LAJMI I FUNDIT:

LDK dhe guximi për të vepruar

LDK nuk është antiamerikane dhe antievropiane, por mungesa e guximit për të vepruar nuk i përket as pragmatizmit politik amerikan, as atij evropian. Lidershipi i LDK-së duhet ta mundë frikën dhe ta kultivojë guximin për të ndërmarrë veprime të rëndësishme

1.
Gjendja në Lidhjen Demokratike të Kosovës është e nderë. Nuk ka si të jetë ndryshe kur ish-nënkryetarin e parë të kësaj partie dhe gjeneratorin e politikës kosovare akademik Fehmi Aganin e ka zëvendësuar Teuta Sahatçia, ish-sekretarin e Përgjithshëm dhe karizmatik, Anton Kolajn e ka zëvendësuar Ismet Beqiri, ndërsa ish-këshilltarin e presidentit Rugova, të urtin Xhemail Mustafa e ka zëvendësuar Fidani i Rrokum TV-së.


Tash kur LDK shënon ndonjë përvjetor, apo organizohet ndonjë forum i lartë, themeluesve të saj mirëseardhje u urojnë udhëheqësit e ish-partisë së shuar Ora dhe “ekspertët shpëtimtarë” të Riinvestit. Dorën në zemër, të parët erdhën në krye të LDK-së falë angazhimit të ish-shefit të saj, Fatmir Sejdiu, ndërsa të dytët falë angazhimit të shefit aktual, Isa Mustafa. Derisa LDK ka resurse të brendshme të të gjitha profileve me bollëk, udhëheqja e saj gabimisht është duke e kërkuar “shpëtimin” nga jashtë.

Mëkatari më i madh i këtyre stërkeqjeve është nënkryetari i LDK-së, akademik Sabri Hamiti. Ky intelektual, i cili për 22 vjet thirret në frymën rugoviane dhe vlerat tradicionale të partisë më të vjetër në Kosovë, sot duartroket dështimet e radhës në partinë e tij, edhe kur në krye të saj rreshtohen kundërshtarët më të mëdhenj të liderit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Ai jo rrallë me fjalimet e tij brilante në Parlamentin e Kosovës i tejkalon edhe përmasat e partisë së tij, por më 17 mars të këtij viti, pikërisht në vendlindjen e tij në Podujevë, kur bendi shëtitës i vuvuzelave e ndërpreu fjalimin e kryetarit aktual të LDK-së, Hamiti nuk e vuri në funksion autoritetin e tij, apo nuk pati guxim që të bëj thirrje ose “heshtni vuvuzela”, ose “bjeruni vuvuzelave!”.

Lidhja Demokratike e Kosovës është në udhëkryq të madh…

Në vend të reformave është instaluar fryma antireformë dhe në vend të frymës rugoviane është instaluar fryma antirugoviane. Presidenti Rugova asnjëherë nuk ka bërë politika përjashtuese jo vetëm në partinë e tij, por as në skenën politike dhe institucionale në Kosovë. Edhe kur kritikohej jo rrallë p.sh. nga veprimtari Adem Demaçi, Rugova përgjigjej: “Demaçi është simboli dhe krenaria e rezistencës kombëtare…!”, ndërsa edhe kur kritikohej nga shkrimtari Ismail Kadare, Rugova përgjigjej: “Kadare është shkrimtar i madh…!”. Kjo është madhështia e frymës rugoviane. Ky është refuzimi estetik. Kjo është fryma e politikës jopërjashtuese dhe tolerancës së madhe. Sot, ai që kritikon LDK-në, qoftë edhe me qëllim të avancimit të performancës së saj e pret linçimi. Kjo parti tash një kohë nuk është në kursin e politikës rugoviane dhe pikërisht për këtë nuk guxon të keqpërdoret emri i Rugovës, sa herë që në LDK fryjnë stuhitë dhe bën acar i madh.

2.
Dinamizimi i reformave në LDK, të kujton “dinamizimin” në kohën kur këtë parti e udhëhiqte dr. Fatmir Sejdiu, i cili me përkushtim të madh e dërgoi LDK-në drejtë humnerës. Anëtarësia e gjerë e LDK-së qe entuziazmuar kur në Kryesi të LDK-së javën e parë pas mbajtjes së Kuvendit VII zgjedhor në nëntor të vitit 2010 nuk u rizgjodh kryeshefi i barsoletave, Eqrem Kryeziu dhe humbësi i përjetshëm i zgjedhjeve në Kaçanik, Lutfi Zharku, por për çudi brenda javës “triumfalisht” që të dy u rikthyen në gjirin e nënës parti. Këto ishin “reformat” në Kryesinë e LDK-së dhe ndonjë ndryshim i keq kozmetik si nuset e dikurshme, kur në mungesë të kozmetikës tualetin e fytyrës e bënin me të bardhë të zhivës, derisa u prisheshin edhe dhëmbët nga kemikalet e saj.
Dihet që 37 degët e LDK-së as që e kanë hedhur ndonjë hap serioz në aspektin e reformimit të tyre. Sado që pushtetin lokal dhe atë qendror i kanë përcjellë afera të mëdha, degët e pareformuara të LDK-së e kanë vështirë që të rikthejë pushtetin e humbur.

Se LDK e ka humbur udhën në oborr, flet fakti kur lidershipi i saj i futi 20 të rinj në Këshillin e Përgjithshëm. Të jesh kundër të rinjve, është më shumë sesa të jesh përbuzës e injorant, por njëzetë anëtarët e rinj të Këshillit të Përgjithshëm, përveç emrave dhe mbiemrave nuk parathonë asgjë. LDK-së i duhen njerëz me dije e integritet, me guxim e vizione që ofrojnë projekte për të ardhmen e saj dhe të vendit. Komoditeti për të eksperimentuar më së paku i takon LDK-së, aq më shumë kur dihet që vendi gjendet përballë krizës ekonomike, papunësisë së madhe, larg integrimeve evropiane, larg liberalizimit të vizave, larg kujdesit shëndetësor, larg avancimit të sistemit arsimor dhe larg shumë segmenteve të tjera, që janë duke e goditur Kosovën dhe qytetarin e saj.

Ideja që domosdoshmërisht në Kryesinë e LDK-së dhe në organet e saj të larta të sillen njerëz që janë të rinj vetëm në moshë, është ideja më vetëvrasëse për një parti politike që synon primatin e të udhëhequrit me vendin. Fytyrat e reja në LDK nuk duhet të jenë domosdoshmërisht vetëm të rinjtë nën moshën 30 vjeç, por fytyra të reja duhet të jenë ekspertët e dëshmuar në fusha të ndryshme si profesionistë dhe si njerëz të dinjitetshëm. LDK të këtillë ka mjaft, veçse ata duhet seleksionuar, pastaj duhet inkurajuar, duke u mundësuar që të angazhohen papengueshëm në punëtoritë e tyre, por krejt në fund edhe duhet mbrojtur ata. LDK është e vetmja parti, që asnjëherë nuk i ka mbrojtur, as provon t’i mbrojë anëtarët e saj.

LDK tashmë gjendet midis ekstremit të dy grupmoshave; shumë të vjetërve dhe tepër të rinjve. Ky hap i pamenduar mirë, mund të sjell pasoja të pariparueshme dhe të detyron të imaxhinosh situata groteske. Është njësoj sikur studentët t’u mbajnë leksione profesorëve dhe këta të fundit të jenë të detyruar që t’u nënshtrohen leksioneve dhe urdhrave të studentëve të tyre! Ky veprim të kujton proverbin e njohur: “Kush fle me fëmijët, në mëngjes zgjohet i lagur”. Tash disa vjet në LDK frekuentojnë shumë gjyshër e gjyshe, të cilët më shumë vijnë aty sa për të kaluar kohën dhe për fatin e saj të keq, ata
LDK-së nuk mund t’i japin asgjë. Ekstremi tjetër në LDK janë çunat dhe gocat, që aq furishëm po ngjiten në majat e saj, të cilët me të njëjtën shpejtësi marramendëse edhe do të bien përdhé. Në këtë mes “aksidentalisht” është harruar brezi i “artë”, ai i viteve ‘60-ta dhe ’70-ta, të cilët edhe kanë bërë shkollim më normal se sa të gjithë brezat tjerë, por edhe ishin bartës të proceseve të mëdha deri në pavarësinë e Kosovës.

3.
Prononcimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell është keqinterpretuar. LDK nuk është antiamerikane dhe antievropiane, por mungesa e guximit për të vepruar nuk i përket as pragmatizmit politik amerikan, as atij evropian. Lidershipi i LDK-së duhet ta mundë frikën dhe ta kultivojë guximin për të ndërmarrë veprime të rëndësishme.

Dihet që anëtarësia e “fjetur” e LDK-së tash disa vjet, është më e madhe se anëtarësia aktive e saj. Elektorati me të drejtë pret angazhimin e njerëzve që kanë dije profesionale dhe integritet njerëzor për t’i avancuar proceset në Kosovë. Udhëheqja e LDK-së për ta bindur këtë armatë anëtarësh të fjetur, por edhe anëtarët aktiv të saj, duhet të tërheq paralele të rëndësishme. Të konsolidojë një Kryesi të pranueshme dhe Këshillin e Përgjithshëm, si dhe t’i reformojë degët e partisë, ndërsa kryetari i LDK-së që ta bindë elektoratin se e ka seriozisht me reformat, nuk është vonë që të bëj reforma pikërisht në Komunën e Prishtinës, të cilën e udhëheq ai.

LDK është duke bërë opozitë vetëm përmes kumtesave për opinion. Kjo figurativisht t’i kujton ushtritë e mundura në periudhën e mesjetës, të cilat pasi i kanë humbur betejat janë ngujuar në kështjellë, ndërsa harkëtarët lëshojnë ndonjë shtizë kuturu, sa për të dëshmuar se ende janë gjallë.

Përvoja e deritashme e të gjitha partive të vjetra politike evropiane kur ato ishin në krizë, ka dëshmuar se vetëm themeluesit e akëcilës parti e kanë nxjerrë atë nga kriza, qoftë edhe nëse ata nuk janë anëtarë aktiv të saj. Lidershipi i LDK-së duhet t’i konsultojë themeluesit e saj që nuk janë të paktë si Jusuf Buxhovi, Rexhep Ismajli, Ibrahim Berisha, Anton Kolaj e disa të tjerë. Kështu kanë vepruar të gjitha ato parti politike, sa herë janë gjendur në udhëkryq dhe sa herë kanë patur kriza ideshë dhe guximi për të vepruar.