LAJMI I FUNDIT:

Mbrojta e Novi Pazarit dhe standardet e patriotizmit

Derisa jam futur në klasë të parë të shkollës fillore, kam ditur vetëm për një luftë: luftën e Koleshinit. Në shkollë na dërgonin në kinema dhe aty shihnim filma partizanë me gjermanë. Aty na mësonin se partizanët ishin të mirë dhe gjermanët e këqij. Sapo vija në shtëpi gjyshi më thoshte të kundërtën. Ai më thoshte se gjermanët na çliruan, por partizanët ishin këlyshët e serbëve dhe na robëruan përsëri.
Në shkollë mësonim vjersha për lirinë e fituar me gjak, kurse gjyshi më thoshte se nuk ditëm ta ruajmë lirinë që na sollën gjermanët, se ishim të pashkollë, të paorganizuar dhe kur gjermani e humbi luftën, ne s’patëm fuqi ta ruajmë lirinë.

Kur e pyesja se më kë ke luftuar në Koleshin, thoshte se ka luftuar me serbët. I thosha: d.m.th. ke qenë partizan se partizanët kanë luftuar me çetnikët?! “Çfarë partizani more, partizanët kanë qenë më të zi se çetnikët”. Po çetnikët kanë qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve, ti paske luftuar kundër tyre?! “Oh, jo babo, gjermanët na kanë çliruar, çetnikët i mundëm, po partizanët na mundën”. Ti paske qenë ballist – i thosha. “Jo, nuk kam qenë ballist, kam luftuar mos me i lanë serbët me hy n’Novi Pazar. Novi Pazari ka qenë Kosovë, po tani e kanë ba Serbi”, më thoshte gjyshi. A ke vra ndonjë serb e pyesja? “Nuk e di”, thoshte, “ku e kam ditë se a po e rrokë plumbi apo jo, edhe gjuaja rrallë se i kurseja plumbat se i blinim me pare, e nuk kisha shumë pare”.


Ky ishte tregimi i gjyshit, dhe duke përvijuar klasave më të larta në shkollë prisja me padurim se kur do të mësojmë për Luftën e Koleshinit, aty ku ishte plagosur gjyshi im. Ai fliste se kishin qenë me mijëra luftëtarë, ndërsa ne në shkollë mësonim për beteja shumë më të vogla, dhe shihnim filma me heronjtë partizanë me numër shumë më te vogël po askund dhe kurrë për Luftën e Koleshinit.

Mbarova dhe fakultetin dhe Lufta e Koleshinit nuk u përmend kund. As sipas versionit të gjyshit tim, e as sipas asnjë lloj versioni.

Do t’më duheshin studime të pavarura e të thelluara për të kuptuar që Lufta e Koleshinit ka qenë lufta më e ndritshme në gjithë historinë e shqiptarëve.

Çfarë ishte Lufta e Koleshinit?

Pas 11 ditëve të sulmit të kombinuar gjerman, italian, hungarez e bullgar të 6 prillit 1941, ndaj Jugosllavisë, Beogradi nënshkroi kapitullimin. Me këtë akt u krijua shteti i pavarur kroat që përfshinte Kroacinë e sotme, Bosnje e Hercegovinën, si dhe pjesë të vogla të Malit të Zi, Vojvodinës dhe Sllovenisë së sotme. Pjesa më e madhe Sllovenisë iu aneksua Gjermanisë e pjesërisht edhe Hungarisë. Hungaria aneksoi Vojvodinën, kurse Bullgaria pjesën më të madhe të Maqedonisë, si dhe një pjesë të vogël të Serbisë së sotme dhe të Kosovës së sotme. Shqipëria mori pjesën më të madhe të Kosovës, disa nga viset shqiptare në Mal të Zi dhe Maqedoninë perëndimore. Pjesa që mbeti u quajt shteti i Serbisë nën protektoratin gjerman.

Meqë Shqipëria ishte nën kurorën e mbretit Italian, Hitleri, për makinerinë e tij luftarake, deshi ta ketë nën kontroll Trepçën që ishte miniera më e madhe në Evropë për plumb dhe zink. Kështu, Mitrovica, Vushtrria, Podujeva e Novi Pazari, në vend se të bëhen pjesë e Shqipërisë, u bënë krahinë autonome në kuadër të Serbisë së kontrolluar nga gjermanët.

Serbët deshën ta shfrytëzojnë rastin për ta spastruar etnikisht këtë territor. Filluan masakrën në Bihor e vendbanime tjera të Sanxhakut të Novi Pazarit, duke avancuar në drejtim të Mitrovicës. Por, kryebashkiaku i Novi Pazarit, Aqif Blyta (1887-1945), ai që dy vite më vonë do t’ishte delegat në Lidhjen e Dytë të Prizrenit (1943) dhe deputet në Tiranë, organizoi mbrojtjen brilante. Angazhoi vullnetarë nga mbarë Sanxhaku i Novi Pazarit dhe thirri në ndihmë shqiptarët nga Drenica, Shala, Rugova e nga shumë vise tjera anë e kënd Shqipërisë së atëhershme. Ndër ata që iu përgjigjën kësaj klithme ishte edhe Shaban Polluzha (1871-1945) me rreth 3200 luftëtarë. Xhafer Deva (1904-1978), Iliaz Spahiu (Mulla Iljaz Broja) (1892-1946), Miftar Bajraktari i Llaushës etj. ishin truri i kësaj fushate.

Ja çfarë diskutonte dy vite më vonë në Kuvendin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Sali Rama, njëri nga bajraktarët e Rugovës: “Dua t’i lutem Qeverisë s’onë në Tiranë që të mundohet me na i shpëtue qato tokë krejt shqyptare që janë andej ç’prej Mitrovicet, në Pazar e në Senicë. Ato janë toka t’ona pse atje populli asht shqyptar, me zemër e me adete, si na kësaj ane. Unë i njof njato vende, pse kam kanë me luftue, bashkë me shok‘t e mij, kundra shkjevet, që dojshin me hie atje me vra e me therë njerëzit, veç se janë e duen me metë shqyptarë sikur na këndejna“.

Betejat kryesore u zhvilluan në Koleshin, rrjedhën e lumit Ibër, që nga Rozhaja në Mal të Zi, Zubin Potoku në Kosovë, e deri në Rashkë në Serbi. Shqiptarët fituan duke i zmbrapsur serbët në disa përpjekje për t’u futur në Novi Pazar.

Kjo ishte Lufta e Koleshinit që as sot e kësaj dite nuk mësohet në shkollat tona. Por, përse është e rëndësishme kjo luftë?

Nëse zhvishen nga rrenat e stër-zmadhimet ngjarjet tjera nga historia e komunistëve, kjo ishte lufta me më së shumti luftëtarë pas kryengritjes së Hasan Prishtinës së vitit 1912 (30,000 luftëtarë).
Por, nuk janë vetëm numrat që e tregojnë dimensionin e një lufte. Janë motivet në radhë të parë. Motivi i gjithë këtyre luftëtarëve vullnetarë ishte të shpëtonin popullsinë e pafajshme të Sanxhakut të Novi Pazarit nga gjenocidi. Pjesa më e madhe e këtyre luftëtarëve në atë kohë jetonte në një shtet tjetër (Drenica e Rugova ishin në Shqipëri, ndërsa Mitrovica, Shala e Novi Pazari në Serbi). Ata nuk bënë sehir duke thënë se sa gjynah si po vrasin serbët gra e fëmijë në Sanxhakun e Novi Pazarit, po rrokën armët dhe harxhuan plumbat qe i blinin me para. Nuk kishte qeveri apo agjenturë që qëndronte pas tyre. Ishte thjeshtë organizim dhe sakrificë e ndërgjegjes. Ishte solidarizim me tjetrin, me të pafajshmin. Ky është kulmi i ndërgjegjes së një populli.

Më 1993, në klubin “Faik Konica” në Londër, pata ftuar një mik anglez që të përcillnim së bashku një koncert dhe, kur po i përktheja tekstin e këngës së Ahmet Delisë (18??-1913) që po këndonin rapsodët, anglezi më pyeti çfarë patriotizmi na qenkësh ky kur kushtrimi për të luftuar është dhënë tek kur serbët janë futur në Prekaz!? Pse nuk kanë shkuar ta mbrojnë kufirin po kanë pritë që serbët të futën në katund? I shpjegova që standardet e patriotizmit anglez janë të pakrahasueshme me standardet tona, sepse ne jemi një popull i vogël e Anglia ka sunduar botën.

Por, të kthehemi te Lufta e Koleshinit. Standardi patriotik e njerëzor i kësaj lufte është pakrahasueshëm më i larti nga të gjitha luftërat në historinë shqiptare. Aty nuk u mbrojt vetëm kufiri shtetëror, por edhe më tepër, u kaluan kufijtë shtetëror për t’u mbrojtur kufijtë etnikë. Do të thoni se edhe në Luftën e Kosovës (1998-1999), edhe në atë të Luginës së Preshevës, e të Maqedonisë që ndodhën në vijim, pati luftëtarë që kaluan kufijtë respektivë shtetëror. Po, por jo në numër kaq serioz si në rastin e Luftës së Koleshinit. Prandaj, Lufta e Koleshinit paraqet standardin më të lartë të patriotizmit në historinë shqiptare.

Lokalitetet ku janë zhvilluar fushëbetejat e Luftës së Koleshinit (1941) ndodhën pjesën më të madhe jashtë, por një pjesë edhe brenda kufirit të sotëm të Republikës së Kosovës. Ato vende, qoftë edhe ato brenda kufirit, autoritetet e Republikës së Kosovës edhe katër vjet e ca pas shpalljes së Pavarësisë, mund t’i shohin vetëm nga helikopterët e KFOR-it, por këmba e tyre nuk e ka guximin t’i shkelë.

Fakti se autoritetet e Kosovës nuk guxojnë të shkojnë atje të bëjnë ndonjë përmendore apo akademi përkujtimore, nuk do të thotë që nxënësit e studentët tanë në Kosovë e Shqipëri të mos mësojnë për këtë luftë si standardin më të lartë të patriotizmit në historinë tonë.

Në trend

Më shumë
Mbyllet gjysmëfinalja e parë e Eurovisionit - këto janë 10 vendet që u kualifikuan në finalen e madhe

Mbyllet gjysmëfinalja e parë e Eurovisionit - këto janë 10 vendet që u kualifikuan në finalen e madhe

Magazina
Katër vite pritje, Dortmundi tani me një veprim hakmarrës turpëron PSG-në në rrjetet sociale

Katër vite pritje, Dortmundi tani me një veprim hakmarrës turpëron PSG-në në rrjetet sociale

Liga e Kampionëve
Shumë debate për këtë moment: A ishte penallti për PSG-në kur Hummels e rrëzoi Dembelen?

Shumë debate për këtë moment: A ishte penallti për PSG-në kur Hummels e rrëzoi Dembelen?

Liga e Kampionëve
Të ngrënit në këtë kohë shoqërohet me shtim të konsiderueshëm në peshë, thotë një studim i ri

Të ngrënit në këtë kohë shoqërohet me shtim të konsiderueshëm në peshë, thotë një studim i ri

Nutricion
Reali apo Bayerni? Tuchel tregohet i sinqertë për atë se kush i ka shanset më të mëdha për të kaluan në finale

Reali apo Bayerni? Tuchel tregohet i sinqertë për atë se kush i ka shanset më të mëdha për të kaluan në finale

Liga e Kampionëve
Ish-legjenda e njohur e Real Madridit i bashkohet Ronaldos tek Al-Nassr

Ish-legjenda e njohur e Real Madridit i bashkohet Ronaldos tek Al-Nassr

Ligat tjera
Kalo në kategori