LAJMI I FUNDIT:

“Mirë se erdhët në Shqipëri” në cepin më të skajshëm të Francës (Foto)

“Mirë se erdhët në Shqipëri” në cepin më të skajshëm të Francës (Foto)

Perros Guirec po përjeton një “invazion shqiptar”. Në hyrje të qytetit të vogël simpatik të cepit më veriperëndimor të Francës janë varur transparentet që me zemërgjerësi na dëshirojnë mirëseardhjen në Shqipëri: “Bienvenue à l`Albanie”

Shoferi i autobusit që më solli nga Lannion për në Perros Guirec derisa e sheh padurimin tim me zgjatjen e rrugës, më thotë me atë përzierjen simpatike të frëngjishtes me anglishten: “Guirec ist tre big”, (Guirec-i është shumë i madh), shoqëruar me një mbyllje syri. Në fakt kjo qytezë ka rreth 7000 banorë dhe është vendosur në cepin më të skajshëm të Francës, raporton ekskluzivisht albinfo.ch

Perros Guirec do të ishte sidoqoftë emri i fundit që do ta dëgjonte një shqiptar, ashtu siç duket edhe se ky qytet vështirë të ketë dëgjuar për shqiptarët. Nuk ngjan aspak me qytetet zvicerane ku jemi mësuar që qysh në “bahnhof”-in e parë të përshëndetemi nga shqipfolës. Por, kjo i takon të kaluarës. Perros Guirec së paku deri më 10 qershor po përjeton një “invazion shqiptar”.


Në hyrje të qytetit të vogël simpatik të këndit më veriperëndimor të Francës dhe të kontinentit, janë varur transparentet që me zemërgjerësi na dëshirojnë mirëseardhje: “Bienvenue à l`Albanie”. Kombëtarja shqiptare ka vendosur “çadrat” në këtë qytezë. Këtu është vendosur ajo për të zhvilluar stërvitjet, gjegjësisht ky është vendgrumbullimi i saj këto ditë.

Po këto transparente me flamuj të vegjël e të mëdhenj shqiptarë i ndesh gjithandej në këtë qytet. Në ndërtesën e bashkisë, në hotelin qendror, në dyqanet e qytezës dhe madje edhe në hyrje të rrugës që të çon te hoteli “L`Agapa”, rezidenca e kombëtares shqiptare. Ky hotel me pesë yje, i vendosur në një hapësirë të gjerë me pisha, është shndërruar në një fortesë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.

Një makinë e xhandarmërisë është stacionuar përballë portës së oborrit të hotelit. Dy xhandarë nuk të lejojnë, jo të hysh por as të fotografosh kështjellën nga jashtë. Pasi shohin insistimin, ata thërrasin njërin nga personeli i sigurimit, i cili më legjitimon dhe më tregon pak a shumë të njëjtën gjë: “Nuk mund të hyni”. Ndërsa “e zbut zemrën” pak dhe më lejon ta fotografoj “fortesën” nga jashtë.

Qyteza jeton këto ditë në shenjë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pothuajse nuk ka shitore a lokal ku nuk sheh flamuj shqiptarë. Në nisje të rrugës kryesore të qytetit është e vendosur pankarta e madhe, e lidhur në dy shtylla ku në gjuhën frënge shkruan “Mirë se erdhët në Shqipëri”, ndërsa krahas flamujve dhe flamurthave shqiptarë gjithkund e ke edhe versionin shqip të mirëseardhjes. Duke qenë qytet i vogël, duket se këtyre njerëzve edhe u bën përshtypje kjo gjë, është njëfarë ngjarjeje që e thyen monotoninë, pak para fillimit të sezonit turistik.

Se sa larg ka mbërritur reklamimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë qytet tregon edhe kjo: në së paku dy dyqane tekstilesh dhe suveniresh mund të blesh fanella të kombëtares shqiptare dhe rekuizita të tjera me shqiponjë. Ndërsa nuk ke si të mos habitesh dhe ngapak edhe befasohesh kur në vitrinën e një dyqani lingerie (veshjesh të brendshme për femra) sheh po ashtu flamuj shqiptarë. Por jo vetëm kaq: e zonja e dyqanit, një grua elegante, tashmë jo shumë e re, ka veshur një kostum kuq e zi. Aq kuq e zi sa ngjan me kostumet solemne të Shqipërisë. Nejse, e pyetur nga gazetari i albinfo.ch për këtë shfaqje, ajo thotë: “oh jo, nuk e dija, kjo është veshja ime standarde për punë”.

Rastësi ose jo, kuq-e zi-ja në Perros Guirec është këto ditë kombinimi më i dukshëm i ngjyrave. Në qytetin krenar me prejardhjen kelte të Bretanjës franceze. /albinfo.ch/
shq1
sh2
shq3
shq4
shq5
shq6
sh7