LAJMI I FUNDIT:

Mbaroi afati, katër kandidatë për kryetar të LSDM-së

Mbaroi afati, katër kandidatë për kryetar të LSDM-së

Në ora 16:00 skadoi afati për paraqitjen e kandidaturave për kryetar të LSDM-së. LSDM brenda afatit ka pranuar katër kandidatura: Dimitar Kovaçevski, Frosina Remenski, Vllastimir Aleksovski dhe Jovan Despotovski, njoftojnë nga partia për “Fokus”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër do të analizojë dhe verifikojë kandidaturat që plotësojnë kriteret e deklaruara.

Sipas Statutit, LSDM-ja zgjedh kryetarin e partisë në zgjedhje të drejtpërdrejta, të jashtëzakonshme brendapartiake. Me vendim të Këshillit Ekzekutiv të datës 26 nëntor 2021, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë shpallur dhe do të mbahen më 12 dhjetor 2021 (e diel).


Procedura e aplikimit filloi më 27 nëntor 2021 dhe zgjati shtatë ditë. Të drejtë kandidimi kanë pasur të gjithë anëtarët e LSDM-së që plotësojnë kriteret në përputhje me Statutin e LSDM-së. Për kryetar të LSDM-së mund të kandidojë personi i cili ka së paku pesë vjet anëtarësim në parti dhe i cili është zgjedhur nga Kongresi të paktën një herë anëtar i njërës prej organeve të partisë.

Zgjedhjet lokale do të zhvillohen nga 80 komisione komunale zgjedhore dhe borde të vendvotimeve./Telegrafi/