LAJMI I FUNDIT:

Munishi: A ju kam thënë se jam kampion?

Munishi: A ju kam thënë se jam kampion?

Trajneri i Llamkos Kosovës i qetë e pret ndeshjen e fundit të Raiffeisen Superligës në vjeshtë kundër rivalit, Ferizaj.

Ismet Munishi, i njohur me karizmin e tij, sidomos tani kur skuadra ka kapur suksesin historik të shpallet kampion vjeshtor, na kujton se kishte premtuar se do të bëhet kampion dhe tani është bërë.

“A ju kam thënë se do të bëhem kampion vjeshtor?”, na pyet ai neve në stilin e tij të bisedimit të veçant me zhargonin e futbollit.

Megjithatë ai ndeshjen e fundit kampionale me Ferizajn në Vushtrri e merr seriozisht dhe tregon vlerën që ka ajo.


“Nëse e mundim Ferizajn, atëherë kam një porosi për skuadrat tjera që në pranverë lirisht mund vetëm të luajnë për prestigj e jo për titull kampioni. Por, nëse rastësisht na mund Ferizaj atëherë kampionati bëhet edhe më interesant për të gjithë”, tha Munishi për sporti1.com.

Por, sa është e gatshme skuadra e tij për këtë lojë. “Më e gatshme se kurrë, do të ketë surpriza, të cilat po i zbulua nuk do të jenë të tilla. Vetëm mund të them se jemi të kompletuar me lojtar. Ferizaj ka treguar lojëra të mira, por fitorja na takon neve”, tha ai buzagaz.

Si asnjëherë deri më tani edhe në bashkëbisedimin tonë tekniku i ri prishtinas, nuk harron të theksojë faktorin tifoz te skuadra vushtrriase. “Tifozët janë pjesë e sukseseve tona, janë një ndihmë e madhe për ne dhe unë e çmoj lartë këtë, ata janë numër një për ne”.

Trajneri i ri, por me eksperiencë nga pesë kampionte të huaja të futbollit dhe tituj kampioni, e lë modestinë anash sa herë flitet për ekipin e tij. “Ne do të fitojmë me rezultat të thellë. Mesazhi im për ata që janë rreth futbollit është: merrni mësim të dielën nga loja e jonë”, tha Munishi. /Sporti1/Telegrafi/