LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Kërkesa e FFK-së ishte sportive

Krasniqi: Kërkesa e FFK-së ishte sportive

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, përmes nënkryetarit të Federatës së Futbollit të Francës, Bernard Desumer, po mundohen të bëjnë një lloj presioni mbi bashkëkombësin e tij dhe të parin e UEFA-s, Michel Platini, i cili duket se po ndikohet nga vendet e lindjes dhe kjo po e shtynë të punojë kundër kërkesave të futbollit kosovar.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Sportit ata kanë kërkuar nga FFF-ja që të ndikojnë te kryetari i UEFA-s, i cili vjen nga ky vend, që të lejojë pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës, si të gjitha vendet e tjera, në garat zyrtare evropiane dhe ndërkombëtare të futbollit.

“Për ne, çështja e lejimit të ndeshjeve miqësore tani dhe shumë shpejt edhe anëtarësimi në UEFA dhe FIFA nuk janë politike, por ato po bëhen të tilla. Ne, kërkojmë që të mos injorohen më sportistët tanë. Të gjitha kërkesat tona janë sportive dhe humane mbi të gjitha. Sportistët tanë duhet të dalin nga ky izolim”, ka thënë ministri Krasniqi gjatë takimit me numrin dy të futbollit francez.

Gjatë këtij takimi është folur për zhvillimin e sportit në Kosovë, në veçanti me sfidat, sidomos në organizim dhe përmirësim të infrastrukturës. Ai ceku se tanimë po bëhen investime që sigurojnë terrene sportive sipas standardeve ndërkombëtare.


Në anën tjetër numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, para francezëve ka folur për aspektet organizative të garave dhe administrimit të Federatës së Futbollit. Ai ka kërkuar nga FFF-ja që ta ndihmojë FFK-në në zhvillimin profesional, të ngritjes së kapaciteteve, organizimin e seminareve të ndryshme për trajnerë dhe gjyqtarë.

Sipas zyrtarëve të sportit tonë, nënkryetari i FFF-së, Bernard Desumer, u pajtua se është e drejtë e sportistëve nga Kosova të luajnë në gara ndërkombëtare zyrtare dhe për këtë ka premtuar se FFF-ja do të japë mbështetjen e saj. Po ashtu ai premtoi përkrahje edhe në zhvillimin profesional të sportit në Kosovë dhe ngritjes së kapaciteteve. /Zëri/Telegrafi/