LAJMI I FUNDIT:

Meta: Ina Rama në shërbim të një klani

Meta: Ina Rama në shërbim të një klani

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, akuzoi direkt Prokuroren e përgjithshme, Ina Rama, se është bërë pjesë e klaneve në lidhje me hetimet për video-përgjimin.

“Imunitetin parlamentar e kam dorëzuar vullnetarisht që Prokuroria të hetonte, por kjo kërkesë tregon se ajo është në shërbim të një klani të caktuar", tha Meta, duke nënvizuar se "Prokurorja e Përgjithshme nuk ka vullnet për t’u përgjigjur nëse videoja vërteton akuzat ndaj meje, pasi nuk e lejon kryetari i PS-së, Edi Rama".

Ai shtoi se Prokurorja e përgjithshme duhet të jetë garantuese e ligjit dhe e zbatimit të tij.

"Prokurorja e Përgjithshme është garante për zbatimin e ligjit dhe nuk mund të jetë lojtare dhe aktore politike, pasi ajo është përfaqësuesja e akuzës së shtetit dhe ka për detyrë që çdo akuzë ta bëjë mbi prova dhe fakte dhe jo mbi intriga të thurura në ambiente që nuk kanë lidhje me moralin e shtetit dhe përfaqësuesit e shtetit", theksoi Meta.


Ndërkohë, Partia Socialiste reagoi pas këtyre deklaratave, duke nënvizuar se Meta është në siklet për videon që e nxjerr bllof atë me bllok në dorë.

“Ilir Meta ka një siklet të madh e prandaj sulmon Prokurorinë e drejtësinë. Shantazhon e kërcënon me shpresën e vagullt se kështu do mund t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor për vjedhjen me bllok në dorë që s’ka mbetur kush pa e pare tanimë”, tha deputetja Olta Xhaçka. /Telegrafi/