LAJMI I FUNDIT:

Leksionet e AC Milan dhe futbolli kosovar

Përmes “Milan Junior Camp” në Prishtinë, mësuam se fëmijët tanë ende nuk i kanë mësuar shumë elemente të magjisë së futbollit, ndërsa trajnerët e shkollave të futbollit në Kosovë, kanë patur rastin që këtë kamp për pesë ditë ta shfrytëzojnë si seminar dhe pa shpenzime.

Festa e 28 Nëntorit për futbollistët e vegjël ishte eveniment i dyfishtë. Ata u veshën me fanelat kuqezi, që për koincidencë fanela e gjigantit italian AC Milan i mban ngjyrat e flamurit tonë kombëtar. Fëmijët tanë për të parën herë patën fatin që të veshin fanela cilësore “firmato” siç thoshin vet ata, pasi gjithmonë kanë veshur fanela që as ishin “firmato” as u binin tamam!


Iniciator i kësaj ngjarjeje të madhe ishte Rezart Taçi, pronar i kompanisë shqiptare “Taçi Oil”, i cili jo vetëm e solli legjendën e futbollit italian Franco Baresi dhe trajnerët e këtij klubi prestigjioz, por nxori në pah edhe faktin se futbolli kosovar është duke u dergjur dhe është larg standardeve evropiane si me infrastrukturë, ashtu edhe me segmente të tjera të organizimit.

Jo rastësisht kemi mbetur më të izoluarit e Evropës. Edhe një herë doli në pah se kemi mungesë vullneti për organizim evenimentesh të këtilla. Përkundër faktit se kampi u organizua për fëmijët e grupmoshave nga 8 deri 14 vjeç, dikush shkoi deri aty sa në listën e konkurrentëve dhe mbrapa kulisave provoi të fuste edhe fëmijë që i kishin mbi 15 vjeç, gjatësia e të cilëve prej mbi 1.70 cm. i sfidonte fatosët dhe pionierët e rinj!

* * *

Si prind i një fëmije që ka ëndrra dhe pasion që një ditë të bëhet futbollist profesionist, për pesë ditë me radhë i kam përcjellë stërvitjet e trajnerëve italianë me fëmijët tanë. Jemi mrekulluar me punën e tyre, por edhe jemi trishtuar për faktin se fëmijët tanë ende nuk i kanë mësuar shumë elemente të domosdoshme të magjisë së futbollit. Në çdo çast dhe gjithmonë të palodhur, trajnerët italianë jo vetëm ua mësonin fëmijëve tanë finesat e futbollit, por ata gjenin kohë që t’u falnin edhe dashuri e ngrohtësi të madhe, që në fushat e futbollit në Kosovë nuk i kanë përjetuar kurrë.

Është e dhimbshme që punën me futbollistët e vegjël erdhën ta përcjellin legjenda e futbollit kosovar Luan Prekazi, pastaj ish-futbollistët dhe trajnerët shumëvjeçarë Hysni Maxhuni e Rufki Ballazhi, por pjesëmarrja e trajnerëve të rinj ishte simbolike, derisa pikërisht këta trajnerë “pretendojnë” që ta avancojnë futbollin kosovar dhe të sigurojnë ekzistencën e familjeve të tyre nga ky sport.

Trajnerët kosovarë nga të gjitha shkollat e futbollit në Kosovë kanë patur rastin që “Milan Junior Camp” për pesë ditë ta shfrytëzojnë si seminar dhe pa shpenzime. Për habinë tonë kjo nuk ndodhi, por edhe angazhimi i Federatës së Futbollit të Kosovës mungoi dhe prania e saj as që dukej gjëkundi…

* * *

Ka disa vite që jemi duke bërë hesape pa hanxhiun. Flasim për futbollistë të shquar kosovarë që luajnë në Evropë dhe mburrjet tona më pastaj marrin trajta neveritëse. Mburremi me futbollistin kosovar Valon Behrami, por harrojmë se ai shkoi në Zvicër kur ishte vetëm dy vjeç, derisa Samir Ujkani ka shkuar në Belgjikë kur ishte foshnjë disamuajshe. Kështu përafërsisht ka ndodhur edhe me Lorik Canën, Xherdan Shaqirin, vëllezërit Xhaka dhe shumë futbollistë të tjerë që janë kosovarë, por nuk kanë stërvitur në Kosovë.

Në dhjetë vitet e fundit mund të mburremi vetëm me Fatos Beqirajn, aktualisht titullar në FC “Dinamo” të Zagrebit dhe Etrit Berishën, i cili u transferua në FC “Kalmar” të Suedisë. Një “aksident” i suksesshëm si i Beqirajt dhe Berishës nuk është përsëritur më.

Leksionet e gjigantit italian AC Milan, duhet të jenë mësime për ne. Së pari duhet të mendojmë seriozisht për infrastrukturën e cila është në gjendje të mjerë, pastaj t’i rikonsolidojmë seriozisht kryesitë e klubeve dhe shkollat e futbollit. Edhe Federata e Futbollit të Kosovës duhet t’i ridimensionojë politikat dhe vizionet e saj.

Me këtë infrastrukturë dhe organizim nuk na pranon UEFA, prandaj çfarë kërkojmë atje?! Së pari duhet të jemi konkurrentë në rajonin e Ballkanit, pasi edhe këtu jemi të fundit, pastaj të synojmë Evropën. Buxheti për futbollin kosovar varet nga shteti dhe donatorët, prandaj bashkëpunimi midis këtyre dy segmenteve duhet të jetë më i ngushtë për ndërtimin e strategjive afatgjata. Kryeqytetit të Kosovës i duhet një qendër stërvitore dhe me një vullnet minimal mund ta realizojë këtë projekt.

Është bërë zakon në Kosovë, që edhe ngjarjet e mëdha sportive t’i përmbyllim keq. Krejt në fund, edhe kësaj radhe fitues të këtij kampi dolën të jenë kryesisht fëmijët dhe nipërit e biznesmenëve. Sikur këta biznesmenë të kishin më shumë prirje që të investonin në futboll se sa në kurdisje të “sukseseve”, atëherë futbolli kosovar do të ishte ndryshe, krejt ndryshe…

“Bravo, bravo!”, thërrisnin të entuziasmuar trajnerët e AC Milan, kur fëmijët tanë i realizonin suksesshëm elementet e stërvitjeve, por a është “bravo” për ne më të vjetrit? Vështirë për ta besuar!