LAJMI I FUNDIT:

Kupa i takon Besës

Kupa i takon Besës

Skuadra e Besës ka shënuar fitore prej 2-1 kundër Prishtinës në finalen e Kupës së Kosovës që u zhvillua të dielën në kryeqytet para afro 5.000 tifozëve.

Me nga një gol të shënuar në secilën pjesë, Besa arriti që të triumfojë për të fituar trofeun e Kupës në edicionin e 12-të pas luftës.

Pejanët arritën deri te goli i avantazhit në minutën e 31-të përmes Krenar Vokshit dhe me epërsi minimale u përmbyll gjysma e parë.

Në fraksionin e dytë të lojës, Prishtina shtoi presionin, mirëpo nga një kundërsulm i organizuar nga kapiteni i mysafirëve, Haxhi Zeka, i cili pasoi te Berisha dhe ky e gjeti për mrekulli Vokshin që dyfishoi rezultatin (61’).


Megjithatë, angazhimi i kryeqytetasve u shpagua me ngushtimin e rezultatit në 2-1 nga Faton Zejnullahu (79’), i cili i dha shpresa skuadrës së tij për të kërkuar më shumë.

Deri në fund të takimit, lojtarët e Prishtinës tentuan që të barazonin rezultatin dhe të siguronin vazhdimet, mirëpo këtë nuk e arritën, ashtu që Besa shpallet fitues i Kupës së Kosovës për sezonin 2010/2011. /Telegrafi/