LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri Rama nuk është idiot!

Kryeministri Rama nuk është idiot!

Fadil Lepaja

Kryeministri Edi Rama, miku i kryeministrit të Kosovës dhe vëllai i kryeministrit të Turqisë, nuk është idiot! Ai u distancua nga të gjithë idiotët të cilët vizitën dhe deklaratat e kryeministrit turk, pikërisht në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, e shohim me dyshime dhe antipati! Ai as nuk dyshon që ideologët turq, bashkë me mbrojtjen nga Serbia po na e ofrojnë edhe një shpëlarje truri gratis. Reagimet e menjëhershme për të qetësuar Serbinë, e injorimi i plotë i kritikave nga ana e kosovarëve, madje edhe ofendimi i tyre, fatkeqësisht i qojnë dyshimet në atë drejtim. Vetëkuptohet se Prizereni është zgjedhur krejt rastësisht. Nuk ka (anti)simbolikë! Edhe Shtëpia e Lidhjes ndodhet aty krejt rastësisht! Është veç një shtëpi e ndërtuar pa lejen e “Stambollës”! E kaluara nuk ekziston!

Nga ne, të cilët dikur nuk e pranuam sloganin “Kosova është Serbi”, tre kryeministrat po prisnin se duhej të duartrokisnim sloganin “Kosova është Turqi”! Por, ne si idiotë, nuk i kuptojmë!


Ne, që përcjellim lajmet në televizionin publik, nuk djmë për marrëveshjet dhe interesat sekrete! Ne bazohemi vetëm në fjalët dhe deklaratat publike! Por, fal Zotit po na informojnë ata që janë në “rrjedhë”! Kështu, zoti Demaçi na informoi në mirëbesim se SHBA-të e kanë lutur Turqinë të na mbrojë nga Serbia! Baca beson! Ai nuk është idiot! E ne duhet të besojmë se SHBA-të kanë frikë të deklarojnë qëndrimet e tyre karshi Serbisë! Prandaj, e kanë zgjedhur bacën si zëdhënës!

Dukshëm i hutuar, në përpjekje për të kuptuar, po e lexoja një fjalim në blogun personal të z. Rama! “Motra dhe vëllezër! Shqiptare dhe shqiptarë nga veriu në jug”, po u drejtohej ai të gjithë shqiptarëve në fjalën e tij plot frymëzim!

E keni të qartë se socialistët zakonisht i fillojnë fjalimet e veta me “shoqe dhe shokë”! Shumë rrallë ndodhë të fillojnë me “vëllezër dhe motra”. Përpos në rastet kur flitet për vëllezër ideologjikë! Për shembull vëllezërit sovjetikë, jugosllavë apo kinezë! Por, të thuash vëllezër shqiptarë, krejt kjo tingëllon e rrezikshme dhe me gjasë i ka shqetësuar fqinjët tonë! Por, pjesa tjetër e paragrafit kujdeset që fqinjët tonë assesi të mos shqetësohen! Por, për këtë pak më vonë! Të shkojmë me radhë!

Sipas teorive të reja, pushtime nuk kishte! Kishte vetëm sundues që ndërroheshin! Në rastin tonë pra, diku para 500 vjetësh, disa qindra e mijëra ushtarë osmanë të armatosur deri në dhëmbë, kishin ardhur këtu me qëllimet më të mira, për t’i kaluar pushimet në bregdetin e virgjër shqiptar! Ata kishin ardhur vetëm. Pra, pa gra! Por, njerëzit tonë i keqkuptuan qëllimet. Nuk kishte ndër ne ndonjë lëvizje çlirimtare, antiosmane. Të gjithë ishin vetëm njerëz të frustruar, sepse të huajt po na sillnin gjëra dhe adete shumë më të mira se që i kishim pasë deri atëherë! E, sidomos fenë!

Ata ishin edhe më të bukur se paraardhësit tanë! Ishin më esmerë, me mjekra dhe me pantallona të shkurtra. Femrat tona i lakmonin. Kështu, paraardhësit tanë u bënë xhelozë dhe vendosën të aplikojnë mbulesën për femrat, që ato të mos i shihte askush! Prandaj, thuhet se e pranuam në mënyrë vullnetare fenë!

Krejt lëvizja jonë antiosmane e cila atëherë u quajt Lidhja Shqiptare e Prizerenit e kishte bazën në xhelozi! Kjo nuk ka të bëjë asgjë me Lidhjen e III-të Patriotike të Prizerenit, themelet e së cilës i vunë këto ditë tre kryeministrat “tanë” në Prizeren.

Por, të kthehemi te fjalimi i njërit nga personazhet e tregut tonë! Pra, në blogun e tij personal po e lexoja sloganin më të ri, për një Shqipëri nga jugu në veri! Te programi, Rama, as në Perëndim as në Lindje s’paska Shqipëri. Andej ka veç kufi. Por, natyrisht, kryeministri i ri nuk është nacionalist. Lëvorja e bananes në të cilën rrëshqiti së fundmi ish-kryeministri Berisha, quhej nacionalizëm.

As kryeministri ynë, kosovar, nuk është idiot! Po bënë përpjekje mbinjerëzore për t’u dukur modern! Ka filluar një fushatë moderne të cilën e ka quajtur “Dorë më dorë”! Jo derë më derë! Jo gju më gju!

Por, fushata “dorë më dorë” në Prizeren nuk rrodhi si zakonisht! Kryeministri i kishte duart e zëna! Po duartrokiste! I kishte lidhur vetullat nyje dhe kishte pulitur sytë sikur e vriste një dritë e fuqishme. Por, Dielli nuk po nxente atë ditë në Prizren! Dielli i asaj dite hist(e)rike e kishte emrin Erdogan!

Ndoshta kryeministri ynë edhe nuk po e kuptonte se çfarë po fliste z. Erdogan? Se vëllai i tij po fliste turqisht! Por, gjuha nuk është pengesë! Gjithnjë gjendet një përkthyes i cili merr përsipër keqkuptimet!

Kur foli kryeministri ynë, në shqip, sikur pati frikë se do të keqkuptohej nga mysafiri po të premtonte një lidhje të re vetëm 500-vjeçare me Turqinë! Ai premtoi se lidhja me Turqinë do të jetë e përjetshme! Zonja Albright dikur e pat quajtur “student të turpshëm”! Kjo i pat pëlqyer aq shumë atij sa pastaj edhe sekretaren Clinton e quante Albright! Është besnik!

Ndërkaq, për kundërshtimet e qytetarëve të këtij vendi, nuk shqetësohej askush! Veç kryeministri Rama denjoi të na përmend! Na quajti idiotë! Apo ndoshta është keqkuptuar edhe ai! Foli në gjuhë standarde!

Por, ministri i Jashtëm turk, ideologu i neosmanizmës, megjithatë i dha sqarime zyrtare homologut të tij serb! Ishte keqkuptuar deklarata e kryeministrit Erdogan, tha ai! E kishte siguruar ministrin serb se nuk mendojnë të riokupojnë Kosovën, sepse ata e respektojnë Serbinë. Por, ministri i Jashtëm shqiptar ende nuk kërkoi falje për keqkuptimin lidhur me deklaratën e kryeministrit Rama!

Përkundrazi, eminenca gri e socialistëve të Shqipërisë, poeti Agolli, shkoi edhe një hap më tutje dhe i quajti të çmendur të gjithë ata që besojnë se Kosova apo Shqipëria një ditë mund të jenë Turqi!

I dashur Dritëro, në Prizeren, atë ditë, përpos kryeministrit turk, i cili po klithte përplot emocione se “Kosova është Turqi”, askush nuk e beson se kjo mund të ndodhë ndonjëherë!

Neve nuk na kërkoi falje askush! E përse ta bëjnë këtë! Në të gjitha kombinimet del se ne jemi fajtorë kujdestarë, borxhlinj ndaj të gjithëve! Më së shumti ndaj serbëve dhe turqve! Përgjatë shekujve kanë hequr të zitë e ullirit me neve! Duke na iluminuar! Turqit më së shumti! Nuk janë pak 500 vjet! Serbët më pak! As një shekull! Kështu, serbët, për arsye formale nuk mund të nderohen me titullin “(ar)miq shekullorë”!

Por të kthehemi te (neo)perandoria! Ata janë të mirë! Ata prapë nuk na mbajnë mëri, por vijnë në Prizeren e po na falin! Na pranojnë përsëri në gjirin e vet! Po të mos ishin ata, do të na pushtonin serbët?! Rrënojeni shtëpinë e ndërtuar pa leje të Sulltanit!

E serbët? Udhëheqësit serbë u kërkuan falje sllovenëve, kroatëve, madje edhe myslimanëve, por jo edhe shqiptarëve. E pse të kërkojnë falje? Marrëveshjet për ne gjithnjë i kanë bërë me të tjerët!

Kështu, edhe kryeministri Erdogan duke lënë të kuptohet se është keqkuptuar për deklaratën e tij rreth Kosovës, theksoi se marrëdhëniet me Serbinë janë vëllazërore!

Pra, të dashur miq, në këtë tregim të gjithë janë vëllezër në mes veti, përpos kryeministrave të dy vendeve tona fqinje: z. Rama dhe z. Thaci! Ata janë vetëm miq!