Për idealet në botën kapitaliste, për frymëzuesit mashtrues, për utopinë dhe realitetin, inteligjencën dhe injorancën, izolimin dhe shoqërimin, për familjen si shtet dhe dashurinë si fuqinë më të madhe në botë!
Në Athinën e lashtë, një qytet-shtet që bazohej në dije e që e çmonte dijen, ai që nuk merrej me çështje “madhore” perceptohej si person pa edukim e bile edhe i pandershëm. Ndaj, fjala greke “idiot” kishte të bënte me ata që nuk kanë marrë pjesë në politikë dhe në çështjet publike. Pra, “idiot” ishte ai që merrej me punët e veta e jo të popullit.
Në një shoqëri që nuk bazohet fort në dije, si kjo shqiptarja, mençuria më e madhe është të merresh me veten, pra me i këqyr punët e tua! Çuditërisht, këtë “detyrë” e kryejnë më së miri ata që nuk duhet, politikanët, e pjesa dërrmuese e popullit merret me punët e huaja.
Në këtë realitet dhe në këtë rreth, si duhet të edukohet fëmija?
Aktori, skenaristi dhe regjisori Matt Ross, ia ka shtruar vetes këtë pyetje, për rolin dhe praninë që duhet ta ketë ai tek fëmijët e tij të rrethuar nga injoranca e teknologjia moderne. Në kërkim të përgjigjes realizon një vepër kult të kinematografisë, “Captain Fantastic” (“Kapiteni fantastik”, 2016) – një film për babanë, nënën, fëmijët, familjen, teknologjinë, injorancën, diturinë, politikën, religjionin, shtetin, padrejtësinë, idealizmin, mashtrimin e mbi të gjitha dashurinë.
SHTETI “IDEAL” DHE SËMUNDJA
Pak libra kanë pasë ndikim në rrjedhat historike, sa “Republika” (Shteti) e Platonit. Kryevepra e filozofit të Greqisë së lashtë, vazhdon të jetë themeli i teorisë politike. Por, synimi kryesor i kësaj vepre kurrë nuk u realizua: shteti i së drejtës! Mbase edhe për arsye se shteti i Platonit ishte një projeksion utopik për një shoqëri sipas konceptit të tij të ideales!
Ky shtet do të përbëhej nga udhëheqësit (filozofët), rojet (ushtarët) dhe prodhuesit. Udhëheqësit e rojet, si pjesët më me rëndësi të shtetit, nuk duhej të kishin prona private, sepse kjo do ta prishte njeriun. Madje, rojet nuk duhej të kishin familje. Gratë e fëmijët duhej të ishin të të gjithëve.
Rëndësi për rojet do të kishte edukimi, ku pjesë të rëndësishme do të zinte muzika dhe gjimnastika. Ndërsa, sundimtari duhej të ishte i zgjuar, i besueshëm dhe i gatshëm të bënte jetë të thjeshtë. Kur ka harmoni mes këtyre tri shtresave dhe kur secili kryen obligimet ashtu siç secilit i takon, atëherë shteti do të jetë i drejtë.
Meqë Platoni ishte i vetëdijshëm se shteti ideal nuk është lehtë i arritshëm, e duke ditur se çdo shtet përbëhet nga dy shtete – nga konfliktet e përhershme të “shtetit” të të varfërve dhe “shtetit” të të pasurve – zgjidhja tjetër që e proklamoi te “Ligjet” ishte familja dhe shteti ligjor.
Lufta e të kundërtave, “dy shteteve”, është edhe brenda njeriut. Sa herë që dominon e keqja, ajo që dëmton, lufta është sëmundje. E tillë ishte sëmundja e Leslie Abigail Cashit, që vuante nga çrregullimi bipolar (depresioni maniak) që karakterizohet nga ndërrimi i shpeshtë i disponimit (humorit). Leslie dinte të ishte e lumtur, të bënte plane për të ardhmen, por edhe të kalonte në ekstremin tjetër – pothuajse katatonik – të depresionit. Për të gjetur shërimin për sëmundjen e saj, me burrin Ben dhe gjashtë fëmijët e tyre krijojnë republikën e Platonit në malet e Uashingtonit.
KAPITALIZMI DHE DITA E CHOMSKYT
Kapitalizmi amerikan për shumëkënd është dëshmuar si sistemi më i suksesshëm dhe më i drejtë në botë. Por, veç 25 për qind e amerikanëve janë pro kapitalizmit, për faktin se shumica besojnë se ky sistem karakterizohet nga lakmia dhe nga ndarja e pabarabartë e të mirave dhe e pasurisë. Kjo pabarazi në pasuri, në një mënyrë dëshmohet edhe nga statistikat e vitit 2017, sipas të cilave tetë persona – Bill Gates, Amancio Ortega, Warren Buffett, Carlos Slim, Jeff Bezos, Mark Zuckerberg, Larry Ellison dhe Michael Bloomberg – kanë pasuri sa gjysma e njerëzve në botë, pra sa afro katër miliardë njerëz.
Shtetet e Bashkuara, në 10 amendamentet e Kushtetutës së saj, proklamojnë të drejtat e njeriut dhe liritë e shprehjes. Këto amendamente, që njihen edhe si Karta e të Drejtave, garantojnë të drejtat dhe liritë të cilat nuk mund të shkelen nga qeveria. Por, më 2010, Gjykata Supreme mori vendim që korporatat kanë të drejta sa njerëzit, duke mos pasë limite në financimin e kandidatëve për president të SHBA-ve. Kjo, në një mënyrë, do të thotë se shteti sundohet nga korporatat.
Kështu, për të shmangur këtë realitet materialist dhe sundimin e korporatave, familja Cash braktis sistemin dhe mënyrën amerikane të jetesës – duke gjetur strehë aty ku nuk ka rrugë të asfaltuar, as tym fabrike, as supermarkete me ushqim kalorik e jo të shëndetshëm, as antena satelitore, as rrymë e as pajisje “të mençura” digjitale – për t’ua mësuar fëmijëve idealet që ka synuar përherë njerëzimi.
Frymëzues i kësaj familjeje është Noam Chomsky. Ai është “guruja” i tyre, udhërrëfyesi dhe frymëzuesi. Ata madje e festojnë Ditën e Chomskyt, e jo Krishtlindjet, sepse nuk duan t’i binden besimit në një “karkanxholl fiktiv magjik, në vend të një humanitari të gjallë (Chomsky) që ka dhënë shumë në promovimin e mirëkuptimit dhe të drejtave njerëzore”.
“Nëse thua se nuk ka shpresë, atëherë ti merr mbi vete përgjegjësinë se nuk ka shpresë. Nëse thua se ka tendencë për liri, atëherë ka gjasa që gjërat të ndryshojnë; atëherë ka gjasa që ti të ndihmosh për ta bërë botën një vend më të mirë”, ka thënë Chomsky dhe kjo thënie nxit familjen Cash në misionin “Shpëtimi i nënës e babait”!
Chomsky konsiderohet si një nga linguistët, filozofët dhe kritikët socialë më të mëdhenj të shekullit XX. Njihet si socialist liberal që kundërshton “imperializmin amerikan” dhe politikat e jashtme të SHBA-ve. Një ndër temat e tij të preferuara është Kosova, së cilës ia ka kushtuar shumë shkrime, shumë intervista e madje edhe librin “The New Military Humanism: Lessons From Kosovo” (Humanizmi i ri ushtarak: Mësimet nga Kosova).
E VËRTETA E SHTREMBËRUAR
Nobelisti dhe lideri i Çekosllovakisë dhe Çekisë, Vaclav Havel, ka thënë më 10 qershor 1999 se “lufta në Jugosllavi ishte pikë referimi në marrëdhëniet ndërkombëtare, meqë “për herë të parë të drejtat e njeriut të një populli, në këtë rast të shqiptarëve e Kosovës, u morën të parat parasysh”. Ndërkaq, filozofi i madh Francis Fukuyama, më 17 shkurt 2008, në New York Times shkruante se “nuk duhet të harrojmë mësimet e viteve ’90 se shtetet e forta, si SHBA-të, duhet të përdorin forcën për të mbrojtur të drejtat e njeriut e për të promovuar demokracinë”. Si shembull për këtë ai merr faktin se spastrimi etnik i Kosovës kundër shqiptarëve u ndal pikërisht nga bombardimi i Serbisë nga NATO.
Por, për Chomskyn, të përdorësh termin gjenocid në Kosovë është fyerje për viktimat e Hitlerit. Ai madje insiston se nuk ka pasë fakte se në Kosovë po kryhen krimet e mëdha, porse ato u shtuan veç gjatë bombardimeve. Ndërsa, atë që ka thënë kryeministrin britanik Tony Blair, se dështimi i bombardimeve do të shkatërronte kredibilitetin e NATO-s dhe se bota pastaj do të ishte më pak e sigurt, ai e quan parim mafioz meqë “sulmet e NATO-s paraqesin kërcënim të sistemit të sigurisë ndërkombëtare”. Ai madje ishte kundër sasisë së ndihmave humanitare që i dërgoheshin Kosovës pas përfundimit të luftës, ndërsa për shqiptarët thoshte se po kryejnë pogrom ndaj të tjerëve!
Havel kishte vuajtur në një sistem komunist nga i cili është i ndikuar Chomsky, ndërsa shpëtimin e tij e të popullit të tij e gjeti te vlerat perëndimore. Ndërsa, Fukuyama është ai që demokracinë amerikane e cilëson si më korrektin, si model që do ta ndjekin të gjithë të tjerët.
Chomsky thotë se realiteti politik në SHBA shtrembërohet nga interesat e korporatave që i përdorin mediat dhe institutet politike për të promovuar propagandat e tyre. Por, a mund ta thotë Chomsky të vërtetën kur në analizat e tij selekton veç raportet e institucioneve apo të mediave që bien ndesh me politikën e jashtme amerikane e që përputhen me mendimin e tij? A është e ndershme që bombardimi i objektit të Radiotelevizionit të Serbisë – burimit kryesor të propagandës së Sllobodan Millosheviqit, personit që ishte përgjegjës edhe për luftën në Slloveni, në Kroaci e në Bosnje dhe Hercegovinë – ta quajë akt terrorist e të mos ndjejë keqardhje për viktimat e shumta civile shqiptare?
A është pra në rrugë të drejtë familja Cash?
RRËNIMI I IDEALEVE
Cashët janë hipikët e kohëve moderne, që refuzojnë pabarazinë e kapitalizmit. Mund të jenë edhe komunistë. Pamfleti më i njohur politik, “Manifesti komunist” i Karl Marxit dhe Friedrich Engelsit, thoshte se historia e shoqërisë se sotme është histori e luftës së klasave dhe e fitores së paevitueshme të proletariatit. E, kjo familje e realizoi idealin që ata e proklamonin: botën pa klasa, të drejtë e të barabartë.
Ata jetonin sipas rregullave dhe orareve strikte. Ishin prodhues, sepse e siguronin vet ushqimin. Por, ishin edhe roje që i kushtonin çdo ditë kujdes ushtrimeve fizike dhe arsimimit – filozofisë, drejtësisë, politikës, letërsisë, matematikës, fizikës kuantike… Ishin edhe udhëheqës, meqë shquheshin për zgjuarsi e bënin jetë modeste.
E vërteta ishte parimi i tyre dhe atë e kërkonin përmes debatit dialektik. Secili duhej të kishte mendim dhe guxim për t’u shprehur, por edhe për t’u ballafaquar me mendimet e të tjerëve. Ndërsa, muzika ishte jo veç formë e çlirimit nga obligimet tjera më të rënda, por edhe dëshmi tjetër e tendencën së tyre për të vërtetën. Platoni (që kërkonte edukim muzikor të ushtarëve), thoshte se as poezia, as skulptura, as teatri nuk e thonë të vërtetën. Këto arte janë imituese të idesë së krijuar nga Zoti. E, muzika është ligji moral që i jep shpirt universit, krahët mendjes, fluturim imagjinatës dhe bukuri e hare jetës dhe çdo gjëje. Muzika pra është e vërteta!
Këta ishin udhëheqësit e Republikës ideale të Platonit. Gjashtë fëmijë të shëndetshëm, të bukur, të sjellshëm e të aftë për të mbijetuar në ambiente të ashpra. Ata ishin unikë edhe për nga emrat – Bodevan, Kielyr, Vespyr, Rellian, Zaja dhe Nai Por, për çfarë mund të flasë kjo familje me të tjerët, me banorët e botës së teknologjisë dhe injorancës? Për materializmin dialektik? Luftën e klasave? Për marksizmin? Trockizmin? Maoizmin? Cila është e vërteta në këtë botë?
Idealet dinë të jenë rrënuese. Malet e ashpra nuk e shëruan Leslien. As Republika që e ndërtoi me familjen. Kështu, nevoja e shtyri që shërimin e shtrenjtë ta kërkojë nga sistemi mjekësor kapitalist. Për të kujdeseshin prindërit e saj të pasur. Por, pas disa muajve larg burrit dhe fëmijëve, ndodhi ajo që jo rrallë ndodh me personat që vuajnë nga çrregullimi bipolar- vetëvrasja. Me vdekjen e saj u përmbys një shtyllë e shtetit – familjes! Burri humbi gruan që e donte, fëmijët e humbën strehën e ngushëllimit. Me vdekjen e saj lindin edhe dilemat se çka është prind i mirë, çka fëmijë i lumtur e çka e vërtetë!
“ANTIIMPERIALISTI” KAPITALIST, PUSHTETI PËR POPULLIN DHE PËRNDRITJA
Leslie ishte budiste, që për të ishte filozofi e jo religjion i organizuar, të cilin e urrente. Religjioni i organizuar – cilido qoftë ai – për të ishte përralla më e rrezikshme që është zbuluar, që është krijuar veç për të nxitur bindjen e verbër dhe për të mbjellë frikë në zemrat e të pafajshmëve e të painformuarve. Për të “gjëja më e keqe se vdekja është të dish se mishi që kalbet do të kurthohet përgjithmonë brenda një kutie të madhe që të varroset në mes të një fushe”. Ndaj, amaneti i saj i fundit ishte që të digjej trupi i saj, që të festohet cikli i jetës me valle e muzikë e që, me të qeshura, të hidhej hiri i saj në guacën e ndonjë tualeti publik.
Përmbushja e këtij amaneti e largon familjen nga xhunglat natyrore drejtë xhunglave të betonit, ku shumica e njerëzve jetonin të rënduar nga mbipesha e injoranca. Në këtë rrugëtim, aftësitë e tyre për mbijetesë vihen në sprovë. Gjuetia nuk është e lehtë në zona urbane. Aty e vërteta fshihet dhe shkolla nuk është gjë tjetër pos shmangie disaorëshe nga teknologjia.
Pediatri Benjamin Spock, më 1946 kishte shkruar një nga librat më me ndikim në histori: “Foshnja dhe kujdesi fëmijëror”. Sipas kësaj vepre u edukuan fëmijët e bum-gjeneratës, ata që më vonë ishin pjesë e kundërkulturës – lëvizjes hipi. Pjesë e tyre u bë edhe Spock, sepse këta kryengritës jokonformistë ishin produkt i tij. Por, për trashëgimtarët e këtyre fëmijëve, Spock është një personazh fiktiv i fantashkencës, me vesh të çuditshëm që shihet në filmat “Star Trek”. Ndërsa, Bachu dhe Hugo janë emra që dëgjohen për herë të parë!
“Udhëheqësit” tash përjetojnë “epifani”: dituria po i bën të paaftë! Ata kundërshtojnë edhe didaktizmin e babait, sepse emocionet po i njohin nga librat e jo nga përvojat. Në këtë kaos orientimi, ndodh kryengritja: sfidohet bindja ndaj babait, sfidohet autoriteti dhe dashuria e tij, sfidohet edhe Dita e Noam Chomskyt e edhe slogani “Pushteti popullit” që u afirmua nga një këngë e vitit 1971 e John Lennonit, “dhjetë vjet me vonesë” (siç do të thoshte gazetari i madh, Hunter S. Thompson), gjë të cilën e pranon edhe Lennon kur më 1980 thotë se “është shkruar në gjendje gjumi duke pasë qejf me qenë i pëlqyer nga Tariq Ali (një tjetër aktivist kontrovers politik që thotë se lufta e NATO-s kundër Serbisë më 1999 ishte luftë për hegjemoninë e SHBA-ve në Evropë, e që e promovoi një tjetër lider kontrovers në Britani – Jeremy Corbyn në krye të Partisë Laburiste)”.
Bota nuk ndryshohet duke u izoluar nga bota; bota nuk ndryshohet duke bërë jetë asketi, përderisa ideologu “antiimperialist”, Noam Chomsky, jeton si milioner kapitalist që kërkon 12 mijë dollarë për një ligjëratë, që përfiton nga librat, nga investimet, fjalimet që i shiten në CD… “Pse, a mos duhet të jetoj në një kasolle në Montana?”, i ka thënë ai gazetarit Peter Schweizer.
“Kapiteni fantastik” flet për një baba super-hero, që çdo moment të jetës e ndan me fëmijët e tij. Ky në fakt është një film për dashurinë. Sepse, dashuria e mbajti bashkë familjen; dashuria e çoi në fund amanetin e nënës; dashuria i bëri të kuptojnë se në vend të shtetit të tyre utopik, mund t’i ruajnë parimet dhe të shmangin izolimin në një komunë, në Amerikë – vendin më interesant në botë!
Por, “interesant” nuk është fjalë! Aq më pak mendim!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut
NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit
Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje