LAJMI I FUNDIT:

KQZ publikon emrat e deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës

KQZ publikon emrat e deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi të hënën emrat e deputetëve për Kuvendin e ri të Kosovës, dhe numrin e votave që secili prej tyre ka fituar në zgjedhjet e 17 nëntorit.

Sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së, në zgjedhjet e 17 nëntorit më së shumti vota ka fituar lideri i PDK-së, Hashim Thaçi (gjithsej 105 378); pasojnë nënkryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj (73 240) dhe lideri i LDK-së, Fatmir Sejdiu (66 633), ndërkohë që favorizimi i partive të pakicave ka bërë që në Parlament të zënë ulëse edhe deputetë që kanë fituar vetëm 31 vota, siç është rasti me Mihailo Shçepanoviqin e SKMS-së.

PDK-ja do të jetë forca kryesore në Kuvendin e Kosovës, me 37 deputetë, pasuar nga LDK-ja me 25 deputetë, AKR-ja me 13 deputetë, koalicioni LDD-PSHDK do të ketë 11 deputetë dhe AAK 10 deputetë. Këto janë partitë që kanë fituar më shumë se pesë për qind. Ndërkohë pragu zgjedhor nuk ka vlejtur për partitë minoritare, të cilat do të ndajnë sipas përqindjes së fituar 24 vendet e tjera, 20 nga të cilat i kanë të rezervuara me Kornizë Kushtetuese.

Kuvendi i ri do të konstituohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës.


Këtu mund ta gjeni listën e deputetëve të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.