LAJMI I FUNDIT:

“M’i kanë mbyllur të gjitha dyert”

“M’i kanë mbyllur të gjitha dyert”

Aziz Salihu (59) vazhdon të mbetet i injoruar për kërkesat e tija nga asociacionet sportive kosovare, e në veçanti nga Ministria e Sporteve. Ish-fituesi i medaljes së bronztë olimpike të boksit në lojërat Olimpike të Los Angeles 1980 ishte dhe vazhdon të jetë i indinjuar me tretmanin që po i bëjnë aktualisht zyrtarët e sportit. Sipas tij ai këtë nuk e ka merituar në asnjë mënyrë.

“Nuk e di kujt i kam bërë keq që të trajtohem në këtë mënyrë. Askush nuk i merr parasysh kërkesat e mia për një trajtim më të mirë, të cilin mendoj se e kam merituar si një sportist kulmor, një njeri që ia ka kushtuar tërë jetën sportit kosovarë”, tha Salihu.

“Unë gjatë tërë kohës, që prej themelimit të sportit të pavarur kosovar e kam dhënë kontributin tim, shumë më shume se disa të tjerë, e që aktualisht i kanë zënë vendet dhe nuk i lejojnë të tjerët afër tyre, që të vazhdojnë të punojnë për të mirën e sportit kosovar”.

Më së shumti dhimbje i shkakton injorimi total i Ministrisë së Sportit dhe kreut të saj, Memli Krasniqi.


“Mi kanë mbyllur të gjitha dyert dhe nuk kam nga t’ia mbaj. Me ardhjen e Memlit në krye të ministrisë së sportit, ai asnjëherë nuk më ka pranuar në zyre dhe të bisedojmë si duhet. Gjithmonë ka gjetur arsyetime që të më shmanget, bile edhe më ka ndaluar të hyjë në ministrinë e sporteve. Nuk e di pse po sillet kështu, kur e di se nuk kam pasur asgjë të keqe me të”. tha në vazhdim “Zizi”.

“Unë po kërkoj vetëm atë që më takon si një sportist që kam bërë shumë dhe kam sjellë medalje olimpike për Kosovën”. Bile ai thotë se tashti nuk e lejojnë të organizojë as organizime të boksit . E për këtë e fajëson federatën e boksit.

“Kam organizuar me qindra turne, të cilët kanë qenë më të mirë se njëri tjetri. E meritoj të jem së paku në federatë dhe punoj, më shumë sesa ata që janë pjesë e saj për momentin. Aty ka njerëz që edhe kanë marrë pensione nga Serbia, e tash marrin edhe nga Kosova. E për mua nuk ka asgjë, edhe pse jam ai që ka lënë gjurmë në sportin e Kosovës. Edhe unë kam mundur ta bëjë të njëjtën gjë si ata, por se kam bërë, duke besuar se nuk do të harrohem nga ata që nuk duhet të harrohem”, përfundoi Salihu, i cili në konton e tij të medaljeve ka edhe dy të bronzta nga kampionatet evropiane. /Zëri/Telegrafi/