LAJMI I FUNDIT:

Medaljet e veteranëve: Si e gjykojmë historinë në kontekst jofaktual?

Medaljet e veteranëve: Si e gjykojmë historinë në kontekst jofaktual?

Shyqyri Çoku është i mirënjohur jo aq shumë për atë që ka bërë në kohën e komunizmit, por për shkak se disa nga viktimat e tij kishin zë. At Zef Pllumi është një nga mijëra të torturuar në kohën e komunizmit, por dallimi i tij nga të tjerët është se ai jetoi për të treguar.

Shyqyri Çoku është një nga shumë njerëzit, pjesë e sistemit të dhunës mbi të cilin ne dimë shumë pak ose asgjë. Dhënia e medaljes për të me procedurë dhe verbazi nga Ministria e Mbrojtjes është pasojë e mënyrës se si Shqipëria e ka shkruar historinë, por edhe dëshmi e modelit të kalbur të shtetit që bazohet mbi propagandën qeveritare si e vërtetë e pakundërshtueshme.


Unë me të vërtetë besoj se Qeveria ka qenë e pavetëdijshme kur vendosi të japë medaljet. Në fund fare, Qeveria, ose më saktë qeveritë, në këto anë gjithmonë kanë qenë të “pavetëdijshme” ose më saktë, të papërgjegjshme, për gjëra edhe më të rëndësishme se sa medaljet, kështu që ky rast nuk ka pse të bëjë përjashtim.

Debati politik që pasoi synoi të kapet pas detajeve duke harruar thelbin, d.m.th, mënyrën se si Shqipëria është mësuar të zbulojë të vërtetat e veta historike, përfshirë meritat dhe krimet e Luftës së Dytë Botërore apo meritat dhe krimet e kohës së Komunizmit.

Statusi i veteranit, p.sh., me të cilin qeveria aktuale synon të mbrohet duke sulmuar kundërshtarin e vet politik është një shembull shumë i mirë për t’u analizuar. Në vitin 1994 u miratua një ligj në bazë të së cilit aplikohej për të marrë statusin e veteranit të luftës. Ligji sanksiononte që aplikanti të dorëzonte dokumente (nëse kishte), deklarata organizatash veteranësh ose tri dëshmi. Një numër i madh të moshuarish në atë kohë nxituan të aplikojnë, jo pse ishin veteranë, po për shkak të gjendjes së mjeruar ekonomike. Një përfitim i vogël monetar përbënte një joshje të madhe. Në vitin 2011, statistikat e ISSH raportuan se në Shqipëri kishte ende 13 mijë veteranë që përfitonin shtesë në pension. Kuptohet që një pjesë e tyre mund të kenë falsifikuar historinë.

Deklarata e kryeministrit Edi Rama se ka filluar punën për të rishikuar vendimin e dhënies së medaljeve është veçanërisht interesante në këtë kuptim. Premtimi mbart në vetvete pyetjen se me çfarë kriteresh dhe me çfarë procedurash do të merret vendimi. A bëhet fjalë për heqjen automatike të të gjitha medaljeve të dhëna për 70 vjetorin e çlirimit, apo për përzgjedhjen e atyre që e meritojnë medaljen dhe atyre që nuk e meritojnë?

Kjo nuk është çështje e lehtë. Që të ngresh një komision për të zgjidhur kaosin e krijuar nga metodat e punës të shtetit shqiptar, konkretisht, dhënies toptan të medaljeve për çdokënd që ka një status ligjor, kërkon para së gjithash një ligj a një rregullore. Kërkohen procedura për mbledhjen e fakteve dhe verifikimin e tyre dhe kërkohen, si të thuash, “gjykatës” për të dhënë verdiktin. Këta “gjykatësit” kërkohen të jenë të drejtë, të ndershëm dhe të paanshëm. Kërkohet gjithashtu ndonjë lloj “prokurori” historik për të mbledhur faktet dhe gjithashtu, kërkohet avokat mbrojtës.

Kjo i bie si të gjykosh njëmijë të moshuar, të cilët zyrtarisht janë veteranë të Luftës së Dytë Botërore për të mësuar se çfarë kanë bërë apo çfarë nuk kanë bërë pas Luftës së Dytë Botërore.

Shyqyri Çoku njihet për shkak se At Zef Pllumi dhe profesor Sami Repishti kanë shkruar për të. Pavarësisht se dëshmitë e dy viktimave normalisht duhet të mjaftojnë si prova, do të qe fyerje për kujtimin e viktimave në rast se Çokut nuk do t’i jepej një gjykim i drejtë, një gjykim me standardet më të larta demokratike, gjykim të cilin ai dhe të tjerë ia mohuan atyre dhjetëra-mijëra shqiptarëve që u gjykuan në kohën e Komunizmit.

Por, që të gjykosh Shyqyri Çokun vetëm për faktin se dy nga viktimat e tij kanë zë, kjo përbën padrejtësi në vetvete. Dhe, të gjykosh ata që janë në listën e të dekoruarve, duke harruar të tjerët torturues të kohës së Komunizmit që nuk janë dekoruar, përbën gjithashtu padrejtësi.

Shqipëria nuk është vendi i vetëm që përballet me një situatë të tillë. Megjithatë, përmasat e problemit në Shqipëri janë shumë herë më të mëdha se sa në vende të tjera të Evropës Lindore. Rumania p.sh, së fundmi dënoi Ion Ficiorin, një ish-komandant kampi burg të Rumanisë me 20 vjet burg për krimet e kryera në vitin 1965. Kjo është ekzaktësisht një nga ato gjëra për të cilat ka nevojë Shqipëria. Dënimi i krimeve, pavarësisht regjimit që i kreu, është i domosdoshëm për t’u siguruar se ato nuk duhet të përsëriten.

Morali i fabulës është që Shqipëria e ka të domosdoshme të gjykojë historinë. Dhënia e medaljeve përbën vetëm një argument shtesë për nevojën për të mbledhur faktet historike në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Por, ky gjykim i historisë nuk duhet të kthehet në një gjueti shtrigash. Çdokush, përfshirë edhe Çokun, ka të drejtë për gjykim të drejtë.