LAJMI I FUNDIT:

Mishetiq kundërshton pyetjet e ZPS-së: Të sqarojë nëse po i bën për rikujtim apo për ta vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarit

Mishetiq kundërshton pyetjet e ZPS-së: Të sqarojë nëse po i bën për rikujtim apo për ta vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarit

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq kundërshtoi pyetjet e prokurorit James Pace lidhur me një takim që dëshmitari Naim Maloku ka pasur me Hashim Thaçin në Kleçkë në gusht të 1998-ës.

Si rrjedhojë, Mishetiq kërkoi sqarim nëse këto pyetje po bëhen për t’i rifreskuar kujtesën dëshmitarit apo për ta vënë në dyshim besueshmërinë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, duke folur për takimin e dëshmitarit me Hashim Thaçin në Kleçkë, Maloku tha se intervistën e tij për Kombin, tani i akuzuari e kishte lavdëruar por që kishte thënë se me disa pika nuk pajtohet.


Prokurori pyeti dëshmitarin tërthorazi se a kishte ndonjë gjë me vete dëshmitari dhe pastaj i bëri pyetje sugjestive se a ka mundësi që Thaçi të ketë pasur këtë intervistë në duar.

Kjo u kundërshtua nga mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq gjë e cila u pranua nga trupi gjykues.

Megjithatë, sërish prokurori bëri pyetje për të marr përgjigjen e tij lidhur me këtë temë, duke i prezantuar një shënim gjatë seancës përgatitore, gjë që çoi në kërkesën e Mishetiq që të bëjë një parashtrim pa praninë e dëshmitarit.

“E kundërshtoj. Nëse doni të vazhdojmë në këtë formë, atëherë duhet të sqarojë Prokuroria se pse po e bën këtë për të rikujtuar dëshmitarin apo për të vënë në dyshim besueshmërinë e tij dhe kjo është e specifikuar në Rregullën 143”, tha Mishetiq pasi dëshmitari doli jashtë.

Ndërsa, prokurori Pace tha se nuk jemi në fazën për të kërkuar leje sipas Rregullës 143.

“Unë po përpiqem t’ia kujtoj t’iu kujtohet nëse e ka thënë diçka gjatë seancës përgatitore. Nëse i kujtohet mirë, nëse nuk i kujtohet atëherë me lejen tuaj do të doja t’ia prezantoja dokumentin përkatës. Nuk është provë kjo. Është thjesht një pistë pyetjesh kjo sepse para një jave dëshmitari ka thënë diçka dhe tani po thotë diçka tjetër”, tha ai.

Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III i kërkoi prokurorit Pace që të mos e lut dëshmitarin që të përgjigjet ashtu siç ata dëshirojnë.

“Mos e lusni atëherë të përgjigjet siç doni ju, bëjeni pyetjen ju dhe thjesht mos e cytni më shumë”, tha ai.

Prokurori e tha pyetjen se cilën dëshiron t’ia bëj dëshmitarit lidhur me këtë çështje dhe gjyqtari tha se do e lejojë, por me kushtin që tema mos të thellohet më tej.

Kur erdhi dëshmitari Maloku në sallë, u pyet se a i kujtohet që në seancë përgatitore kishte thënë se kur u takua me Thaçin kishte intervistën e gazetës “Kombi” në dorë. Dëshmitarit iu kërkua të përgjigjet me po ose jo, por që përgjigja e tij nuk u dëgjua për publikun.

Dëshmitari u pyet se a është takuar më vonë ndonjëherë me Thaçin. Maloku tha se është takuar në Lladrovc.

Maloku: Për herë të parë Hashim Thaçin e kam takuar në gusht të ‘98-ës

Dëshmitari Naim Maloku tha se Hashim Thaçin e ka takuar për herë të parë në Prapaqan në gusht të 1998-ës.

“Kjo është e para herë që jam taku. Nja tri ditë para se me ra Loxha”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Maloku tha se edhe një herë gjatë gushtit, e ka takuar Thaçin edhe në Kleçkë.

“Në gusht jam taku edhe në Kleçkë. Ka qenë 2-3 ditë para se me ra Kleçka në shtëpinë e Zenel Shalës që isha i strehum si i plagosur rëndë”, tha ai duke shtuar se Kleçka ka rënë më 25 gusht 1998.

Sipas Malokut, Komandant Kumanova e ka sjellë dëshmitarin atë ditë në Kleçkë. Ai po ashtu tha se për Kumanovën e ka marrë vesh pas luftës  që emrin e vërtetë e kishte Ismet Jashari.

Dëshmitari u pyet nga prokurori James Pace se çfarë roli kishte në UÇK, Faton Mehmetaj.

“Ka qenë epror ose përgjegjës i sektorit ZKZ (Zbulim Kundër Zbulim) në Dukagjin, më duket sa unë kam dëgju që atij i ka ndihmu Fitnet Ramosaj. Ata dy diheshin nga ushtarët e UÇK-së që e kanë atë funksion, atë rol”, u përgjigj Naim Maloku.

Dëshmitari shtoi se e ka takuar në rrugë, por që nuk i kujtohet që ai ka qenë prezent në ndonjë takim.

Ndërsa, për personin me emrin Shpëtim Golemi, Naim Maloku tha se emri i tij i vërtetë ka qenë Dilaver Goxhaj.

Dëshmitari tha se pas Bislim Zyrapit, vendin e tij e zuri Agim Çeku dhe se Dilaver Goxhaj ka ardhur me këtë të fundit, por që nuk e din se çfarë roli ka pasur.

Dëshmitari tha se Agim Çeku ia ka kërkuar që të mobilizohet por që para se t’i vijë vendimi, Maloku ka dorëzuar armën dhe ka njoftuar demobilizimin në ushtri.

Gjatë dëshmisë në Hagë, dëshmitari tha se vazhdimisht ka bërë thirrje për institucionalizimin e UÇK-së dhe shtoi që ishte kundër idesë së Bujar Bukoshit që Shtabi i UÇK-së të vendosej në Tiranë.

Naim Maloku vazhdon dëshminë për të dytën ditë në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë Naim Maloku në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Maloku e nisi dëshminë të hënën.

Dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas prokurorit James Pace ishte procesverbal i një takim në Jabllanicë më 30 janar 1999 ku shkruhej se ka marrë pjesë edhe Naim Maloku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ky procesverbal paraqet një takim timin në Jabllanicë gjegjësisht në togën 2. Unë e njoh komandantin e togës edhe sot. Me lejoni t’ju them juve dhe gjykatës, këso procesverbale keni mujt me gjet me qindra se nuk ka pas njësit dhe togë ne Zonën Operative të Dukagjinit që unë nuk kam qenë për këtë qëllim”, tha Maloku, duke shtuar se detyrë e tij ka qenë aftësimi i ushtarëve.

Veç kësaj, dëshmitarit iu pranuan edhe dokumente të tjera nga takimet që ai ka pasur në kuadër të detyrës së tij në zonën e Dukagjinit.

Ai e pranoi që iu ka kërkuar ushtarëve që të mos shpenzojnë municionin pa nevojë.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit jenë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/