyll stinorin vjeshtor gjashtë pikë më shumë se skuadrat tjera në garën për kreun e tabelës. Kështu mendon trajneri i vushtrriasve, Ismet Munishi.

Llamkos Kosova dje në shtëpi të vet mundi njërin ndër rivalët për titull të kampionit, Hysin me rezultat 2-1, në kuadër të xhiros së nëntë të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll. LLamkos Kosova pas kësaj fitore rimerr kreun e tabelës me 18 pikë të tubuara, një më shumë së Hysi.

“Timonieri” i vushtrriasve, të hënë në një bisede për Kosovapress, është shprehur i kënaqur me fitoren dhe lojën e të përzgjedhurve të tij në duel me Hysin. Munishi mendon se ekipi i tij ka treguar karakter të fortë në duel me skuadrën nga Merdara.

“Jam shumë i kënaqur me lojën që treguan të lojtarët e mi. Ne e nisem mirë ndeshjen ndaj Hysit, kaluam në epërsi, derisa nga një pakujdesi ne pësuam gol, por ajo që është e rëndësishme është fakti se skuadra shumë shpejt gjeti forcën dhe përmbysi rezultatin duke treguar karakter të fortë”, ka thënë Munishi.


“Ne zhvilluam lojë të mirë, nuk e konkretizuam edhe një penallti, por jam i kënaqur me lojën e skuadrës, sepse u ndeshem me një skuadër të fortë siç është Hysi, skuadër kjo që ka individ të shquar dhe nuk është rastësisht në pjesën e epërme të tabelës të tabelës”, tha ai.

Tekniku prishtinas është i bindur se Llamkos Kosova nuk do lëkundet nga kreu i tabelës. Ai thotë se në dispozicion ka skuadër mjaft të mirë, por sipas tij, edhe orari i ndeshjeve vijuese është në favor të vushtrriasve.

“Mendoj se ne deri në fund të sezonit do të jemi në krye të tabelës, sepse kemi orar të mirë dhe kemi një skuadër që po luan futboll të bukur. Mendoj se ne sezonin vjeshtor do ta mbyllim me gjashtë pikë më shumë se skuadra përcjellëse. Ndërsa mbetet të shihet në stinorin pranveror se si do të shkojnë gjerat, sepse do ta varët se sa do të përforcohen skuadrat tjera, por aktualisht mendoj se ne mund të qëndrojmë në krye ta tabelës deri në fund të kampionatit”, ka theksuar Munishi.

Lideri i tabelës në elitën e futbollit tonë, sfidën e radhës do ta luajë kundër Dritës. Munishi pohon se skuadra e tij në çdo ndeshje shkon për fitore.

“Përballjën e radhës e luajmë kundër Dritës, skuadër kjo që ka lojtar të mirë, por ne edhe në këtë ndeshje sikurse në të gjitha takimet hyjmë për fitore dhe besojmë se do të arrijmë fitoren e radhës”, ka përfunduar Munishi.

Ai beson se skuadra e tij do të vazhdojë të gëzojë formën e mirë që po kalon edhe në duelet e ardhshme. /Kosovapress/Telegrafi/