LAJMI I FUNDIT:

Krizë Amerikane apo strategji Amerikane?

Qysh nga pranimi i koncepteve të ekonomisë së tregut nga qeveritë e vendeve perëndimore, të udhëhequr nga popujt anglo-saksonë, u përjetua një zhvillim i vrullshëm dhe mjaft perspektiv në ekonominë globale.

Me përfundimin e luftës së ftohtë poashtu edhe i erdhi fundi avarisë së fuqisë faktike të ekonomisë së “dorës së padukshme” në relacion me ekonominë e kontrolluar nga shteti.

Qysh nga aplikimi i teorisë së Adam Smithit mbi ekonominë, megjithatë nuk munguan edhe sfidimet që erdhën me rastin e dështimit të ekonomive, duke filluar nga Depresioni i Madh i viteve 1930-ta e duke u përsëritur me fluktuacione më pak të përshkallëzuara deri në krizën financiare që sot e përjetojmë si individë të shoqërisë globale.


Gjatë këtij kursi të historisë, me gjithë fanatizmin e dobishëm që i ka sjellur qeverive parimi i ekonomisë së tregut, ku çmimi rregullohet nga marrëveshja mes kërkesës dhe ofertës për çdo produkt; në rastet e emergjencave të paevitueshme, u anashkalua parimi Smithian dhe qeveritë ndërhynë me vendime arbitrare në korrigjimin e tregut, gjithnjë në shërbim të mirëqenies së shtetit si organizatë dhe të shtetasve si individë.

Realisht, ekonomia Amerikane është super-treg i cili shtrin ndikimin e tij virtualisht në të gjithë botën.

Nuk ka dyshim që ndryshimet në treguesit financiarë dhe ekonomikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të krijonin turbulenca me efekte shumëfishuese në të gjitha ekonomitë lokale të shteteve tjera, duke përkujtuar evolucionin e globalizimit, i cili përveç dobive që sjell, ofron të njëjtën shpërndarje të krizës sikurse edhe të produkteve dhe shërbimeve.

Në rastin më aktual, në ShBA, qeveria ende në fuqi e së cilës arriti të krijoi një deficit serioz me angazhimin e paevitueshëm në luftërat e Lindjes së Mesme, e përballoi edhe vendimin e OPEC-ut mbi ngritjen enorme të çmimit të derivateve të naftës (kujtojmë, ajo arriti shifrën deri në $149 për barelë), si edhe efektet sado nominale në industrinë vendore të naftës nga uragani Katrina e po ashtu përballoi sulmet terroriste të 11 Shtatorit, mirëpo u gjend dorëlidhur me rastin e krizës së patundshmërive në vend.

Nga të gjitha problemet me kornizë ndërkombëtare, kriza imobiliare e brendshme u tregua kyçe në shokun financiar të ekonomisë më gjigante e cila kushtoi $700 miliardë. Andaj, me të drejtë lind dyshimi se a ka vërtetësi në këtë destabilizim?

Tregu i patundshmërive në afat të gjatë është tregu më tipik me ofertë joelastike (të pandryshueshme) për të vetmen arsye se ajo nuk mund të prodhohet, dhe teorikisht rënia nominale e çmimit nuk paraqet problem sepse eventualisht mu për arsye të monopolit natyror të ofertës së patundshmërive, çmimi doemos do të arrijë vetë ekuilibrin (në rastin aktual të ShBA-ve ky çmim do të rritet).

Megjithatë qeveria e pa më të arsyeshme të ndërhyjë, mjaftueshëm për të arsyetuar dyshimin dhe rritur panikën e një “depresioni të ri” të mundshëm i cili filloi me rënien e institucionit financiar “Lehmann Brothers”, dhe vazhdoi me nacionalizimin e shumë bankave komerciale në Evropë, fluktuacione enorme në bursën Wall Street, e pasuar nga ajo e Londrës, Frankfurtit si dhe atyre Aziatike.

Ndërsa vetë arsyeja se pse qeveria Amerikane krijoi panikë në lidhje me rënien e çmimeve (jo vlerës) së patundshmërive nuk do të ketë përgjigje zyrtare.

Një alternativë e këtyre ngjarjeve, edhe pse atipike ofron një arsyetim logjik të situatës. Shtetet e Bashkuara me një diferencë të madhe qëndrojnë në vend të parë sa i përket sistemit të avancuar ekonomik në mbarë botën.

Koncepti i sistemit të dorës pseudo-të padukshme bazuar në ekonominë e tregut ndjekur nga afër nga masat rregullative të Bankës Federale është një sistem praktikisht gati i pacenueshëm me një shkallë të lartë të rimëkëmbjes.

Dyshimi i krijuar dhe qasjet pesimiste të individëve global ndaj ekonomisë Amerikane, sado subjektive- mund të luajnë rol intensiv në fuqizimin edhe më të madh të ekonomisë së ShBA-ve.

Dollari Amerikan është monedha më e përdorur dhe më e këmbyeshme në planet, deri në atë shkallë sa konsiderohet standard i rezervave botërore në Fondin Monetar Ndërkombëtar (ku bën pjesë ari, SDR -DTS “të Drejtat e Tërheqjes Speciale” dhe dollari amerikan) dhe pjesë e rezervave të bankave kombëtare të secilit shtet.

Në paraqitje numerike vlerësohet se 60% e dollarëve të lëshuar në qarkullim nga Banka Federale e ShBA-ve qarkullojnë jashtë vendit, në dallim prej vetëm 40% që qarkullojnë brenda ShBA-ve.

Duke ‘humbur kredibilitetin’ në stabilitetin ekonomik të ekonomisë së vet, ShBA-të synojnë të krijojnë avari dyshimi tek personat ndërkombëtarë në mënyrë që të kthejë prapa dollarët në ekonominë e brendshme, e me ç‘rast pasoi ç’vlerësimi i dollarit afërsisht deri në relacionin €1=$1,56. Me këtë raport këmbimi, vlera e blerjes së dollarit nga Banka Federale Amerikane është shumë e ulët; shtet ky i cili me stabilizimin ekonomik merr fuqinë e mëparshme (më 02 Nëntor 2008: €1=1,23) ku ri-shitja e dollarit në tregjet ndërkombëtare sjell përfitime të mëdha për buxhetin Amerikan.

Gjatë ‘periudhës së krizës’ ShBA-të gjithashtu do të kenë rritur eksportin e produkteve Amerikane, për shkak se ç’vlerësimi i dollarit i bën produktet Amerikane në tregun global më të lira, dhe si të tilla më të preferuara për konsum.

Prandaj, arbitrarisht mund të thuhet se bazuar në këta dy parametra ekonomikë, përkundër humbjeve afatshkurtëra, ShBA-të kanë në afat të gjatë kohor një përfitim më të madh se sa humbjet nominale. E destabilizimi ekonomik Amerikan tashmë i ka ditët e numëruara pasiqë loja e zgjedhjeve presidenciale mbaroi dhe presidenti i ri do të luajë ‘magjinë’ 700 miliardëshe.

Në anën tjetër, ndikimi i kësaj strategjie Amerikane, po ashtu e testoi efikasitetin dhe ndjeshmërinë e tregut ndërkombëtar, në bazë të së cilës një këndvështrim tipik ekonomik mund të konsiderojë dhe konkludojë vërtetësinë që ShBA është superfuqi e pakontestueshme ekonomike në Botë.

(Autori është student në vitin e fundit të studimeve në Fakultetin e Administrimit të Biznesit – Univerziteti i Evropës Jug-Lindore)