LAJMI I FUNDIT:

Mbi trurin e elefantit, francezët tolerantë, patentat ruse të prapambetjes dhe një projekt marramendës në Indi

Mbi trurin e elefantit, francezët tolerantë, patentat ruse të prapambetjes dhe një projekt marramendës në Indi

Shifrat e përditshmërisë janë pasqyra më e mirë e gjendjes së shteteve, shoqërive dhe botës

257 miliardë

Nuk bëhet fjalë për euro, as për dollarë, as për lekë. Shkencëtarët kanë zbuluar në trurin e një elefanti afrikan jo më pak se 257 miliardë qeliza nervore. Rrjedhimisht, i bie se elefanti ka tri herë më shumë qeliza nervore se truri i njeriut. Megjithatë, elefanti nuk është më i mençur se njeriu. Dhe, ja përse: për shkak të shpërndarjes! 97,5 për qind e qelizave nervore të elefantit gjenden në trurin e vogël, i cili kontrollon motoriken. Në trurin e madh, aty ku gjendet aftësia për të menduar, elefanti ka 5,6 miliardë qeliza nervore. Domethënë: dy të tretat më pak se njeriu.

76 për qind


Përkundër numrit gjithnjë e më të madh të myslimanëve që shkojnë në Siri e Irak për të luftuar përkrah terroristëve islamikë dhe përkundër sulmit të përgjakshëm ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris, shumica e francezëve kanë mendim pozitiv për myslimanët. Sipas një ankete të Pew Research Center, 76 për qind e francezëve kanë mendim pozitiv për pakicën myslimane që jeton në Francë. Madje, përqindja e francezëve që kanë mendim “shumë pozitiv” për myslimanët u shtua nga 14 për qind në 25 për qind.

109 milionë

Afrika mbetet kontinenti më i goditur nga sëmundja ngjitëse e AIDS-it. Por, edhe në këtë pjesë të botës ka përparim në vetëdijesimin e njerëzve mbi rrezikun e infektimit. Për shembull, në Zimbabve vitin e kaluar janë shpërndarë 109 milionë kondomë – katër herë më shumë se në vitin 2013. Rreth 10 për qind e 15 milionë banorëve të Zimbabvesë janë të infektuar me virusin HIV. Numri i të infektuarve nga viti 2009 është rritur për 30 për qind.

230 mijë euro

Këtë shumë shteti polak do t’ua paguajë Abd al-Rahim al-Nashirit dhe Abu Subeidas si dëmshpërblim. Këta dy persona dyshoheshin se janë anëtarë të rrjetit terrorist al-Qaeda. Ata u mbajtën nga CIA në një burg ilegal në Poloni, ku edhe u torturuan. Kundër keqtrajtimeve në Poloni të ndaluarit iu drejtuan Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Por ata nuk mund të bëjnë gjë me paratë, sepse ende mbahen në burg në Guantanamo.

71745

Shifrat shpesh tregojnë mbi zhvillimin e shteteve se sa përshkrimet e gjata. Në vitin 2014 në Entin Evropian të Patentave u prezantuan 71’745 patenta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ose: 74 herë më shumë se nga Rusia. Kjo statistikë nga Brukseli konsiderohet bazë krahasuese për nivelin zhvillimor dhe përparimin e një vendi. Në vendin e parë janë SHBA-të, pas tyre vijnë Japonia me 48,657 dhe Gjermania me 31,647 patenta të lajmëruara. Rusia mezi ka prezantuar 967 patenta.

2,6 miliardë euro

Irani është shtet represiv dhe kontrollon edhe jetën private të qytetarëve – së paku aty ku është e mundshme. Kush konsumon alkool apo drogë rrezikon ndëshkime dhe dënime të rënda. Megjithatë, edhe një regjim i ashpër si ai në Teheran nuk arrin të kontrollojë gjithçka. Tregtarët e drogës në këtë vend për çdo vit fitojnë 2,6 miliardë euro. Më së shumti ata shesin hashash dhe heroinë. Kjo shumë është një e treta e parave që shteti investon në zhvillimin e vendit, tha ministri i brendshëm Abdolreza Rahmani Fazli. Sipas tij tretarët e drogës i përdorin fitimet e tyre të pista për të siguruar pushtet dhe për të korruptuar politikanë.

2,28 milionë

Gjermanishtja konsiderohet si gjuhë e vështirë për t’u mësuar. Frikësuese janë fjalët e gjata gjermane, përemrat “der, die, das” dhe shumë tatëpjeta të tjera gramatikore. Kjo nuk i frikëson polakët: 2,28 milionë shtetas të Polonisë aktualisht mësojnë gjermanisht. Kështu, Polonia i prin listës së vendeve që mësojnë gjermanisht. Javëve të fundit ka pasur shumë debate në lidhje me përtacinë e francezëve për të mësuar gjermanisht: vetëm gjysmë milioni të “Grande Nation” (“kombit të madh”) mësojnë gjuhën gjermane. Në mbarë botën 15 milionë njerëz mësojnë gjermanisht.

4000

Kaq, pra 4000 rupi, që bëjnë rreth 60 euro, Qeveria e Indisë ia paguan çdo amvisërie për ndërtimin e një nevojtoreje. Gjysma e parave paguhen menjëherë, pjesa tjetër kur të sillen fotografi si dëshmi për ndërtimin e tualetit. 636 milionë banorë të Indisë jetojnë pa nevojtore. Kjo është e rrezikshme sidomos për gratë, sepse ato gjatë natës janë të detyruara të braktisin shtëpinë. Synimi i qeverisë është që deri në vitin 2019 të gjithë banorët e Indisë të kenë nevojtore.

397 milionë dollarë

Gjatë fundjavës Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se kanë liruar nga burgu i Guantanamos gjashtë të burgosur. Ata janë kthyer në Oman, pasi që në Jemen, shtetin prej nga vijnë, nuk mund të udhëtojnë për shkak të trazirave. Ata qëndruan 13 vjet në Guantanamo – sipas të gjitha gjasave të pafajshëm. Vetëm në vitin 2014 SHBA-të kanë paguar 397 milionë dollarë për të mbajtur burgun në Guantanamo. Kjo i bie se për çdo të burgosur taksapaguesit amerikanë kanë harxhuar 2,6 milionë dollarë. Aktualisht në Guantanamo mbahen 116 të burgosur.

24 mijë

Për çdo ditë vijnë lajme mbi atentatet me bomba dhe armë të tjera në Irak. Rutina e këtyre lajmeve i bën njerëzit jashtë Irakut indiferentë ndaj tragjedisë. Që nga fillimi i vitit 2014 në këtë vend janë vrarë 24 mijë njerëz. Që nga viti 2003 në Irak janë varë apo rrëmbyer 200 gazetarë. /Dialog Plus/