LAJMI I FUNDIT:

Ministri Matoshi: Nuk kam fuqi të ndaloj ndërtimin e hidrocentraleve në Shtërpcë

Ministri Matoshi: Nuk kam fuqi të ndaloj ndërtimin e hidrocentraleve në Shtërpcë

Për banorët shqiptarë dhe serbë të Komunës së Shtërpcës, vazhdon të jetë problem ndërtimi i hidrocentraleve në atë zonë. Derisa një gjë të tillë ata e kanë kundërshtuar edhe me organizimin e protestave, sot pakënaqësitë e tyre i kanë shprehur edhe në Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, ku raportoi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi. Ky i fundit tha se nuk e ka fuqinë për ndërprerjen e këtyre punimeve, derisa kompetencat i ka hedhur te deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Sipas ministrit Matoshi, për ndërtimin e hidrocentraleve në Komunën e Shtërpcës ekziston gjithë dokumentacioni i nevojshëm.

Ndërkohë, shtoi se për ndërtimin e hidrocentraleve në atë zonë janë mbajtur debatet publike në vitin 2013-2014, ku qytetarët kanë mundur t’i shprehin pakënaqësitë.


“Në Komunën e Shtërpcës operon kompania Matkos, e cila ka dokumente valide për katër hidrocentrale. I pari është hidrocentrali i Sharrit, i cili ka filluar punimet, është në vazhdën e përfundimit të punimeve të veta, ka pëlqim mjedisor, ka pëlqim ujor po ashtu. Është po ashtu edhe hidrocentrali Brezovica që është në përfundim e sipër dhe i njëjti ka aplikuar tashmë për leje mjedisore, këtij i janë kërkuar informata shtesë, të cilat ende nuk i ka sjell asnjëherë në ministri. Është hidrocentrali “Shtërpca” që po ashtu posedon dokumente. Secili prej këtyre hidrocentraleve, lejeve ndërtimore i nënshtrohet në komunë e Shtërpcës, ndërsa tek ne kanë pëlqimin mjedisor, pëlqimet ujore… Jemi në një fazë ku unë nuk mundem në mënyrë arbitrare me marrë ndonjë vendim ose me ndërpre punë, sepse investitorët të cilat janë atje duke punuar, sigurisht që do të kërkojnë dëmshpërblim”, tha Matoshi.

Mirëpo, sipas përfaqësuesit të banorët të fshatit Biti e Poshtme, Agron Rushiti nuk ka pasur debate të tilla. Ai ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me pakësimin e ujit në lumin Lepenc, duke treguar disa fotografi të lumit para ndërtimit të hidrocentralit dhe pas ndërtimit të tij.

“Kanë filluar të ngordhin peshqit sepse nuk kanë mundësi me mbijetu. Me çfarë ligji unë nuk e di, me kë merren. Krejt ujin e pijshëm që e kemi, e kemi të Lepencit. Në këtë formë ne nuk mundemi me pas ujë të pijshëm… Toka jonë është e varur prej Ibër Lepencit, atë burim të jetës që e kemi ne, gjysh e babagjysh që e kemi pasur, e kemi prej Lepencit. Edhe toka jonë është e varur, po qanë lumi për atë ujë. Edhe me ardhur në këtë gjendje… Nuk i kanë plotësuar absolutisht”, tha Rushiti.

Matoshi gjatë raportimit në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, tha se nuk e ka fuqinë që të ndërmarrë diçka në këtë aspekt, pasi sipas tij, kompanitë ndërtuese kanë dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e tyre.

Sipas tij, vetëm Kuvendi i Kosovës e ka fuqinë për ta ndryshuar gjendjen aktuale.

“Në situatën të cilën jemi, vetëm Parlamenti i Kosovës mundet me ndërpre, unë nuk e kam fuqinë edhe forcën si ministër me ndërpre këtë, sepse njerëzit posedojnë dokumentacione. Ju mund të thoni që nuk janë të rregullta, unë mund të them që janë të hapura, publike”, u shpreh Matoshi.

E anëtari i komisionit, Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se banorët në këtë anë kanë qenë të kërcënuar edhe të dalin të protestojnë për të ndaluar punimet.

“Në biseda me fshatarët kam vërejtur hezitim të tyre që të vijnë, të shkojmë bashkë tek vendi atje. Ka qenë vetëm njëri i përfaqësuesit të komunitetit serb, dhe disa të komunitetit shqiptarë, me të cilët kemi shkuar bashkë atje. Kanë qenë të shqetësuar të duken diku publikisht që po shkojmë tek ato vende. Për shkak se janë ndjerë të kërcënuar, nëse reagojnë sa i përket çështjes së hidrocentraleve. Është bërë presion mbi ata fshatarë dhe kjo është pjesa më e keqe e këtij problemi. Kur këta kanë protestuar, Policia e Kosovës i ka arrestuar”, tha Aliu.

Kryetari i Komisionit, deputeti Muharrem Nitaj, ka thënë se për këtë çështje do të duhej të formohej një komision hetimor që do të shihte se si qëndron puna e këtyre hidrocentraleve, lejeve të marra, ujit që shfrytëzohet, në mënyrë që shqetësimet e ngritura të adresohen.

“Unë do të isha shumë i interesuar që Parlamenti i Kosovës ose disa komisione që merren me këtë materie, të krijohet një Komision Hetimor që do t’i futej kësaj problematike në thelb. Ju po thoni që e keni trashëguar një papirologji të cilën nuk po mund ta ndërroni, e keni trashëguar një gjendje me leje, që ata njerëz i kanë marrë dhe ju nuk keni pushtet, këtë mund ta bëjë Parlamenti. Dhe e vetmja zgjidhje mendoj është që Parlamenti të krijon një komision hetimor dhe t’i futet kësaj problematike. Mua më duket shumë e dyshimtë, atje duket që diçka mban erë”, ka deklaruar Nitaj.

Derisa, përfaqësuesit e banorëve kanë kërkuar që të ndalet puna në të gjitha hidrocentralet në rajonin e Shtërpcës, Matoshi ka përsëritur që nuk ka kompetencë ligjore që të ndalojë punimet. /KP/Telegrafi/