Telegrafi

Lojtari më i mirë i javës në Bundesliga shënoi het-trik dhe u kthye në shtëpi me biçikletë

Në fundjavë, lojtarët e Union Berlinit ishin bindës në fushën e tyre ndaj skuadrës së Mainzit, të cilin e mposhtën me rezultat të lartë 4:1, dhe heroi i vendasve ishte Kevin Behrens.

Sulmuesi shtatlartë i skuadrës së Berlinit shënoi tre gola në këtë ndeshje, duke arritur het-trikun e tij të parë në Bundesligë.

Për golin e parë iu deshën vetëm 50 sekonda, ndërsa të dytin e shënoi në minutën e nëntë.

Me golin e tretë që shënoi në mesin e pjesës së dytë, ai kurorëzoi lojën e tij dhe përveç golave ​​të mrekullueshëm, në një tjetër mënyrë të shkëlqyer gëzoi publikun në Gjermani.

 

Gjegjësisht, pas ndeshjes, Behrens është kthyer në shtëpi me biçikletë, gjë që nuk është tipike për lojtarët elitar, të cilët kryesisht ngasin vetura të shtrenjta.

Tifozët e Union Berlinit e panë atë në rrugë dhe fotografuan heroin e tyre, i cili do të jetë një nga shpresat e tyre kryesore në Ligën e Kampionëve, ku fituan kualifikimin sezonin e kaluar për herë të parë në historinë e tyre. /Telegrafi/