LAJMI I FUNDIT:

Lokja ime, bereta e zezë, plisi, kufiri…

Lokja ime, bereta e zezë, plisi, kufiri…

Bota e fëmijërisë sime ka qenë e thjeshtë. Kishte vetëm shqiptarë dhe serbë. Serbë kishte shumë. Sot serbë ka më pak, por bota është komplikuar më shumë (pos shqiptarëve dhe serbëve janë lajmëruar edhe do tjerë).

Bota e lokes sime ishte po ashtu e thjeshtë në përbërje, por shumë më e rrezikshme se e imja. Ajo e ndante botën në: Na dhe Ata, që në fakt, sipas saj, ndarja përfshinte ‘shiptart’ me ‘shkije’. Sipas lokes, Ata nuk kishin asgjë të përbashkët me Ne. Ata as nuk flisnin, as nuk visheshin, as nuk dukeshin, as nuk silleshin, as nuk qanin e qeshnin e as nuk hanin e pinin sikur Na.

Bota, sipas definicionit të lokes, më dukej shumë e rëndë dhe impononte segregim.


Lokja ishte e sigurt që ‘dynjaja shpejt ka mu ba hashërr-neshërr’. Kur e pyesja për domethënien e ‘hashërr-neshërr’, ajo përgjigjej:’ “Përzihemi me Ata e dikur bahemi sikur Ata”.

Të bëhesh sikur Ata, për loken ishte fundi i botës apo ‘soni i dynjasë’ – siç thoshte ajo.

Njëherë u ktheva nga Beogradi me një beretë të zezë në kokë, një lloj kapele që atëherë (besoj edhe sot) në popull quhej ‘kapuç francuski’. E bleva vetëm për arsye që të dukem më ‘frajer’. Për asgjë tjetër. Lokja u tmerrua kur më pa në atë gjendje. E kapi kapuçin me dy drunj të shporetit (nuk e prekte me dorë dot) i qeli broncat dhe e lëshoi në prush. Me habi e shikoja se si i dilte flaka dhe tymi beretës sime taze t’re.

‘Jeni ba sikur Ata. Veç kapuçat ju kanë metë pa i ndërru’ – më tha dhe shtoi: ‘Mos ma flliq derën’!

Në botën e saj sundonte plisi. Çdo kapelë tjetër ishte e huaj për te.

Një ditë e shikoja në televizor një meç boksi mes Xhevdet Pecit dhe një malazezi, emri i të cilit sot nuk më kujtohet.

‘Kush asht ai tjetri’ – më pyeti. ‘Një malazez’ – i thashë shkurt dhe me mospërfillje (tekefundit, çka dinë plakat se çka është boksi).

‘A shkâ asht ai tjetri a’? – e vazhdoi ajo në mënyrën e saj. ‘Malazez’, i thashë me nervozë dhe shtova: ‘Mos i përzij senet’.

‘Po de, shkâ. A dallohen a?’

Unë atëherë e merrja veten për të mençur. Lokja ishte e pashkollë dhe pasi ishte edhe e moçme, ishte rralluar – mendoja unë. Prandaj, i mbaja ligjërata në lidhje me kombet dhe kombësitë dhe dallimet e tyre. Ligjërata të bazuara në të drejtën kushtetuese dhe sistemin politik, natyrisht.

‘Nisoj janë’ – përfundonte ajo dhe jepte shenja se nuk ishte e interesuar të dëgjonte se çka thoshte ‘shkenca’ për Ata. E dinte ajo vet.

Bota e lokes fillonte diku larg, por përfundonte te Udha e Frengit (hekurudha: Preshevë – Bujanoc). Hekurudha ishte kufiri i saj me botën tjetër, me Ata. Matanë Udhës Frengit i kishte rënë burri duke e mbrojtur kufirin që e sulmonin Ata. Përjetimet janë mësim. Në rastin e lokes përjetimet ishin udhërrëfim për të ardhmen. Ishin edhe diktim për mënyrën e jetës.

‘Pse ma dogje kapuçin?’ – e pyesja shpesh. Nuk përgjigjej me fjalë dhe mundohej ta shtrëngonte gojën se kishte frikë mos i plaste gazi. Megjithatë, buzëqeshja e ambël ia tradhtonte qëllimin.

Bota e lokes ka ndryshuar moti. Edhe bota ime po ndryshon. Gjithnjë e më shpesh po mendoj që kjo botë shpejt do të bëhet ‘hashërr – neshërr’. /Telegrafi/

lokjaa
Daut Dauti në foto me loken (1979)

Në trend Kultura

Më shumë
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
Në nder të Sylvia Plathit

Në nder të Sylvia Plathit

Analiza
NJË PYETJE

NJË PYETJE

Poezi

"Koha e kometës" dhe "Heshtja e Lornës" në Selanik

Kultura
Kalo në kategori