LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Integrimeve jep shpresë për liberalizimin e vizave

Ministria e Integrimeve jep shpresë për liberalizimin e vizave

Ministria e Integrimeve Evropiane e vlerëson si mjaft pozitiv Raportin e Progresit, duke thënë se ka pasur përparime në shumë fusha të cilat luajnë rol të drejtpërdrejtë për liberalizimin e vizave.

Një vlerësim i tillë vjen nga zyra për Komunikim dhe Informim Ministrisë së Integrimeve Evropiane, ku gjithashtu thuhet se janë nënvizuar edhe rezultate pozitive edhe pas rekomandimit, posaçërisht në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe luftës kundër korrupsionit.

Për këtë, ata rekomandojnë që ky proces të përfundojë sa më shpejtë në mënyrë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë drejtën e lëvizjes së lirë në shtetet e BE-së.


“Jemi të inkurajuar që raporti nënvizon një sër arritjesh në fusha të ndryshme, përfshirë në zbatimin e kritereve politike, ku theksohet përkushtimi i Kosovës për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare. Ky raport nënvizon përparimet e bëra në zbatimin e reformave në fushë e sundimit të ligjit, gjë që ka sjellë në rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave”, ka thënë kjo zyre për Indeksonline.

Ata gjithashtu rikonfirmojnë përkushtimin ndaj reformave në fushat prioritare për reforma në fushën e sundimit të ligjit, qeverisje ekonomike dhe reformë të administratës publike. Duke i kushtuar vëmendje të veçantë edhe sfidave dhe fushave ku ka pasur ngecje.

Sipas tyre, Qeveria e Republikës së Kosovës do të përkushtohet që në javët dhe muajt në vazhdim do të dizajnohen veprime konkrete për adresimin e tyre dhe të miratoj Programin e rishikuar Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.