LAJMI I FUNDIT:

Miqësia e çimentuar SHBA-Shqipëri

15 Marsi i këtij viti shënon 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Ky është një moment i veçantë dhe shumë i rëndësishëm, pasi, natyrisht është një simbol i miqësisë, midis dy shteteve , por pas 50-vjet të një armiqësie absurde të regjimit te Enver Hoxhëse kundër Uashingtonit. Kjo datë shënon edhe lidhjet e para komb me komb – midis kombit amerikan dhe atij shqiptar.

15 Marsi, 1991, ishte një ditë kënaqësie të jashtëzakonshme shpirtërore për mua dhe për të gjithë shqiptarët e vullnetit të mirë kudo, e të cilët vuanin nga mungesa e marrëdhënieve të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Ishte një ditë kur, më në fund, flamuri i kombit shqiptar u vendos në radhën e flamujve të shteteve të botës në Departamentin e Shtetit. Ishte një ditë, kur Shqipëria më në fund iu përgjigj, ndoshta me ngurrim, por e detyruar nga ndryshimet gjeopolitike të kohës në Evropë, thirrjes se pothuaj të përvitshme të Shteteve të Bashkuara për të lidhë marrëdhënie diplomatike me Washingtonin.

Me kujtohet së për çdo vit me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, përgatisnim një program të posaçëm në Zërin e Amerikës, në të cilin përfshinim edhe deklaratën e rastit të Departamentit të Shtetit, me të cilën pa përjashtim, çdo vit, bëhej thirrje për rivendosjen e lidhjeve historike me “popullin mik shqiptar”. Këto thirrje të Washingtonit zyrtar, natyrisht binin në veshë të shurdhët të regjimit komunist shqiptar deri aty nga fundi i vitit 1990 , kur regjimi komunist shqiptar i vet-izoluar, tregoi më në fund shenja se ishte gati që pas 50-vjetësh të kërkonte vendosjen e lidhjeve diplomatike me Amerikën, jo nga bindja e dëshira, por nga zori i rrethanave.


E vërteta është se, megjithëse kjo ditë u pritë me një gëzim të madh, në atë kohë, kishte zëra si jashtë ashtu edhe brenda qeverise amerikane, por sidomos në radhët e komunitetit me influencë shqiptaro-amerikan, që memorandumi për lidhjet diplomatike midis Tiranës e Washingtonit të mos nënshkruhej me regjimin komunist shqiptar të Ramiz Alisë, pasi gjithsesi ishte duke marrë frymën e fundit të ekzistencës së tij, por të pritej deri pasi Shqipëria të kishte një qeveri të zgjedhur me vota të lira. I këtij mendimi isha edhe unë, por në të njëjtën kohë, nuk donim që të humbej ky rast i pritur me dekada.

Me qëndrime pragmatike dhe kompromis nga të dy palët u vendos që të nënshkruhej memorandumi. Kompromisi i rastit i propozuar nga Washingtoni ishte që në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, të merrnin pjesë edhe përfaqësues të opozitës së posa krijuar shqiptare, të Partisë Demokratike. Ky kompromis kënaqi pjesërisht komunitetin shqiptaro-amerikan. Si përfundim, në Washington erdhën për këtë rast Zotërinjtë Sali Berisha e Gramoz Pashko, përfaqësues të opozitës shqiptare së bashku, por jo pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar që kryesohej nga Ministri i Jashtëm, Muhamet Kapllani.

Flitej në atë kohë se Misioni i Shqipërisë Komuniste pranë Kombeve te Bashkuara në New York – historikisht, një çerdhe kjo enveristësh të pagdhendur që me vite përçau komunitetin shqiptaro-amerikan – kishte ngulur këmbë që të mos pranohej propozimi amerikan për të përfshirë përfaqësues të opozitës shqiptare në ceremoninë e Washingtonit – por sipas informatave të atëhershme, qe Ministri i Jashtëm Kapllani ai i cili bindi Tiranën që përfaqësuesit opozitarë të merrnin pjesë në ceremoninë historike të nënshkrimit te memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve Washington-Tirane. Ashtu edhe u bë. Sali Berisha e Gramoz Pashko ishin të pranishëm në ceremoni, megjithëse asnjëri nuk foli me atë rast.

Ko ditë pra shënon një datë historike në marrëdhëniet midis dy vendeve, e për kombin shqiptar kjo datë rivendosi edhe miqësinë me një aleat të një rëndësie jetike strategjike për shqiptarët. Roli i Shteteve të Bashkuara gjatë këtyre 20 vjetë marrëdhëniesh diplomatike, ishte kritik dhe i pazëvendësueshëm në favor të zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar në Ballkan, në përgjithësi. Përkrahja e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ishte një provë e rëndësishme e forcimit të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat dhe një hap i rëndësishëm për sigurimin, paqen dhe stabilitetin në rajon.

Washingtoni vazhdon të veproj në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe gjatë këtyre 20 vjetëve të kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë dhenë për Shqipërinë ndihma ekonomike e te tjera, për të ndihmuar tranzicionin e vështirë të saj nga njëri prej regjimeve më të ashpër komunist në Evropë. Përkrahja e Shteteve të Bashkuara për lirinë dhe mirëqenien e kombit shqiptar gjatë këtyre 20 vjetëve të kaluar u pasqyrua më së miri nga konflikti në Kosovë, ku falë ndërhyrjes së NATO-s, të shtyrë dhe të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, çoi në shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga gjenocidi serb, si edhe në lirinë dhe demokracinë e mohuar me dekada dhe më në fund në realizimin e ëndrrës shekullore, në pavarësinë e Kosovës, si shteti më i ri i Evropës.

Ishte gjatë një vizite historike në kryeqytetin shqiptar në Tiranë, që Presidenti amerikan, republikani George Bush i deklaroi botës se “koha është tani”, për pavarësinë e Kosovës. Presidenti amerikan, gjatë asaj vizite deklaroi gjithashtu se “e vlerësoj faktin se Shqipëria është një vend mik i besueshëm dhe një aleat i fortë. Kjo vizitë sot do të përcjellë një sinjal tek populli shqiptar: ju mund të mbështeteni tek Amerika ashtu sikurse Amerika mund të mbështetet tek ju për të punuar me përkushtimin e duhur dhe për përhapjen e lirisë, dhe rrjedhimisht, edhe paqes”.

Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, vazhdojnë përkrahjen dhe ndihmat për Shqipërinë dhe në të njëjtën kohë janë në krye të përpjekjeve për stabilizimin dhe forcimin e institucioneve të shtetit të ri e demokratik të Kosovës si edhe për integrimin e shpejtë të Prishtinës në organizmat euroatlantike, si NATO e Bashkimi Evropian.

Historikisht, marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe popullit amerikan kanë patur dhe vazhdojnë të kenë përkrahjen e të dy partive kryesore të Amerikës. Edhe administrata e Presidentit Obama e ka cilësuar Shqipërinë si një ortake dhe mike të çmueshme. Kjo miqësi, e çimentuar me 15 Mars te vitit 1991 sa vjen e shtohet e zgjerohet në të gjitha fushat midis dy qeverive dhe midis dy popujve.

Historia e miqësisë midis dy vendeve është konsoliduar në Konferencën e Parisit të vitit 1919 me mbështetjen e fuqishme që Presidenti Udrou Vilson i akordoi Shqipërisë në atë kohë. Në përshëndetjen që bëri me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë vitin që kaloi, Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, tha ndër të tjera se, “si partnere e NATO-s dhe si këshilltare e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm dhe aktiv për avancimin e integrimit dhe stabilitetit rajonal. Mbështetja jonë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet e fuqishme”. Ajo shtoi duke thënë se “heqja e vizave për Shqipërinë është një tregues i fortë i përparimit që vazhdon të bëj vendi juaj drejtë anëtarësimit të plotë në komunitetin euroatlantik”. Zonja Klinton shprehu gjithashtu optimizmin e saj për vazhdueshmërinë e partneritetit midis dy vendeve për çështje me rëndësi rajonale e globale, dhe për një të ardhme demokratike , të sigurt dhe të begatë për të dy popujt.

Përkujtimi i këtij përvjetori duhet të shikohet nga çdo shqiptar që i konsideron këto marrëdhënie të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, si një rast për tu dhënë këtyre marrëdhënieve një hov edhe më të madh përpara. Rivendosja e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe kultivimi i tyre, ka qenë një objektiv për të cilin kanë punuar shumë breza shqiptaro-amerikanësh nga të gjitha trojet shqiptare gjatë 50 vjetëve të regjimit komunist në Shqipëri. Një fjalë e urtë kineze thotë se “kur të pishë ujin, mendo për ata që kanë hapur pusin”. Dëshiroj që të gjithë ata që kanë përfituar nga këto marrëdhënie, si individë, si familje dhe i gjithë kombi shqiptar, të kujtojnë në këtë përvjetor të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, të gjithë ata vizionarë që nuk pushuan kurrë së punuari për këto marrëdhënie diplomatike, dhe që u përpoqën tërë jetën e tyre për të angazhuar Shtetet e Bashkuara për bashkëpunim me kombin shqiptar, e jo për izolim e armiqësi.

Në trend

Më shumë

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori