LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, pak kursehet energjia

Maqedoni, pak kursehet energjia

Rreth 90 për qind e objekteve banesore dhe afariste në Maqedoni janë jashtë të gjitha standardeve të efikasitetit energjetik, shkruan gazeta KOHA. Me fjalë të tjera, pak zbatohen masat që me harxhimin minimal të energjisë, të ruhet niveli i komforit të ngrohjes si dhe shkalla e prodhimtarisë.

Gjegjësisht, pak shfrytëzohet energjia racionalist qoftë e rrymës apo derivateve të naftës për ngrohje apo ftohje e hapësirave apo në industri, komunikacion, veprimtaritë shërbyese, bujqësi etj. Ekspertët thonë se në Maqedoni ngadalë po ndërmerren masa për rritjen e efikasitetit energjetik që nënkupton edhe kursimin e energjisë, siç janë blerja e veturave që harxhojnë më pak karburant, ndryshimi i dritareve, izolimi, blerja e aparateve në amvisëri që kursejnë energji, vendosja e kolektorëve të diellit, poçave kursyese etj, por, megjithatë, akoma ka hapësirë që të rriten më shumë investimet në përdorimin më efikas të energjisë.

Sipas analizave të Qendrës për efikasitet energjetik “Macef”, pengesa për rritjen e përdorimit të masave të ndryshme të efikasitetit energjetik, janë mungesa e mjeteve financiare, informimi i pamjaftueshëm, kapaciteti i dobët për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm etj.


Sipas drejtorit të projektit për menaxhment industrial të USAID, Dragan Blazhev, pjesa më e madhe e hapësirave banesore në Maqedoni, nuk i kënaq standardet e efikasitetit energjetik.

“Investimi në efikasitetin energjetik të banesave shpaguhet përmes uljes së konsumit të energjisë, për shkak se nënkupton llogari më të ulëta për ngrohje gjatë dimrit. Periudha e kthimit të investimit varet nga kostoja e materialeve për efikasitet energjetik, llojit të energjensit që shfrytëzohet për ngrohje të hapësirës banuese etj”, thekson Bllazhev.

Sipas tij, masa tipike që zakonisht zbatohen për efikasitet energjetik në subjektet banesore dhe afariste, janë përdorimi u izolimit termik në muret e jashtme të objekteve, ndryshimi i dritareve ekzistuese me dritare energjetikisht efikase, izolimi i dyshemesë dhe tavanit etj. Më e volitshme dhe më e shpagueshme është që këto lloj masa të parashikohet gjatë projektimit të ndërtesave të reja dhe të zbatohen gjatë realizimit të objekteve. Nëse bëhet fjalë për ndërtesat dhe shtëpitë individuale ekzistuese, atëherë lartësia e mjeteve të efikasitetit energjetik zakonisht lëviz prej 5 deri 10 për qind të vlerës së tregut të banesës gjegjësisht objektit në varësi se cilat masa zbatohen dhe për çfarë cilësie të materialeve bëhet fjalë thekson Bllazhev.

Ekspertët e energjetikës shpjegojnë se invesimet në efikasitetin energjetik janë disa herë më të mëdha se përfitimet.
“Efikasiteti energjetik është një nga resurset më ekonomike që siguron stabilitet ekonomik, ruajtje të ambientit dhe zvogëlim të importit të energjenseve të shtrenjta. Andaj duhet të sigurohet kohë për ndërtimin e objekteve të reja si dhe ajo të zbatohet në objektet ekzistuese për shkak se çdo denarë i investuar në efikasitetin energjetik kthehen si tre denarë fitim. Gjithashtu, të gjitha rikonstruimet e spitaleve, shkollave etj, autobusët e ri, ndriçimi i ri rrugor, si dhe qytetarët që ndërrojnë dyert dhe dritaret, bëjnë izolimin e banesave apo shtëpive të tyre janë pjesë e efikasitetit energjetik”, vlerëson profesori universitar Konstantin Dimitrov.

Sipas tij duhet të dallohet kursimi i energjisë dhe efikasiteti energjetik, për shkak se e para nënkupton se heqim dorë prej diçka, ndërsa efikasiteti energjetik nënkupton rritjen e cilësisë së jetesës. “Për të dyja termet, është e përbashkët ulja e harxhimeve energjetike. Por, megjithatë mënyra e uljes dallohet për shkak se me efikasitetin energjetik nuk ndryshon komfori apo cilësia e jetesës, ose nuk rrezikojmë procesin prodhues. Nga ana tjetër nëse kursejmë energji, kjo nuk shkon pa uljen e komforit ose zvogëlimin e cilësisë së prodhimtarisë”, shton më tej Dimitrov.

Ndryshe, Objektivat e BE-së obligojnë shtetet anëtare të saj, që në vitin 2020 krahasuar me vitin 1990, të reduktojnë konsumin e energjisë me 20 për qind dhe të rrisin përdorimin e energjive të rinovueshme me 20 për qind. Në tetor 2014, Këshilli i Evropës aprovoi një paketë të re për klimën dhe energjinë, që synon rritje të Efikasitet Energjetik në vitin 2030 deri në 30 për qind. Në Maqedoni, në fazën aktuale, si vend kandidat në BE, efikasiteti energjetik arrin në diku 9 për qind të kursimit të energjisë.