Luan Rama
Po të lini bregun e Senës, dhe të ngjiteni sipër, drejt “Avenue Montaigne”, për të dalë në “Champs Elysées” apo “Harkun e Triumfit”, në nr. 12 të “Avenue Montaigne”, lart, në katin e sipërm, në ballkonin e gjelbëruar ishte apartamenti i dikurshëm i Marlen Dietrichut, ku ajo jetoi që nga mesi i viteve 1960 e gjer atë ditë kur sytë e saj u shuan. Dita e 6 majit, është dita e vdekjes së, aktores time të parapëlqyer, fetishe… E paharrueshme kjo aktore që më grishte gjithnjë nga ekrani me lojën e saj dhe atë të qeshur të lehtë sikur të qeshte e lozte me botën, jetën, veçse jo me dashurinë, sepse gjithë jetën ajo kishte dashuruar artin, njeriun, burrat e saj.
Ishte viti 1992, pothuaj një vit pasi kisha shkelur në Paris. Në festivalin e Kanës që përgatitej të hapej atë vit, ishin varur afishet me portretin e saj në filmin “Marlene” të regjisorit Maximilian Schell. Atë vit festivali do t’i përkushtohej kësaj artisteje të madhe, edhe pse dihej se ajo nuk do të vinte: ajo vuante, ishte në pragun e vdekjes. Marlene ishte midis jetës dhe vdekjes, midis koshiencës dhe inkoshiencës, në pragun e fundit të botës së të gjallëve.
Në ekranin e kinemasë ajo kishte vdekur shumë herë me rolet e saj. Dhe kështu, pas shumë “vdekjeve” aktoriale, ajo kishte kaluar në një “koma” kinematografike pasi për dekada të tëra ajo u shkëput nga filmi dhe kjo për të ishte një lloj “vdekje klinike”, pasi asaj i mungonte ajri i kinemasë, sheshi i xhirimit, atje ky kishte lindur si artiste.
Dhe ja, atë ditë të 6 majit, ajo vdiste vërtet aty në hotel, heshturazi, një lajm që habiti shumë njerëz në të katër anët e botës, pasi shumë prej tyre e dinin se kishte vdekur me kohë. Më 10 maj, arkivoli i saj u përcoll drejt kishës së Madelaines, duke kaluar nga “Place de la Concorde”. Qindra e qindra njerëz, një lum njerëzor kishte vërshuar drejt kishës. Madje do të doja të hyja dhe unë atje, por e pamundur. Duhej të qëndroje në rrugën e bllokuar, në atë atmosferë magjike që ndodh kur këputen yjet e vërtetë, duke dëgjuar jehonën e largët të organos në një Te Deum.
Kështu shkonte drejt varrezave të Berlinit, atë ditë maji të vitit 1992, Marlen Ditrih. Turistët e shumtë e shikonin të heshtur atë kishë monumentale duke risjell në kujtesë, secili, filmat ku kishte mishëruar rolet e saj kjo aktore, një nga më të shquarat të botës së kinematografisë. Dhe festivali që hapej në Kanë atë ditë, me copëzat e filmave që risillnin jetën e saj në ekran, u kujtonte të gjithëve se sa i madh kishte qenë kontributi dhe përkushtimi i saj në artin e kinemasë. Marlene “l’immortelle” (e pavdekshmja), “Engjëlli Blu”, shkonte kështu përfundimisht…
Pikërisht atë ditë, në kthim, do të risillja në mendje “Engjëllin…”, “Morocco” e Josef von Sternbergut, apo “Shanghai Express”, filma që i shikoja në fillimin e viteve 1980 në vitet e kulmit të diktaturës, në atë sallë të vogël dhe të errët të arkivit të filmit në Kinostudio, ku me Abaz Hoxhën, drejtorin e Arkivit të Filmit, pasioni për historinë e filmit na bashkonte shumë. Aty shikonim “Metropolis” të Fritz Langut, filmat e Sternbergut, krijimet e amerikanit David Grifith, filmat e George Pabstit, Lubitchut, Murnaut, “Iluzionin e Madh” të Renoirit, ekspresionistët apo filmin “Extase”, një poemë erotike kinematografike amerikane në bazë të poemës të Vítezslav Nezval, aq të dashur për mikun tim Gëzim Erebara.
Të duket e paimagjinueshme që pikërisht në një kohë të tillë dhe në një “zonë të ndaluar” ne shikonim “Engjëllin Blu# dhe ata filma “kapitalistë, “imperialistë”, të papajtueshëm për artin e realizmit socialist. “Engjëlli Blu” me Marlene Dietrichun ishte filmi im i parapëlqyer. Më pas kisha shkruar një shkrim në revistën “Skena dhe Ekrani”, por unë nuk e dija se në një farë mënyrë, aktoren mitike Marlene Dietrich do ta takoja sërish. Jo pse thjesht poeti francez dhe miku i afërt i Kadaresë, Alain Bosquet, më dhuroi librin që sapo kishte botuar për të, “Dietrich, un amour par téléphone” (“Dietrich, një dashuri përmes telefonit”), një libër – dialog e me kujtime, një bashkëbisedim i gjatë mes tyre për artin e kinemasë, për lojën e aktorit, personazhin, mitin dhe lavdinë si dhe me konfidenca mbi dashurinë, jetën dhe vdekjen, një libër pra i mbushur me copëza bisedash gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit të jetës së saj.
Në maj të vitit 1992, siç e shkruan edhe në librin e tij, Bosquet kishte botuar për të një poezi të titulluar: “ Requiem pour Marlene Dietrich”, ku ai kishte shkruar :
“Zonjë
Ti je fisnikja e padukshme e dëshirës
Zonjë, në sajë tuaj, midis vdekjes e legjendës
Koha nuk ka kohë të bëhet vetë koha !…”
Ajo që më kishte bërë përshtypje në jetën e saj parisiane, ku përjetoi një nga dashuritë e saj më të mëdha, atë me aktorin Jean Gabin, ishte dhe një objekt personal i saj, një divan ku ajo kaloi një dhjetëvjeçar mbi të dhe pjesën e fundit të jetës: divani i sallonit të saj. Dhe shkas për këtë ishte Norma Bosquet, gruaja e poetit dhe kritikut Alain Bosquet, të cilët për herë të parë i kisha takuar në një ekspozitë të piktorit impresionist Toulouse-Lautrec në “Grand Palais” të Parisit. Ishte Kadare që më prezantoi. Dhe një miqësi e bukur lindi mes meje dhe Normës çka do të më kujtonte mes të tjerash dhe Marlen Dietrichun.
Më kujtohet mirë ajo ditë kur ne e përcollëm në varrezat e Montmartës mikun tonë Alain Bosquet, i cili vdiq gjashtë vjet më vonë se Marlene. Ndiqnim Normën, gruan e tij amerikane, që ai e kishte njohur në Berlin, kur punonin në zyrat ushtarake të NATO-s dhe të Ushtrisë amerikane në Berlinin perëndimor. Më pas ata kishin ardhur në Francë. Mbas vdekjes së Alainit, në një nga takimet tona në shtëpinë e saj, kur ra fjala për librin e Marlenes, ajo më tregoi se pothuaj dy dhjetëvjeçarë ajo kishte jetuar bashkë me aktoren Dietrich, si një sekretare e guvernante në apartamentin e saj, pikërisht në “Avenue Montaigne”, atje ku me parë vinte dhe e takonte i dashuri i saj francez, aktori i famshëm Jean Gabin.
Norma kishte qenë shumë e afërt me të dhe dinte gjithçka të saj që nga viti 1977 kur ajo u angazhua pranë saj si sekretare. Padyshim që kjo lidhje e saj më entuziazmoi, por kur ajo më tha një ditë se divani ku isha ulur kishte qenë divani ku pothuaj një pjesë të madhe të kohës rrinte Marlen Dietrich, kjo padyshim më tërhoqi shumë. Po, atje ishte shtrirë “Engjëlli Blu”. Ajo ia kishte dhuruar atë Normës para se të vdiste, para se të helmonte veten (me ilaçe, dy ditë pas hemorragjisë cerebrale), siç do ta zbulonte këtë fakt të panjohur Norma në librin e saj me kujtime për Marlenen, “Marlen Dietrich – sekretet e fundit”.
Atje, mbi atë divan, e mrekullueshmja Marlene kishte qëndruar me orë të tëra, me ditë, muaj dhe vite, me atë trishtim që i rëndonin gjithnjë e më shumë qepallat, sytë, e tërhequr nga bota, nga njerëzit… “Ah, sytë e saj”, më tregonte Norma, “duart e bukura të saj me atë lëkurë të bardhë e transparente. Ajo ishte gjithnjë e bukur, me ato këmbë të gjata për një grua tepër të shkurtër si ajo…”!
Në librin e saj me kujtime, Norma kujtonte: “Kur e takova për herë të parë më 1977 (kur ajo ishte 76-vjeçare) më kapi një emocion që s’mu shqit kurrë, edhe pse unë isha e pranishme në degradimin e saj fizik gjatë atyre viteve gjer në vdekjen e saj. A nuk ishte ajo hyjnesha tërheqëse me të cilën na kishte mësuar kinematografia dhe ‘music-hall’? Me sytë e saj blu, me lëkurën e saj transparente dhe zërin, atë çka ajo e kishte ruajtur aq të pastër dhe tronditës, çka e kishin kthyer në një idhull, ajo paraqiste një sharmë të një bukurie të gjallë. Sapo ajo fliste, unë dëgjoja ‘Engjëllin blu’. ‘Ich bin eine Kunstlein’ (Unë jam veçse një artiste). Megjithëse s’mund të gjej një krahasim tjetër për surprizën time, unë zbulova atë ditë një Marlene shtatvogël, pak më të gjatë se Edith Piaf, një Marlene që më arrinte gjer poshtë supeve.
Duke e shikuar mbi skenë e imagjinonim dimensionin e saj fizik në lartësinë e gjenisë së saj, por kjo vinte nga ndërtimi i veçantë i atij trupi me një bust të vogël, kofshë dhe këmbë jashtëzakonisht të gjata, të famshme dhe joshëse nëpër kohëra.
Në moshën 76-vjeçare, zonjusha Dietrich mund t’i tregonte ende gjithë planetit këmbët e bukura të saj…. Edhe pse më 1977, ajo ishte viktimë e dy aksidenteve, ajo mbante ende taka të posaçme që i fshihnin problemet e saj. Ajo nuk donte ta fotografonin. Nëse ka ndonjë fotografi pas vitit 1977, ajo është bërë pa autorizimin e saj.
Ajo vdiq më 9 maj të vitit 1992 në apartamentin e saj në Paris. Nga viti 1977 e deri në atë datë të trishtë të largimit të saj nga kjo botë, unë isha konfindentja e saj, mbështetësja e saj morale e fizike, madje dhe më shumë, mikja e afërt e saj.
Quhem Norma Bosquet, e lindur me mbiemrin Caplan, në Amerikë dhe jam vejusha e shkrimtarit të madh Alain Bosquet. Ne u martuam në vitin 1954 dhe nuk u ndamë gjer në vdekjen e tij më 1998. Vallë kjo tregonte besnikërinë time?! Kështu ka qenë dhe në miqësi. Edhe pse me një karakter të vështirë, me Marlenen (ajo e kishte këtë të drejtë), miqësia jonë i përballoi të gjitha goditjet dhe ngjarjet e ndryshme. Një Zot e di nëse ka patur ndonjë zënkë… ardhur ngado, nga miqtë që pretendonin se ishin, nga vajza e saj, nga një prej nipave të saj…
Po përse dhe si u bëra një njeri i tillë për Marlenen, që ajo të më kushtonte aq lavde, të më dedikonte fotografi, libra, dhe shumëçka, aq sa më së fundi më tha: ‘Norma, si do të kisha mundur të jetoja pa ty ?’… Sigurisht, tepër thjeshtë, por ishte rastësia që e solli. Pas takimit tonë në Berlinin e pushtuar pas lufte, ku ne jetuam për ca kohë me ushtarakë të tjerë dhe ku unë punoja për shërbime të ndryshme të administratës amerikane dhe Alain shkruante, ne erdhëm të banonim në Paris. Në vitin 1976 arrita që Ambasada amerikane të më kalonte në pension dhe në atë kohë Alain kërkonte që të gjeja një punë në gjysmë-kohë. Por, unë s’doja të punoja sepse ndiqja kurse pikture, çka më pasiononte shumë. Një ditë, ajo që më zëvendësoi pranë Konsullit të Përgjithshëm më njoftoi se e kishte marrë në telefon Marlenen dhe i kishte kërkuar ndonjë person që mund ti rekomandonin për ta ndihmuar në redaktimin, shkrimin dhe daktilografimin e kujtimeve të saj…”!
Sa herë shkoja tek Norma, e shikoja me nostalgji atë divan dhe në mendje risillja imazhet e roleve të saj. Po, aty ishte shkatërruar ngadalë ai trup i bukur dhe shumë sensual që isha mësuar të shikoja në sallën e errët të Kinostudios, aty ishin tretur ngadalë ata gjinj të dehur e të puthur aq shumë, ajo gojë e ëmbël që qeshte pareshtur si të donte të qeshte me jetën, pasi ndoshta jeta i dukej si një lojë adoleshence, si një moment xhirimi, si një skenë teatri… thjesht një krijim. Po, shikoja kolltukun dhe përpiqesha të imagjinoja Marlenen e shtrirë dhe bukurinë që venitej, duke parë botën nga ballkoni i saj në katin e katërt të asaj banese “hausmaniane”. Dhe, ajo këtë e ndjente, e kishte ndjerë që në vitet 1960 e më pas, aq, sa më vonë, ajo kishte vendosur të zhdukej nga sytë e publikut, që regjisorët të mos e filmonin më, fotografët të mos e fotografonin imazhin e saj të fashitur dhe të mos pranonte më intervistat e gazetarëve…
Madje, edhe kur miku i saj i afërt Maximilian Schell do të xhironte filmin mbi jetën e saj, ajo nuk pranoi ta filmonte… mjaftonte zëri i saj, zëri dramatik, zëri që këndonte aq bukur këngët si Lili Marlene!… Po, ajo donte që njerëzit të ruanin imazhin e dikurshëm të saj, dhe që rrjedhimisht dhe unë, si miliona spektatorë të tjerë të botës, të ruaja gjithnjë në sytë e mi atë imazh të Lolës në “Engjëlli Blu”… kështu, njerëzit do të shikonin veç Marlenën e rinisë…
Ai divan, dukej se kishte ende aromën e Marlenes, aromën e atij trupi gjithë sharm, që u shfaqej dikur në fillimin e vitit 1945 ushtarëve amerikanë që shkonin drejt Berlinit. Po, atje ishte dremitur “Engjëlli Blu”, me kofshët e vajzës së kabaresë, ku profesori plak, i interpretuar nga i famshmi Emil Janings, do të përgjërohej e do të binte nën sharmin e asaj çapkëneje…
Në vitin 1979, duke shkruar librin biografik të saj dhe duke kujtuar vitet që kalonte në apartamentin parisian, e fshehur nga bota, Marlene pohonte: ”Tani jetoj në Paris… Drita e tij mjafton të zbusë dhe zemrat më të ashpra. Drita e Parisit është blu. D,he me këtë nuk dua të them se qielli këtu është blu. Jo, nuk është. Por, drita është blu. Magjia që ushtron Parisi është e vështirë të shpjegohet, ashtu si dashuria e një burri dhe e një gruaje. Mund të çlodhesh në Paris dhe të lësh jetën të rrjedhë në kursin e vet të shfrenuar. Por, është dhe vetmia. Dhe ajo nuk është komode. Disa ditë apo netë mund të thuash se s’ka më mirë se sa vetmia. Por, ka ditë e netë që vetmia është e padurueshme. Për një periudhë mësohesh, por kjo s’do të thotë se jemi paqetuar me të. Nga këto vite vetmie unë kam qenë e cënuar nga ajo. Jam tmerrësisht e plagosur. Ah, sa do të doja të shërohesha, të shpresoja kundër çdo shprese, që plagët të më dhimbnin më pak…”!
S’ka pak vite që dhe Norma Bosquet vdiq. E gjetën në vaskën e apartamentit të saj, ashtu të vetmuar. Më dhëmbi shumë ajo grua e mirë dhe ndërkohë risolla në mendje divanin e “Engjëllit Blu”. Kushedi ku gjendet tani ai divan mendova… kushedi… dhe në fakt çdo gjë materiale shuhet në këtë botë, por veç ajo çka krijohet në art, ajo gjithnjë mbetet… arti dhe kujtimi i artistit!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje