LAJMI I FUNDIT:

Kuroni sëmundjet e lëkurës te fëmijët

Kuroni sëmundjet e lëkurës te fëmijët

Ekzema atopike, e cila shpesh quhet ekzema fëmijërore ose vetëm ekzema, është pezmatim i lëkurës që shkakton puçrra të kuqe në lëkurë, e bën lëkurën të thatë dhe me luspa që zakonisht shkaktojnë kruarje të madhe. Në lëkurën e pigmentuar pezmatimi paraqitet me ngjyrë si më të purpurt ose ngjyrë kafe dhe lëkura e vrazhdë mund të jetë si një karakteristikë dominuese. Puçrrat mund të pikojnë dhe lëkura mund të formojë kore. Ekzema ka tendencë zhvillimi te fëmijët e moshës pas 2-4-mujore. Te shumë fëmijë ekzema përmirësohet me rritjen e moshës. Edhe pse nuk i dihet shkaktari, zakonisht këtë ekzemë e lidhin me sëmundjet alergjike (atopike) të astmës dhe alergjisë "hay fever".

Ku zhvillohet?

Ekzema atopike (alergjike) paraqitet te foshnjat. Shpesh shfaqet së pari në faqe, të cilat nisen të pezmatohen dhe të thahen. Lëkura mund të jetë e skuqur ose në lëkurën e pigmentuar paraqiten hije të purpurta, ngjyrë kafe ose edhe të bardhë. Mund të zhvillohet në ballë dhe lëkurë të kokës (skalp). Krahas me rritjen e foshnjës, ekzema ka tendencë zhvillimi në trup dhe në duar nga ana e përparme e bërrylave dhe në këmbë prapa gjunjëve. Gjithashtu mund të paraqitet edhe rreth nyjeve të dorës dhe të këmbës. Në fëmijëri të mëvonshme ekzema zakonisht më rrallë paraqitet në fytyrë, por puçrrat mund të paraqiten prapa veshëve dhe rreth syve.

Çfarë e shkakton ekzemën?


Siç u përmend më sipër, ekziston një shoqërim mes ekzemës dhe konditave të tjera alergjike, por në shumicën e rasteve nuk është gjetur ndonjë alergji e dukshme ndaj çfarëdo substance që mund ta shkaktojë ekzemën. Një numër faktorësh mund ta keqësojnë duke përfshirë, kontaktet me substanca ngacmuese ose që thajnë lëkurën si sapuni, detergjentët dhe shampot, moti i ftohtë kur lëkura ka tendencë të thahet, infektime sekondare të shkaktuara nga bakteret, stresi. Edhe pse shumë njerëz pyesin nëse diçka në dietë mundë ta keqësojë gjendjen, te shumica e fëmijëve është tejet e vështirë të tregohet nëse ndonjë ushqim i veçantë është shkaktar i problemit.

Si parandalohet dhe trajtohet?

Shumë veprime apo përdorime produktesh duhen evituar, si p.sh: fërkimin dhe kruarja e lëkurës, sepse këto veprime e përkeqësojnë pezmatimin dhe kruarjen; largojuni përdorimit të sapunëve, detergjentëve dhe prodhimeve të aromatizuara sepse ato e thajnë lëkurën; evitoni larjet e gjata në banjë të ngrohtë ose dush të ngrohtë dhe me kohë të gjatë, sepse larjet e tilla mund ta ngacmojnë dhe thajnë lëkurën edhe më shumë. Po ashtu duhet të shmangni qëndrimin në diel, verës, kur temperaturat janë ekstreme; mos mbuloni fëmijën me batanije sepse ato e ngrenë temperaturën e fëmijës dhe e bëjnë ekzemën të kruajtshme; mos e vishni fëmijën me rroba që shpojnë lëkurën, siç janë ato të leshit; evitoni kontaktet direkte me mbuloja leshi, qilima leshi apo lëkurë dhensh. Nëse ekzema paraqitet në formë më të vrazhdë, mjeku mund të japë udhëzim për kortizon për lyerje të lëkurës.

Përgjithësisht, kremi kortizon jo shumë i fortë ose melhemet përdoren nëse ekzema është aktive dhe pasi irritomi apo ekzema të qetësohet, kremrat dhe melhemet duhet ndërprerë. Duhet vazhduar me përdorimin e kremrave njomëse edhe kur lëkura është nën kontroll. Nëse ekzema infektohet, mund të jetë e nevojshme përdorimi i antibiotikëve, sipas udhëzimit të mjekut. Shurupet për trajtimin e gjendjeve alergjike mund të ndihmojnë nëse lëkura kruhet, sidomos nëse kruarja vazhdon dhe gjatë natës dhe pengon gjumin. Roli i ushqimit në trajtimin e ekzemës nuk është i qartë dhe për shumicën e fëmijëve rezultatet e dietave speciale janë dëshpëruese. Edhe pse është mirë të kërkoni mendime rreth dietës, prapë këshillat duhen kërkuar nga personat që kanë njohuri të gjerë mbi ekzemën dhe që dinë se çfarë janë kërkesat ushqimore te fëmijët.

Si të veprohet për të mbrojtur lëkurën e foshnjës

* Për pastrimin e lëkurës përdorni vaj për banjë në vend të sapunit
* Pas banjës lyeni rregullisht lëkurën e fëmijës me kremra njomëse ose kremra ujore
* Pasi ta lani, thajeni me kujdes lëkurën e fëmijës
* Gjatë periudhës së dimrit fëmijën zhvisheni në dhomë të ngrohtë. Në verë, dhomën e fjetjes të fëmijës mbajeni të freskët
* Visheni fëmijën me rroba të lehta pambuku (ose sintetike)
* Hiqni etiketat prej rrobave që të mos shkaktojnë kruarje
* Përdorini pelena absorbuese dhe ndërrojini ato rregullisht

Si ta ruajmë higjienën e lëkurës

Shprehitë për mirëmbajtjen e higjienës së trupit ndikojnë në zvogëlimin e numrit të sëmundjeve infektive të ndryshme. Lëkura e pastër njëherazi zvogëlon mundësinë për zhvillimin e dëmtimeve profesionale, ndërsa lëkura e papastër lëndohet lehtë, sidomos te personat e moshuar, tek të cilët është i zvogëluar elasticiteti fiziologjik i lëkurës, gjithashtu lëkura e papastër shkakton çrregullime në termorregullim si dhe shumë çrregullime të tjera në organizëm. Shumë përbërës në formë pluhuri, avulli dhe lëngu e ndyjnë lëkurën, e dëmtojnë atë, e disa prej tyre depërtojnë edhe në gjak e përmes gjakut shpërndahen në tërë organizmin duke shkaktuar çrregullime të shumta, nëse nuk mirëmbahet higjiena e lëkurës gjatë punës si dhe pas saj.

Fruthi dhe simptomat me të cilat ai shfaqet

Fruthi-morbili paraqitet si sëmundje serioze virale në fëmijëri. Ai transmetohet përmes sekrecioneve nga hunda dhe goja e të sëmurëve të hedhura në ajër. Fëmija duke qenë në kontakt me këta fëmijë që kanë pasur fruth mund të infektohet prej tij. Simptomat zakonisht paraqiten 10-12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Ato përfshijnë temperaturë të lartë, simptoma që i ngjajnë ftohjes, konjunktivit (inflamacion i syve) dhe shpërthim i kuq i imët në lëkurë në formë të pikave që fillon nga fytyra dhe qafa, dhe përhapet gradualisht teposhtë duke e mbuluar tërë trupin. Komplikime të mundshme përfshijnë infeksione të veshit, pneumoni dhe inflamacion i rrallë i trurit. Fruthi mund të parandalohet me vaksinë. Nëse dyshoni që fëmija juaj ka fruth, mbajeni në shtëpi dhe kontaktoni me mjekun.

Pezmatimi i lëkurës së kokës te bebet

Pezmatimi i lëkurës në kokë është sëmundje e zakonshme pezmatuese e lëkurës, që mund të përfshijë kokën dhe pjesët e tjera të trupit të foshnjës. Ndryshe nga ekzema fëmijërore (atopike), pezmatimi i lëkurës në kokë nuk shkakton kruarje. Te shumica e foshnjave të sapolindura, kjo gjendje qetësohet deri në moshën dymujore. Kjo ndryshon prej ekzemës fëmijërore, që ka tendencë të zhvillimit te foshnjat në moshën pas dymujore dhe vazhdon. Një formë shumë e zakonshme dhe e butë e infektimit të lëkurës në kokë të foshnjave quhet "kapelë djepi" (luspat). Në foshnjëri, koka është pjesa më e zakonshme që infektohet me luspa të dendura të cilat janë dukshëm të yndyrshme, me ngjyrë të verdhë në të bardhë, të ngjitura në flokë ose lëkurë të kokës. /Telegrafi/