Mësimet që shqiptarët mund t’i nxjerrin nga presidenti fiktiv Goloborodko dhe nga presidenti real Zelenskyy
“Nëse dikur shëtisje në rrugë pasi errësohej, duhej të kishe kujdes të mos shkoje afër një zone të madhe të rrethuar me mur betoni. Ruhej rreptë: rojet vëzhgonin me dyshim të gjithë kalimtarët; tek-tuk shihje ndonjë grykë automatiku në frëngji. Brenda mureve banonte Ahmet Zogu bashkë me nënën e vet dhe me gjashtë motrat, të gjithë aktivë në politikë. Pozitat e larta zakonisht ishin të zëna me farefis të familjes mbretërore, që për arsye të rrezikut të ndonjë atentati nuk dëshironin të dukeshin jashtë rezervatit të tyre të mbrojtur mirë. Shteti drejtohej si ndërmarrje familjare me monarkun si drejtor ekzekutiv, me anëtarët e familjes si kryesi dhe fisi si aksionarë”.
Kështu – përmes një zone “aristokratike” të Tiranës – gazetari suedez Sven Auren e përshkruante Shqipërinë e vitit 1938. Shqipëria u shpall shtet më 1912, por udhëhiqej sipas mendësisë së vjetër të trashëguar nga sundimi osman. Perandoria Osmane e kishte bërë të njëjtin gabim me Tanzimatin, në shekullit XIX: reformat synonin ta modernizonin vendin sipas modeleve perëndimore, por zbatimi bëhej nga një kastë e njerëzve të mendësisë që nuk e ndiqte hapin me Perëndimin – gjë që çoi në tatëpjetën e Perandorisë Osmane.
Këtë gabim të dikurshëm nuk e përsëriti Kemal Ataturku – themeluesi i Turqisë moderne. Reformat e tij të modelit perëndimor, sidomos në ekonomi dhe në administratë, ishin modeli që një grup i të rinjve shqiptarë në vitet 1920-‘30 – me në krye Branko Merxhanin e Vangjel Koçën – donin ta adaptonin për Shqipërinë. Koncepti i tyre filozofik dhe politik për ringjallje shpirtërore të shqiptarëve – që njihet si neoshqiptarizma – nënkuptonte njohjen e realitetit dhe nevojën për ndryshimin jo duke e bërë riformulimin e ideve e vjetra, por duke i krijuar të rejat, duke u çliruar nga të metat e kaluara e duke e krijuar një ideal kombëtar që synim e ka demokratizimin, emancipimin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare.
* * *
Këto gjëra më bien ndërmend teksa e shoh satirën politike “Shërbëtori i popullit” të krijuar nga aktori dhe komediani i dikurshëm Volodymyr Zelenskyy. Seria me tri sezone dhe 51 episode u shfaq në Ukrainë nga 15 tetori i vitit 2015 e deri më 28 mars të vitit 2019 – gati dy muaj para betimit të Zelenskyy-it për president të Ukrainës.
Ngjarja zhvillohet në periudhën pas Revolucionit të Dinjitetit të vitit 2014 që e përmbysi pushtetin e vasalit të Kremlinit, Viktor Yanukovych. Kur një koleg ia nxjerrë nxënësit nga ora e mësimit – për të marrë pjesë në një tubim politik – profesori i Historisë në një shkollë të mesme të Kievit, Vasyl Petrovych Goloborodko (i luajtur nga Volodymyr Zelenskyy), shpërthen në akuza kundër politikanëve të cilët në 25 vjetët e pavarësisë (pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik) nuk bënë asgjë për popullin. Reagimin e tij e xhiron një nxënës me celular dhe videoja shpërndahet në mënyrë virale në internet. Nxënësit e shtyjnë profesorin të kandidojë për president të vendit, e ndihmojnë në mbledhjen e fondeve dhe … ia dalin: Goloborodko bëhet president, në mënyrë demokratike!
Por, a mund të zhvillohet demokracia në një vend të pllakosur nga korrupsioni dhe nga elitat hedoniste politike?
Kjo është lufta që e fillon presidenti i ri i vendit. Rrethi e josh me të mirat që pushteti i sjell, por, si një George Orwell, si një intelektual i mirëfilltë që i zbaton parimet të cilat i beson, Goloborodko përcaktohet për jetë modeste: të vazhdojë paralelisht punën në shkollë, të lëvizë pa truproje, pa eskorta e me tramvaj, të jetojë si më parë – bashkë me prindërit, me motrën dhe me mbesën e vet – në shtëpi modeste, ta marrë bukën nga shtëpia e t’i shpallë luftë administratës së stërngarkuar, nepotizmit, korrupsionit, lukseve të pushtetarëve, nëntokës e oligarkëve. Sepse, demokracia nuk nënkupton vetëm votën e lirë, por edhe sundimin e ligjit e të drejtësisë. Ndërsa, lider i vërtetë nuk mund të jetë një fjalaman që flet për ndryshimin e për përparimin, por ai që edhe në familje lufton për arritjen e atij ndryshimi – siç bëri Goloborodko, duke i ndaluar favorizimet që më parë i kishin shijuar familjarët e pushtetarëve.
Seriali “Shërbëtori i popullit” mund të perceptohet si mision i menduar mirë për ta sjellë ndryshimin real në vend. Aty i jepet peshë identitetit kombëtar ukrainas, goditet Putini dhe Lukashenko, vasaliteti duke “importuar” gjeorgjianët në poste (aludim me sundimtarët mizorë të Bashkimit Sovjetik), mendësia për të funksionuar me rezonin e elitave post-komuniste që ndër të tjerash vuajnë edhe për shkatërrimin e ish-Jugosllavisë (lexo: komunizmit) … Është thirrje për ndryshimin, për t’i vënë në zbatim idealet e Revolucionit të Dinjitetit që shpërtheu atëherë kur Yanukovych u përcaktua për ta orientuar përfundimisht vendin kah Rusia e jo kah Unioni Evropian. Dhe, ky mision u arrit në mënyrë të zgjuar përmes kësaj satire politike, përmes komedisë që i vuri në pah të metat e shtetit e të shoqërisë e që bëri me dije se është i mundur ndryshimi dhe e ardhmja më e mirë.
Në seri nuk ka çaraveshje, nuk ka pëllitje shtazarake e as karikime të budallallëkut që i hasim në realizimet e pamend të shqiptarëve. Aty ka ide. Dialogje të duhura. Ka lojë të mirë të aktorëve. Ka pasqyrim e thumbim të realitetit. Presidenti Goloborodko e luan njeriun e rëndomtë, normal e të ndershëm, që beson dhe lufton të jetë model i mirë i një Ukraine të re. Dhe, është njerëzorja që ka reflektuar presidenti fiktiv Goloborodko ajo që i ka shtyrë ukrainasit – në zgjedhjet e vitit 2019 – t’ia japin mandatin e presidentit aktorit që e mishëroi atë model të shërbëtorit të popullit.
* * *
Neoshqiptarizma synonte ta përparonte shoqërinë shqiptare. Por, ky ishte mision i pamundur në një shoqëri të njëjtë si përshkrimi që Hugh Callan e kishte dhënë në vitin 1898 në “Revistën gjeografike skoceze”: “Një vend me zakone të lashta, me veshje të lashta, me grindje të lashta; një vend klanesh dhe fisesh ku secili është i acaruar me tjetrin; një vend i individualizmit ku instinkti shoqëror mbytet nga e drejta dhe fuqia e çdo pale për të bërë si të dojë vet”. Duke e udhëhequr shtetin si drejtor ekzekutiv i një ndërmarrjeje familjare, duke e bazuar ekonominë nga hyrjet e huaja, duke i shtypur dhe eliminuar kundërshtarët politikë, duke i vrarë edhe mbështetësit e neoshqiparizmës (si Ismet Toton) e në fund duke e braktisur popullin në kohë pushtimi, Ahmet Zogu kontribuoi në zhvillimin e një mendësie ku e mira e popullit zë vend dytësor. E, kjo mendësi e keqe u vu në pah me shembullin më të tmerrshëm të sundimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës. Fatkeqësisht, vërehet edhe sot te liderët politikë të Shqipërisë që pushtetin e mendojnë si vend të përjetshëm pune, e assesi si detyrë për të qenë shërbëtorë të popullit. Vërehet edhe në Kosovë, te elitat që i mbrojnë budallallëqet e familjarëve në poste publike, që flasin për popull e distancohen nga ta duke i mbajtur përtej gardheve e duke ecur para tyre të rrethuar me mori truprojash.
Neoshqiptarizma e kërkonte një rilindje të dytë kombëtare. Atë që nuk e bënë shqiptarët e bëri Volodymyr Zelenskyy – dikur aktori më i adhuruar i një popullit, sot simbol i rilindjes së re kombëtare ukrainase (dhe presidenti më i admiruar nga bota demokratike). Duke mos e braktisur popullin, duke e udhëhequr atë me mend në momentet më të rënda të pushtimit mizor rus, mbetet shpresa më e madhe për të ardhmen më të ndritshme të vendit – dhe të kontinentit evropian. Ai po që është shërbëtor i popullit. Është unifikues i popullit.
* * *
Aktori kult James Dean, në një mënyrë e ka zbërthyer lidhjen që ka njerëzorja me artin, me thënien e famshme të tij: “Nuk është lehtë të jesh aktor. Edhe më vështirë është të jesh njeri. Para se të vdes dua të jem – të dy këto”.
Siç dihet, teatri e nxiti Revolucionin Francez me shfaqjet që e konceptonin revolucionin si dramë dhe teatrin si skenë politike. Teatri e solli edhe Revolucionin Kadife (përmbysjen e komunizmit në Çekosllovaki) dhe dramaturgun disident Vaclav Havel si kryetar të ri të shtetit. Kolegu i Havelit, Petr Oslzly, ka thënë se ajo që ndodhi më 17 nëntor 1989 (fillimi i revolucionit) ishte shkrirja më e rëndësishme e teatrit me shoqërinë – në gjithë historinë e teatrit botëror.
Arti mund ta sjellë ndryshimin. Pra, edhe aktorët. Kështu, në kohën e raporteve më të acaruara amerikano-libiane në vitet 1980, lideri i dikurshëm i Libisë, Muammar al-Gaddafi, ua lëshonte ushtarëve të vet filmat e presidentit të 40-të amerikan, Ronald Reagan. “E shihni, ky jo vetëm që është politikan i keq, por edhe aktor i keq”, thoshte Gaddafi. Gjatë 27 vjetëve si aktor, Reagani nuk është shquar për ndonjë rol. Ama, si president e ka luajtur rolin më të mirë në jetën e vet. Njëjtë si Zelenskyy. Reagan ia dha të mbrapshtën dhe e përshpejtoi shembjen e Bashkimit Sovjetik. Zelenskyy po e fundos mitin se Rusia mund ta imponojë kudo e kurdo vullnetin e vet me forcë. Të dy këta do të jenë frymëzim për gjeneratat që do të vijnë. Për veprat që kanë mishëruar idealet e kombeve të tyre. Për rolin e mirë që ia caktuan vetes.
Prandaj, vlerat e neoshqiptarizmës janë ende aktuale, sidomos duke ditur se në fillim ishte lëvizje kulturore me parullën “Politikë s’ka! Vetëm kulturë”! Kjo arrihet me ngritjen e nivelit kulturor. Me dije. Duke e bërë dallimin mes budallallëkut e vlerës. Mes të mirës e të keqes. Mes artistit e profiterit. Duke e luajtur secili mirë rolin që i shërben popullit e jo servilizmit politik e marrëzisë. Duke u bërë vend normal ku aktori e komediani (jo lolo) mund të bëhet prijës i mirë politik e jo duke mbetur vend ku prijësi politik shndërrohet në lolo.
Shqiptarët vërtetë kanë nevojë sot për një Goloborodko dhe për një Zelenskyy. Sepse, përderisa kakofonia e quajtur “Kryetari i mirë me shokë shumë” – që popullin e paraqet si bagëti e liderin si çoban analfabet – do të merret si “komedi që pasqyron realitetin shqiptar”, nuk është çudi edhe nëse Kosova e Shqipëria cilësohen si “Ferma të kafshëve” të profecisë distopike oruelliane – me të gjitha shtazët e barabarta, por disa më të barabarta se të tjerat.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëFejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve
Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar
Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme