LAJMI I FUNDIT:

Melihate Qena pranon “Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore”

Melihate Qena pranon “Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore”

Mesditën e së hënës u bë ndarja e “Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore” në fushën e teatrit, çmim ky që iu dha aktores e regjisores Melihate Qena.

Çmimin për kontributin në fushën e teatrit ajo e ka marrë në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, pasi ajo më së shumti është angazhuar në shfaqje për fëmijë në Teatrin “Dodona”.

Vendimi për ta nderuar Qenën është marrë njëzëri nga të gjithë anëtarët e Komisionit të caktuar nga Ministria e Kulturës për ndarje të çmimeve.

“Pa dilema dhe me merita të mëdha i është ndarë Melihate Qenës, sidomos për kontributin në skenën teatrore për fëmijë, por natyrisht edhe për punën në Teatrin Kombëtar e në film”, ka thënë regjisori Agim Selimi, kryetar i Komisionit. “Mendoj që Meli është një margaritar i rrallë që ka mbajtur jetën teatrore për fëmijë”


“Unë ende mendoj me e punu veprën jetësore dhe shpresoj që do ta punoj. Kjo mirënjohje më është dhënë për punën që e kom bërë për këto 44 vite. Sigurisht që do ta bëj një shfaqje shumë të mirë me të cilën do të mbetem në kujtesën e fëmijëve pikë së pari,” deklaroi aktorja Melihate Qena.

“Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore” ka vlerë financiare 5 mijë euro.