LAJMI I FUNDIT:

Meqë dështova në politikë, pse nuk bëhem analist?!

Dua ta them të vërtetën. Të eci nëpër këtë rrugë të mundimshme. Të kem ndjesi të mprehtë rreth ngjyrosjes së të vërtetës, ngase ujin nëse e përziejmë me ngjyrë, atëherë ai më nuk do të jetë ujë. Jam i vetëdijshëm në sfilitjen e kësaj ecejake. Shfletoj libra që bëjnë fjalë për kontributin e atyre trimave shqiptar të palodhshëm për kauzën tonë mbarëkombëtare. Ndaj tyre ndjehem shumë i vogël, madje turpërohem ta imagjinoj vetën në sfondin e tyre veprues. Sakaq, mburrem me kontributin tim tejet modest! Këtë mburrje ma ujisin disa politikan të djeshëm, që sot gjenden përballë shumë shtigjeve dhe dritareve, përmes të cilave populli i drejtë dhe i ndershëm do ta ketë rastin që të ushqehet dhe bombardohet me dokrrat e këtyre të pandershmëve, që deri dje aktivisht u merreshin me “prostitucion”, ndërkaq sot përmes disa shtëpive publike, më falni disa mediave publike, na ligjërojnë për rëndësinë e çiltërsisë së moralit, edhe atë kujt, atyre pra që as për së largu nuk i kishin shikuar shtëpitë e fëlliqura publike.

Dua ta them të vërtetën. Ku ta them? Në libër, jo, jo se ndoshta nuk më lexon kush, s’kanë kohë, madje as para, qoftë edhe nëse autori çmimin astronomik të librit e ka zbritur në çmim nëntokësor. Nuk prish punë edhe nëse autori për hir të këtij kontributi sublim për një kohë do të zvarritet, nuk do të mund të ngrihet në këmbë që t’i kap pemët që ia do zemra. Shoh se ato pemë që s’mund assesi t’i kap, me përdhosje i kapin ata që më së shumti ndikuan që shoqëria jonë ta urrejë shkrimtarin dhe librin, pastaj në shenjë mishërimi filluan t’i këndojnë kësaj katandisje. Shoh shumë shkrimtar të spikatur që tërë jetën e tyre e shkrinë për të mirën e mendjes së këtij populli, por mendja e këtillë që shumë pak pranoi rreze të diturisë, u shastis pas atij që e solli lehtas degjenerimin në mesin tonë, ndërsa të gjorin shkrimtar as që u kthye të paktën dikush ta përshëndes, e lëre më të kërkojnë prej tij ndonjë nënshkrim. Në këtë rast, duket se këta mospranues të rrezeve ushqyese kanë të drejtë. Ngaqë ata që e mbollën prishjen në këtë kopsht nuk dinë të shkruajnë, ata dinë vetëm të nënshkruajnë, kurse shkrimtarët që i dinë të dyja, mendja e këtillë e privojë që të nënshkruaj. Sikur e vërteta të përplasej vetëm mes shkrimtarëve dhe atyre që i këndojnë degjenerimit pasi vet e sollën atë, nuk do të isha brengosur edhe aq shumë, por…

Dua ta them të vërtetën. Kësaj radhe dua që të vërtetën ta përçoj përmes shtypit ditor, ngase për përçimin e të vërtetës përmes librit, matematika ekonomike më thotë të pushoj pak. Filloj të shkruaj në shtypin ditor. Ndjehem mirë kur e lexoj vetën. Gëzohem edhe kur dikush nuk pajtohet me mua, kjo njëherësh tregon se dikush më ka lexuar. Pas një ecejake të mundimshme në këtë rrugë, ata që duan edhe më tej të më shohin seç zvarritem, pa asnjë arsye ma mbyllin dritaren prej të cilës fliste lapsi si zëdhënës i gjuhës së mendjes sime. Ata dashamir të kësaj fushe me habi më pyesin, se çka u bë me mua, pse nuk shkruaj?! Nuk mund t’ia shpjegoj faktin se edhe pas mbylljes së dritares unë jam në dhomën e njëjtë, qoftë edhe nëse dikush nuk mund të më shoh, unë jam aty, s’e kam ndërmend të dorëzohem, qoftë edhe nëse disa media publike do të tentojnë që të ma mbyllin prore edhe derën. Këtë fat nuk e kam vetëm unë, por edhe shumë dashamir të tjerë, që duan ta thonë të vërtetën dhe të drejtën, por që të gjorët nuk e plotësojnë një kusht. Kushti është që përmes krimit ekonomik dhe servilizmit të skajshëm në politikë, të kishim bërë famë në opinion, pastaj si të “zhgënjyer” përmes bollëkut material dhe interesimit të mediave, të paraqitemi si analistë të çështjeve politike dhe shoqërore, ku besa pavarësisht stokut financiar, do të mundnim që edhe më tutje ta trashim këtë stok, madje të shihemi edhe si shumë të nderuar prej atyre që prej ditës së sodit vendosën që rregullisht t’i dëgjojnë lajmet dhe emisionet debative. Po, po, pikërisht kështu do të duhej të vepronim, kuptohet nëse duam që e vërteta dhe brenga jonë subjektive në studime objektive të përçohej përtej monitorit të kompjuterit.


Mos të habitet askush kur politikanët e sodit nesër do t’i sheh duke dhënë analiza nëpër mjetet e shkruara dhe elektronike. Neve prapë askush për asgjë nuk do të na pyet, lërë që nuk do ta pyesin për asgjë, qoftë edhe nëse dituria jonë që duam ta hedhim në treg është shumë e arsyeshme, sepse fillimisht vetë jeta jonë e deritanishme është e tillë, ata edhe nuk do të na botojnë në shtypin ditor ndonjë përsiatje për ndonjë problem të caktuar. Paramendo i nderuar auditor. Promovimin e romanit tim, një gazetë shqiptare “Koha e re” nuk gjeti assesi vend që të ma botojë, gazetë e cila hiqet se po i bëhet padrejtësi e madhe në Maqedoni, gjë që mund të jetë e vërtet (sinqerisht më vjen keq për këtë), por derisa kjo gazetë i jep përparësi disa të atillëve që pak më lartë bëra fjalë dhe përmbajtjen e disa serive turke me ngazëllim e boton në fletë me ngjyrë, atëherë si të solidarizohem denjësisht me stafin e kësaj gazete, kur bojkoton pa asnjë arsye shkrimet e mia dhe të disa shokëve që shkruajnë mirë dhe drejtë, si dhe ta bojkoton pa asnjë arsyetim romanin ku trajtohen tri luftërat çlirimtare dhe sjellja e disa nxënësve adoleshent në ato periudhe tejet të dhembshme, që ndoshta disa drejtues të kësaj gazeta as në ëndërr s’kanë mund t’i shohin. Më vjen keq për politikën e këtillë redaktuese të kësaj gazete, dhashë Zoti të përmirësohet e të kthjellen që të mund të shohin se atyre me biografi të pastër nuk bënë t’i mohohen frytet e shëndosha, sepse nëse mohohet një gjë e tillë, atëherë veprimtaria e atillë do të jetë e prirë të dështojë turpshëm.

Dua ta them të vërtetën. Jo si ata që dikur punuan për të pavërtetën, e sot hiqen si zëdhënës të zellshëm të së vërtetës. Madje thelbi i të vërtetës sime është ky; Të paktën moralisht t’i dënojmë disa analistë politikë, të cilët denjësisht punuan për të kundërtën e aspiratave të këtij populli. Dikur ishin zëdhënës të djallit, sot shtiren si zëdhënës të engjëjve. Shkurret në kopshtin e sotëm që zëshëm i kritikojnë, qëllimisht harrojnë se po këta analistë politikë, dikur në cilësinë e mirëmbajtësit të atij kopshti, përmes pakujdesisë dhe ngarendjes pas privilegjeve materiale, i lanë që ato shkurre lirshëm dhe pa asnjëfarë pengese të mbijnë dhe të zhvillohen. Mjaft ju të dështuar dhe harxhuar politikisht. Në vend të dënimit prej popullit, pendohuni dhe rrini në folenë tuaj. Mos zhurmoni dot, s’keni të drejtë dot, ishit aty ku bëhej lërimi i tokës. Nuk e bëtë. Madje përskaj syve tuaj të tjerët na lëruan arat dhe në fund të vitit kombajneri u kthye në shtëpi i zhgënjyer, sepse as edhe një thes me drithë nuk kishte mundur ta sjellë në shtëpitë e atyre që vuanin prej urisë.

Në trend

Më shumë
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Botë
Kalo në kategori