Mbi veriun, reciprocitetin, kompromisin dhe rikomponimin e qeverisë
Prishtina e di kaçikun, Beogradi e di sa është sahati
HASHIM THAÇIT ka një muaj që i është ndryshuar jeta. Që nga 25 korriku ai zgjohet dhe bie të flejë me rrëfime për veriun. Në çdo prononcim tijin – për dallim nga vite të tëra në qeverisje i ishte shmangur kësaj teme ashtu siç shmanget litari nga shtëpia e të varurit – ai tashmë nuk zgjedh vend ku s’do të flasë për të. Veriu është kryefjalë në seancat e Kuvendit, në mbledhjet e Qeverisë, në takimet me personalitetet e deri te – vizita në punishten e autostradës. As autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë, sipas Thaçit, nuk do të kishte më kuptim pa veriun që ndan Kosovën me Serbinë.
Dhe teksa në natën kur forcat speciale të Policisë së Kosovës intervenuan në veri pa shumë fjalë dhe me shumë punë, tash punët kanë mbetur pezull, por fjalët nuk ndalen. Kryeministri i vendit e di që shumë shpejtë do t’i duhet sërish të përballet me çështjen e pikave kufitare dhe veriun në përgjithësi. Dhe e di se kjo punë nuk do të jetë e lehtë. Zaten, ashtu siç edhe u dëshmua nga 25-shi i muajit të kaluar deri me ketë 25-sh.
Leksionet janë të qarta për të gjithë. Sidomos pas vizitës tepër të rëndësishme të kancelares gjermane, Angela Merkel, në Serbi, ku në cilësinë e shtetit më kredibil të BE-së në këtë kontekst – duke mos u parë nga asnjëra palë as si shumë e afërt e as si armiqësore – u prenë teshat: Beogradi të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën dhe të shuajë strukturat paralele në veri nëse e synon BE-në, e Prishtina të mos bëjë veprime të njëanshme dhe të angazhohet për zgjidhjen e problemeve në kuadër të dialogut.
Tash Prishtina e di kaçikun e vet. Beogradi e di se sa është sahati. Dhe Perëndimi sërish e di se çka do.
Qeveria ka arritur vetëm reciprocitetin, jo të tjerat
GJITHÇKA TASH ECËN drejt cakut të parë. Ora e rërës është duke u zbrazur teposhtë dhe me datë 15 shtator s’do të ketë më rërë në pjesën e epërme. Çka duhet bërë një ditë më vonë? Duhet kthyer sërish orën mbrapshtë për t’u nisur edhe drejt një afati tjetër, apo duhet hedhur tutje e të veprohet? Kanë mbetur edhe më pak se tri javë kur pritet të skadojë ajo që u paraqit si marrëveshje 10-pikëshe e Qeverisë me KFOR-in, e që e njëjta më parë kishte marrë dritë të gjelbër nga përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë. Vetë kjo marrëveshje, dhe mënyra se si u arrit ajo, rrëfen më së miri edhe për kontekstin në të cilën ndodhet Kosova me realitetin e krijuar pas 25 korrikut.
Që të qartësohet situata esëll, duhet thënë se Qeveria e Kosovës nga ajo ditë ka pasur sukses në vetëm një aspekt, që është vendosja e reciprocitetit në doganimin e mallrave serbe, por jo edhe në dërgimin e punonjësve të institucioneve kosovare në pikat doganore dhe në shtrirjen e autoritetit dhe sovranitetit të Prishtinës në veri. Pavarësisht se për këto të dyja kryeministri Thaçi na flet tash përditë. Dhe pavarësisht vullnetit të tij të supozuar të mirë në këtë rast. Gjithçka tash ka mbetur pezull dhe nga një status quo që ka zgjatur për 12 vjet, tash jemi në një status quo tjetër, që ka një afat përfundimi.
Edhe brenda këtij konstelacioni ka një lajm të mirë brenda një lajmi të keq, dhe një lajm të keq brenda një lajmi të mirë. Teksa me status quon e parë thuajse ishin mësuar popullata dhe nuk dihej se si mund të ndryshohej ajo, tash ka një pasqyrë të qartë. Porosia: veriu është ende në lojë dhe Prishtina mund të ketë rol. Ky është lajmi i mirë brenda të keqit. Me status quon aktuale u mobilizua entuziazmi i popullatës dhe u tregua që qeveria mund të tregojë se është zot shtëpie nëse do. Mirëpo, u pa edhe se në fund sërish nevojitet një bekim si nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, ashtu edhe nga Beogradi, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje. Ky është lajmi i keq brenda të mirit.
Pas 15 shtatorit, një Marrëveshje e Re për Veriun?
QEVERISË SË KOSOVËS së shpejti do t’i duhet që nga fjalët prapë të kthehet te veprat. Mirëpo, për këtë do t’i duhet një plan shumë më i qartë veprimi, që parasheh në detaje se çka do të bëhet në atë që quhet – zbardhje e ditës tjetër. Mbase deri me datën 15 shtator edhe do të arrihet një marrëveshje në kuadër të dialogut të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe që Beogradi të pranojë vulat doganore. Kjo tashmë duket më lehtë e kapërdishme për Tadiqin, në kohën kur gjithnjë e më tepër po dëgjohen kritikat e bizneseve serbe, të cilat akuzojnë qeverinë e tyre për paaftësi politike pasi që me reciprocitetin e provokuar ata po humbin dhjeta miliona nga produktet që nuk po eksportohen në Kosovë.
Së këndejmi, qeveria serbe do ta ketë më të lehtë të arsyetohet para qytetarëve të vet me këtë “lëshim pe”, duke thënë se bëhet për shkaqe ekonomike e për të mirën e biznesit serb (“vula është vetëm një vulë dhe ajo nuk e ka vulosur humbjen e Kosovës”, sic!), teksa në të njëjtën kohë do ta shesë veten te Bashkimi Evropian se ka bërë një “kompromis të madh” për t’iu përgjigjur kërkesës për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën (“ne bëmë lëshimin tonë, me gjithë hapat e njëanshëm dhe të dhunshëm të Prishtinës, tash ata e kanë radhën”, sic!). Në këtë mënyrë, ajo që është arritur tash – reciprociteti – përnjëherë do të kthehet në diçka të panevojshme, pasi që, siç dihet, Kosova nuk ka vendosur kundër mallrave të Serbisë per se, por ka kërkuar t’u mundësohet prodhimeve kosovare ajo që u është mundësuar prodhimeve serbe. Kjo pastaj do ta relativizojë edhe nevojën që të ketë prezencë të policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat 1 dhe 31 për t’u siguruar që masat e reciprocitetit të zbatohen.
Nga ai çast, vendosja e policëve dhe doganierëve kosovarë do të nënkuptojë atë që do të duhej të nënkuptonte që nga fillimi: ekzistimin e dy shteteve. Dhe për të arritur këtë, Hashim Thaçit do t’i duhet që ta ketë një plan të qartë jo vetëm për të arritur nëpërmjet të një territori armiqësor, siç është tash veriu, deri në pikat kufitare, por edhe të sigurohet se do të mund të qëndrojë atje. Kjo mund të bëhet vetëm duke krijuar realitetin kur kalimi nëpër veri i policëve dhe i doganierëve kosovarë nuk do të bllokohet nga barrikadat e serbëve lokalë dhe strukturave paralele të udhëhequra nga Beogradi. E sërish për të arritur në një situatë të atillë, përfundimisht, do të imponohet dhe shtyhet përpara nga shumë anë – një marrëveshje e re për veriun.
A mundet Thaçi ta pranojë Një Marrëveshje të Re për Veriun?
Tadiqi si përfitues i situatës së post-25 korrikut
EDHE BORIS TADIQIT i ka ndryshuar jeta. Jo që s’e kishte pritur këtë, por ngjarjet e 25 korrikut dhe ato që pasuan, si dhe porositë e precizitet gjerman që në emër të Bashkimit Evropian ia kumtoi në Beograd kancelarja Angela Merkel, ia kanë hequr atij një barrë bukur të madhe. Ai e shfrytëzoi për bukuri situatën që u krijua pas intervenimeve në veri për të përçuar disa mesazhe si për shqiptarët, serbët dhe institucionet në Kosovë, ashtu edhe për popullatën në Serbi dhe për bashkësinë ndërkombëtare.
Ajo që është shumë e rëndësishme, e tregoi në vepër se Beogradi nuk ka më ndonjë vullnet për të luftuar për Kosovën. Me gjithë klithjet e ekstremistëve serbë, Tadiqi nuk lëvizi, së paku jo zyrtarisht. Në anën tjetër, ai, duke organizuar strukturat ilegale serbe në veri, jozyrtarisht tregoi se Beogradi kurdo që dëshiron, mund të shkaktojë trazira në atë pjesë. Teksa, serbëve të veriut ua bëri të qartë se duhet të këndellen dhe se për të arritur një marrëveshje për komunat në pjesën e epërme të Ibrit, duhet medoemos edhe pajtimi i qeverisë në Prishtinë. Gjithë këtë qartësim të pozicioneve, Tadiqi ia doli ta bëjë për vetëm një muaj, paradoksalisht, i ndihmuar nga veprimet e autoriteteve në Prishtinë.
Tash, kur me shpejtësi është rritur numri i serbëve si në veri ashtu edhe në Serbi që i kanë shuar iluzionet se Kosova mund të kthehet në gjendjen e para 1999-ës, ose edhe 2008-ës, hapësira për veprim është shumë e favorshme. Shumica serbe, përfshirë edhe shumicën e partive opozitare, e kanë të qartë: Kosova është e pavarur, tash duhet shpëtuar atë çka mund të shpëtohet. E ajo që mund të shpëtohet, sipas kutit serb, mund të paraqitet në formë të: një – shpëtimit të biznesit me Kosovën, që ka siguruar mbi 350 milionë euro në vit për ekonominë serbe, duke mundësuar reciprocitetin e shkëmbimeve të mallrave; dhe dy – të ruajë sa më tepër autonominë de fakto të serbëve në veri, me synim që në një të ardhme edhe të përdoret për pazare të tjera.
Shuarja e strukturave ilegale serbe do të vijë më një çmim
ME KËTË ESULLIM të opinionit serb, Tadiqi e ka më të lehtë ta përdorë dritën e gjelbër që po e merr nga Perëndimi – se nuk ka nevojë ta njohë Kosovën, por vetëm t’i normalizojë marrëdhëniet me të – dhe të orientohet krejtësisht kah agjenda evropiane. Për të arritur hapjen e derës për anëtarësim në BE, ai mund ta marrë edhe shumë seriozisht detyrën e shuarjes së strukturave ilegale në veri. Kështu në javët në vazhdim mund të shohim edhe arrestime të liderëve të serbëve të veriut dhe krijimin e kushteve për t’u kthyer punonjësit shqiptarë edhe në objektet e uzurpuara përtej Ibrit.
Pas kësaj, nëse arrihet të vendoset një stabilitet relativ në atë pjesë, Tadiqi do të mund të kërkojë që të ndërmerren hapa konkretë si nga Prishtina ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë që banorët e veriut të ndjehen të sigurt për të vazhduar të jetojnë atje, në realitetin e ri. Mirëpo, për të funksionuar kjo, Tadiqi pritet që ta paraqesë atë që do të mundohet ta shesë si “pozicionin me minimalit të Serbisë dhe kompromisin përtej kompromiseve”, në mënyrë që të mos bëjnë probleme serbët lokalë, e kjo do të jetë – ide përtej Planit të Ahtisaarit. Dhe, sakaq, ta hedhë topin në anën e Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Thaçi, PDK-ja, të arriturat dhe kompromiset
HASHIM THAÇI I KA pasur në tavolinë analizat se së shpejti do të mund të gjendet para aktit të kryer, kur duhet marrë një vendim për të zgjidhur çështjen e veriut. Këtë ia kanë bërë të qartë të gjithë, që nga shtetet mike, deri te ato që nuk e kanë njohur (ende) pavarësinë e Kosovës. Jo rastësisht, të gjitha palët – bashkë edhe me subjektet politike në vend – e kanë të qartë se zgjidhja për veriun duhet kërkuar me Thaçin si lider institucional dhe me PDK-në në pushtet, ndër të tjera. Dhe diçka e këtillë është dëshmuar si e vërtetë jo rrallë herë në pikat kritike përgjatë këtyre viteve të pasluftës.
Duke qenë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së i ka marrë mbi vete meritat më të mëdha për luftën e armatosur kundër Serbisë, dhe duke parë se nga njerëzit që kanë udhëhequr aty është formuar Partia Demokratike e Kosovës, vlerësimi i përgjithshëm – e sidomos ai ndërkombëtar – ka qenë se në këtë organizim duhet gjetur adresën si për arritje, ashtu edhe për kompromise në Kosovë. Në të kundërtën, do të pësonte kërcënimi tashmë i njohur me shantazhim dhe destabilizim të gjendjes.
Rrjedhimisht, kemi parë se Thaçi ka nënshkruar marrëveshjen për demilitarizimin e UÇK-së dhe kompromisin për formimin e një force për nevoja emergjente, çfarë ishte TMK-ja.
Thaçi dhe PDK-ja, ndonëse në opozitë, është dashur të jenë pjesë e Ekipit të Unitetit, që të sigurohen kompromiset që u inkorporuan në Pakon e Ahtisaarit.
Thaçi dhe PDK-ja është dashur të jenë në pushtet – detyrimisht duke ndarë përgjegjësinë edhe me partinë e dytë më të madhe LDK-në – që të sigurohen kompromiset me flamurin, himnin dhe stemën me rastin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, si dhe që të miratohet një Kushtetutë me kompromiset që rrjedhin nga Ahtisaari.
Dhe tash – sipas të gjitha sinjalizimeve – janë pjekur kushtet për t’u bërë kompromisi i fundit, sa është ende Thaçi dhe PDK-ja në pushtet dhe me popullaritet të konsiderueshëm. E ky kompromis, në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare ta heqë më nga agjenda e problemeve Kosovën, kërkohet të bëhet – në veri.
Së shpejti mund të vërtetohet se Thaçi e ka ditur se mund të ndërhyjë, dhe se nuk mund ta mbajë atë pa bekimin e Beogradit dhe të bashkësisë ndërkombëtare, por se ka vendosur që ta ndërmarrë hapin e rrezikshëm për t’u arsyetuar nesër, kur do t’i kërkohet kompromisi, se ai ka kredibilitet pasi që ka bërë më shumë se të gjithë të tjerët para tij për veriun.
Kështu, ajo që është parë përgjatë viteve si “kredibilitet i luftës”, dhe kjo që sot po insistohet të paraqitet si “kredibiliteti i siguruar më ndërhyrjen me veri”, sipas formulës tashmë të njohur, do të mund të shërbejnë si bazë për kompromiset e reja.
Mirëpo, sërish sipas së njëjtës formulë, në dialogët me vendimmarrësit pritet të përdoret kërcënimi me shantazh dhe destabilizim të situatës, por kësaj radhe me kërkesë për ristrukturim të qeverisë e rikomponim të koalicionit, duke synuar afrimin e ndonjë subjekti tash në opozitë për t’iu bashkuar PDK-së në pushtet, ose me shpalljen e zgjedhjeve të reja të përgjithshme.
Dy opsione, një i vështirë, tjetri më pak
KUR NUK KA MË KTHIM prapa, atëherë natyrshëm duhet lëvizur përpara. Në konstelacionin aktual, lëvizja përpara i ka dy opsione: ose do të merret me çdo çmim veriu i vendit dhe do të vendoset nën autoritetin e Prishtinës, ose do të bëhet kompromis me Beogradin dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Opsioni i parë, nëse ka qenë i mundur të realizohej para shumë vitesh, u pa se është thuajse i pamundur të ekzekutohet tash, pa rrezikuar që të humben jetë njerëzish, qoftë të përfaqësuesve të institucioneve të vendit, ashtu edhe të qytetarëve të thjeshtë shqiptarë e serbë, e edhe të pjesëtarëve të KFOR-it dhe të EULEX-it. Së këndejmi, ky opsion vështirë të sigurojë mbështetje nga akëcila palë.
Mbetet opsioni i dytë, si më lehtë i zbatueshëm, për të cilin pritet të shfrytëzohet edhe disponimi i Beogradit për të lëshuar pe, duke synuar që t’i sigurojë negociatat për aderim në BE. Mirëpo, si të shkojnë përfaqësuesit institucionalë të Kosovës me opsion të dytë, i cili për shumkë do të paraqesë njëfarëlloj tradhtie, pas shumë fjalëve të mëdha që janë folur deri më tash?
Natyrisht, sipas formulës tashmë të sprovuar, duhet futur në lojë “lojtarin më të fortë dhe më problematik”, në të cilën kategori deri më tash e kemi parë Thaçin dhe PDK-në, si dhe këtij lojtari duket siguruar dikë, me të cilët do të ndajë përgjegjësinë.
Do të marr lirinë këtu që të parashikojë disa skenarë të mundshëm, në të cilët do të mund të përballet vendi në javët në vazhdim.
Kthimi kah AAK-ja dhe “win-win” situata
HASHIM THAÇI TASHMË është i bindur se ia ka dalë që të sigurojë mbështetjen e një mase të gjerë të popullatës pas intervenimit në veri. Dhe, pavarësisht sa e ka pasur me seriozitet atë dhe sa e ka menduar për të fituar kredibilitet në veprimet që do të pasojnë, ai dëshiron që momentumin ta kapitalizojë sa më tepër të jetë e mundur.
Ekuacionin që e ka përpara, e që përbëhet prej fatit të veriut dhe të ardhmes së tij politike, mund të bëjë përpjekje që ta zgjidhë për të akumuluar sa më shumë kapital për veten dhe për të dëmtuar sa më tepër rivalët politikë.
Tash, Thaçi do t’i thotë oponentëve politikë se është ai dhe qeveria e udhëhequr prej tij që ka bërë më së shumti për integrimin e veriut deri më tash. Këtu ai do të përmendë, si zakonisht, milionat që pretendohet se janë investuar nga qeveria në veri të Ibrit (ndonëse nuk është parë ndonjë prodhim efekti pozitiv çfarëdoqoftë), si dhe intervenimin e forcave speciale të Policisë në pikat kufitare (ndonëse u tërhoqën ende pa arritur atje dhe si kompromis u arrit shpallja zonë ushtarake nga KFOR-i).
I përballur me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare – bashkë edhe me shtetet aleate siç është SHBA-ja – për të ecur tutje me kreativitet për të siguruar zgjidhje për veriun, gjasat janë reale që Thaçi të kërkojë që t’i marrë meritat e çdo situate të mundshme për vete, dhe të ketë një opsion sigurues, që në rast të komplikimeve, përgjegjësinë ta ndaj me parti kundërshtare.
Sërish, paraqiten dy rrugë që mund të vendosë t’i zgjedhë për të arritur një pozicionim të këtillë. Njëra është që të thotë se koalicioni i tanishëm qeverisës nuk është stabil sa duhet, se numrat i ka në tetik, dhe se në opozitë ka oponentë të fortë, si LDK-ja, Lëvizja “Vetëvendosje!” dhe AAK-ja. Në këtë mënyrë, do të llogaritet që me një lëvizje, të përfitohet shumë.
Do të minimizohet mundësia gjithnjë e më e madhe që Koalicioni për Kosovë të Re i Pacollit – edhe ashtu jostabil brenda vetvetes – të mund ta shantazhojë qeverinë, në qoftë se nuk ua kënaqë apetitet me resorë ministrorë, hapësirë në vendimmarrje dhe qasje në projektet e zhvillimit ekonomik.
Pastaj do të heqë qafe me lehtësi Listën “Dr. Ibrahim Rugova” si me afat të skaduar përdorimi, për të cilën do të llogaritet se nuk gëzon më aq simpati te votuesit pro-rugovianë dhe anti-PDK për shkak të lëvizjeve pakurrizore politike.
Kështu, Thaçit do t’i duhet t’i kthejë sytë kah opozita. LDK-ja dhe “Vetëvendosje!”, për shumë arsye të njohura që mbesin të elaborohen në ndonjë shkrim në të ardhmen, do të konsiderohen si mjaft problematike për t’u bashkuar tash në pushtet me PDK-në.
Do t’i mbetet në opsion prapë kthimi te lutjet ndaj AAK-së, në të cilën pas zgjedhjeve PDK-ja i kishte varur shpresat shumë, por përfundimisht kishte marrë një përgjigje të prerë negative.
I pari i qeverisë tash mund të kalkulojë se me një ofertë gjeneroze AAK-ja do të mund ta rimendojë edhe një herë pozicionin, tash kur qëndrimi në opozitë dhe mungesa e Ramush Haradinajt po ia vështirëson këtij subjekti gjithnjë e më tepër rolin protagonistik që do të donte ta kishte në politikën kosovare. E duke e pasur brenda qeverisë AAK-në, partinë e dytë që thirret në vlera të luftës, do të synohet që të rritet kredibiliteti për t’u përballur me kritikat e LDK-së dhe VV-së për kompromiset e mundshme me veriun.
Zgjedhje të reja për luftimin e rivalëve jashtë e brenda
RRUGA TJETËR QË MUND të shfrytëzohet, është që Thaçi të thirret në pamundësinë që me partnerët e tashëm të koalicionit të bëjë lëvizje të mëdha që prekin veriun dhe që – duke synuar edhe shfrytëzimin e entuziazmit qytetar me ngjarjen e 25 korrikut – ta sjellë situatën në imponim të zgjedhjeve të parakohshme.
Çfarë do të mund të ishin ambiciet e Thaçit në zgjedhje të reja të parakohshme?
Ndër më të rëndësishmet për të do të ishte që ta hidhte në ujë marrëveshjen Thaçi-Mustafa-Pacolli për postin e presidentit dhe zgjedhjet e reja. Me një fitore në zgjedhje të parakohshme, ai do t’i siguronte vetes edhe një mandat të plotë në qeverisje, duke llogaritur se partitë e tjera, kryesisht për shkak të problemeve të brendshme, do të mblidhnin më pak vota se në zgjedhjet e fundit, e ndonjëra mbase edhe të mos e kalojë pragun. Njëkohësisht, do t’i mundësohej që të vazhdonte projektin e filluar para zgjedhjeve të kaluara për të larguar përfundimisht rivalët brandapartiakë.
Sido që të jetë, të gjitha paralajmërimet janë se na pret një vjeshtë shumë dinamike, që do të determinojë shumëçka si në politikën kosovare ashtu edhe në funksionimin e shtetit të Kosovës. A do të bëhet më mirë se ç’është tash, apo do të degjenerojë situata, do të varet shumë nga serioziteti dhe analiza e hapave që do të ndërmerren nga politikëbërësit në vend.
E Hashim Thaçi, ky maestro i dëshmuar i kthimit të situatave në favor të vetin, pritet që edhe një herë të provojë që asgjë të mos ia lë rastit – në cilëndo situatë që do t’i dalë përpara.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNë xhamitë e Kosovës ligjërohet edhe për zgjedhjet
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh
Zbulohet çmimi i veturës më të lirë elektrike nga Volkswagen
Revista Time provokon me kopertinën e re, vendos Musk në tavolinën e presidentit - vjen reagimi i Trumpit
Krisa befason me deklaratën: Kisha tërheqje ndaj vajzave për një periudhë, kisha qejf t’i shikoja
Asteroidi me përmasat e një fushe futbolli është nisur drejt Tokës - propozohet dërgimi i një arme bërthamore në hapësirë për ta devijuar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
"Le ta bëjmë një marrëveshje", Zelensky i ofron Trumpit minerale të rralla në këmbim të ndihmës financiare
Netanyahu mohon shtetin palestinez: Le ta krijojnë shtetin e tyre në Arabinë Saudite
Votimi në diasporë: A ka rrezik për manipulim në transportin e zarfeve zgjedhore?
Trump: Izraeli do t'ia dorëzojë Gazën SHBA-së pas luftimeve
Legjenda e Milanit u shkarkua nga posti i trajnerit pasi nuk e futi në lojë djalin e presidentit
Tom Jones qëndroi me dashurinë e fëmijërisë deri në vdekjen e saj, por martesa e tyre 59 vjeçare u shoqërua me shumë tradhti