LAJMI I FUNDIT:

Kosovarët: Tani po prekim lirinë e Kosovës

Mijëra vizitorë nga trojet ku jetojnë shqiptarë, në përurimin e tunelit të Kalimashit

Është pak të thuash e jashtëzakonshme dita e djeshme për mijëra vizitorët e inaugurimit të galerisë së tunelit të Kalimashit në rrugën "patriotike" Durrës-Kukës-Morinë. Më shumë se 20 mijë njerëz nga e gjithë "Shqipëria e Madhe", kryesisht nga Qarku i Kukësit dhe Kosova, kanë ardhur qysh në mëngjes herët për të përjetuar këtë ditë historike, ku dy kahet e tunelit do të bashkoheshin.

Njoftimi se në mesditën e diel do të hapet tuneli, u përcoll nga mediat rreth një javë rresht, ndërsa duket se ishte lexuar nga njerëzit që mesditën e datës 31 maj 2009 do të takohen dy anët e të njëjtit komb. E në të vërtetë edhe mesazhi promocional ishte pak a shumë i tillë:


"Për shumë kohë na ndanë malet dhe historia…". Kurrë më parë kosovarët nuk janë shfaqur aq entuziastë sa dje në portalin e tunelit. "Tani po më duket se e kam prekë lirinë e Kosovës, tani që mundëm të vijmë në Shqipëri, jo vetëm pa pengesa në kufi, por edhe me rrugë", na thotë i emocionuar një malësor drenicas.

Vizitorët

Sheshi para tunelit filloi të mbushet aty nga ora 10:00 e mëngjesit, kur edhe vetë punëtorët e "Bechtel-Enka"-s filluan ta "shkrehin" punën. Tuneli kishte pasur edhe më herët turma vizitorësh, por asnjëherë kaq shumë. Të fundmit që e lanë punën ishin punëtorët që merren me infrastrukturën e nënstacionit.

"Mirë mor lalë, që po e lemë punën, por nuk na jep bukë Sala ne, na japin vetëm krahët tonë", thotë Veseli, një punëtor nga fshati Kolsh.

Ndërkohë, dikush e thërret për një detyrë tjetër dhe aty mbetet një numër i vogël punëtorësh, aq sa për të ruajtur, siç thanë ata, se dikush lëndohet nga pakujdesia…

Fotografët amatorë

Ajo që bie në sy, duke pritur momentin e përurimit, është nxitimi i njerëzve për të fiksuar çdo moment në aparate fotografikë, në celularë, në kamera. Në një rreze prej 100 metrash apo më shumë, badigardë të panumërt kanë krijuar një gardh, duke mos lejuar askënd t‘u afrohet portave. Një badigard qeveritar mban në dorë një listë me emra gazetarësh, që duhet të ishin atashuar më herët për të qenë në inaugurim.

Sa më shumë që kalon koha, aq më shumë rritet trysnia e publikut për t‘u afruar te portat, dhe aty nga ora 11:00 dikush nga qeveria apo nga ata të "Bechtel-Enka"-s dha porosi që njerëzit të lejoheshin për t‘u afruar te tuneli. Për disa minuta, qindra kosovarë prekën nga afër "magjinë". U lejuan të hyjnë
dhjetëra metra në thellësi, duke bekuar rastin e duke bërë foto për të kujtuar
vite më vonë: kam qenë edhe unë aty atë ditë që u hap tuneli. Pastaj, duke
pasur parasysh që pas shembjes së "murit" ndarës Kryeministri Berisha do
të mbante një fjalim, dikush arsyetoi që fjalimi nuk mund të mbahej pa njerëz.

"Pash një Zot na lini të kalojmë, mirë në tunel nuk po hyjmë, por deri te porta
do të shkojmë", thërret turma dhe ecën përpara me entuziazëm. Gjëja e parë që
bëjnë në grupe, vetëm apo me familje, është fotografia te harku i tunelit."E di si po më duket ky harku i tunelit, si Harku i Triumfit", thotë një burrë.

Në tunel janë lejuar të hyjnë vetëm një numër i kufizuar gazetarësh për të asistuar në momentin emocional, kur në mesin e tunelit do të shembej
distanca e mbetur dhe kur dy kryeministrat të takoheshin. Thanë se kishte
qenë emocionuese me të vërtetë.

Gazetarët
Qindra gazetarë ishin të pranishëm në ceremoninë e tunelit. Gazetarët e zellshëm kishin vendosur aty kamerat e tyre që herët në mëngjes, madje kishte prej tyre që kishin fjetur gjithë natën te porta e tunelit. Një numër kamerash transmetonin direkt për mediat e tyre. Një grup mediatik nga Beogradi mblidhte siç bëhet zakonisht në kësi rastesh, intervista nëpër njerëz. Një i intervistuar tha se ky tunel, dhe rrjedhimisht kjo autostradë, lidhte dy shtete, dhe gazetari i huaj,
i cili vetëm pak vite më parë do të ishte parë si armik, thotë ashtu si politikanët, se kjo autostradë mund të lidhë më shumë se dy shtete. Një grup gazetarësh nga Shkupi, të cilët ashtu si shumica e gazetarëve kishin fjetur në Kukës, duke pirë cigare, bëjnë llogarinë se Shkupi është tashmë shumë afër me Tiranën, po aq sa edhe Prishtina.

"Ne jemi ndjerë të izoluar nga mjedisi jonë etnik, sepse nuk kemi pasur rrugë, por tash shpresoj se do të afrohemi me të vërtetë dhe do të ndjehemi më të lirë", thotë një gazetar i kanalit shtetëror në gjuhën shqipe.

Një ditë më parë, në qytetin e Kukësit ishte tepër e vështirë të gjeje një dhomë në hotel. Vetëm në vitin 1999, kur në Kukës mbërritën qindra mijëra kosovarë, që u dëbuan nga trojet e tyre, ka pasur një interesim mediatik të tillë.

Mjedisi

Ku ka shkuar gjithë ai material i nxjerrë nga tunelet? Kjo është pyetja e parë që bëjnë vizitorët dhe kalimtarët e rastit. Jemi mësuar që nëpër segmentet e autostradës, ku kanë punuar firmat vendase, është "normale" që syri të të
ndeshë pirgje dherash. Aty ku është gërmuar, po aty apo diku afër, pa shumë
kujdes është hedhur edhe dheu. Ndërsa te tuneli nuk shihet asgjë. Masivi i malit
duket sikur është prerë me thikë dhe mbetjet nuk shihen. "Bechtel-Enka"
ka krijuar male artificiale me dheun e tunelit dhe të skrapeve. Në hyrjen e tunelit është mbushur kështu një hapësirë disa hektarëshe, e cila pas ngjeshjes duket unike me relievin natyror. Mbi të është ndërtuar nënstacioni elektrik si dhe infrastruktura shërbyese e tunelit, aty ku do të vendoset administrata kujdestare. Mjedisi është ruajtur me të njëjtin kujdes siç është ruajtur jeta e njeriut nga kompania "Bechtel". Asnjë viktimë nuk është shënuar në më shumë se dy vite punë në këtë vepër ku, sipas specialistëve, ishte llogaritur të ndodhnin edhe të tilla. E pra aty kanë punuar dhe punojnë 24 orë rreth njëmijë punëtorë.

Fitimi

Një inxhinier vendas gjen kohë të lirë për të treguar se autostrada do të jetë me fitim të madh për vendin tonë, por edhe për të tjerët. Ja, e shihni, dy mijë automjete kalojnë sot në rrugën e vjetër nga Kosova në Tiranë etj., që harxhojnë 17 orë nga Prishtina; kamionët bëjnë dy ditë rrugë të vështirë; mijëra mjete nuk
udhëtojnë drejt Tiranës vetëm prej rrugës tepër të keqe, sepse ka qenë
një rrugë strategjike antishqiptare…", thotë inxhinieri.

Më tej ai tregon se nga transporti që mund të kryhet në autostradë nxirren rreth 600 milionë dollarë fitime në vit llogaritur për ton/km. Në këtë fitim nuk është përfituese vetëm Shqipëria, por kushdo që kalon këtej, sepse shkurton një distancë prej njëmijë km nga Evropa Qendrore drejt Mesdheut kjo rrugë
(përkatësisht Porti i Durrësit), në krahasim me Portin e Selanikut.

Shteti
shqiptar vetëm nga taksa hyrëse e mjeteve merr një fitim vjetor prej rreth 90 milionë dollarësh… "Dhe e dini që është kjo rrugë që do të na fusë në BE, nuk janë qeveritë", arsyeton inxhinieri kuksian, duke biseduar me një grup vizitorësh. "E atëherë përse nuk e kemi bërë më herët", pyet natyrshëm një vizitor. "Sepse
ka kushtuar shumë", përgjigjet një tjetër… Ndërkohë, në altoparlantët e vendosur kudo ngrihet muzika, është një muzikë festive, që njofton se dy kryeministrat po mbërrijnë në dalje pas takimit që kanë pasur në mesin e tunelit. I pari që i drejtohet turmës është Kryeministri shqiptar, i cili në fjalën e vet nënvizoi: "Ky tunel ka kushtuar vërtet shumë, por jo më shumë se sa na ka kushtuar dhe do të
na kushtonte mungesa e tij".

Hamburger dhe fruta për vizitorët

"Bechtel-Enka" kishte menduar edhe për vizitorët. Ndoshta askush nuk e kishte
llogaritur se kaq shumë njerëz do të ngjiteshin në lartësinë e tunelit, por gjithsesi aty, në dy platforma gjigante, janë përgatitur mbi 10 mijë hamburger, fruta, pije freskuese lëngje frutash dhe ujë industrial. Kishin gatuar edhe ushqime me lugë (pulë me perime, pilaf, si dhe nga një frutë), paketë që njerëzit e merrnin në pjata alumini një përdorimshe. Kur gjithçka ceremoniale të përfundonte, të
gjithë njerëzit do të merrnin bukë dhe pije apo ujë. Një kryepunëtor turk, i cili bashkë me disa specialistë vendas sot kryen edhe detyrën e menaxhimit të një
pjese të drekës, ndërsa dhjetëra të tjerë kujdesen në maksimum për mjetet e punës aty, për hyrjen e tunelit, makineritë.

"Sot kena festë, thotë turku me një shqipe të çalë, hajni plot", thotë ai me dashamirësi.

Fillimisht shumë pak njerëz ia hodhën sytë platformës gjigante të drekës në të djathtë të hyrjes së tunelit, por aty nga ora 13:00, pas shumë orësh qëndrimi në diell situata ndryshoi. Mijëra njerëz iu bashkuan drekës kolektive.

Dita e Ajshes

Ajshja është një grua lypëse, 45 vjeçe, që jeton në Kukës prej disa vitesh. Nëse mund të thuhet për një lypëse "është e respektuar", kjo gjë mund të thuhet edhe për të. Ajo është ngjitur te tuneli dhe shtrin dorën për ndonjë lek, duke u thënë njerëzve, jo vetëm "zoti të dhashtë", madje ndoshta nuk e thotë fare, por "E gëzofshim tunelin, burra". Kjo grua gjendet për një çast në vorbullën e valles që po luajnë një grup njerëzish nga zona të ndryshme, aty hyn në valle kush të mundet, mjafton të mos prishë ritmin, dhe ajo Ajsha, e shtyrë nga një kureshtar, hyn në valle. Dhe e luan si askush tjetër, me aq elegancë dhe energji. Në turmën e stërmadhe prej mbi 20 njerëzish shihen edhe një numër lypësesh të tjera, mes tyre një bionde e re që mbledh, siç komentoi një vizitor, taksën e festës së tunelit. Është edhe për lypësit një ditë me fat, pasi janë shumë të rrallë dorështrënguarit, në mënyrë të veçantë kosovarët.

Arturi, ish-minatori invalid

Në mesin e mijëra njerëzve që udhëtuan për të qenë dëshmitarë të dritës së
tunelit, ishte edhe një djalosh nga fshati i Kalimashit, Artur Zhupi, një invalid, i
cili kishte bërë 7 km autostradë me karrocë, qysh herët në mëngjes. "E kisha merak të isha edhe unë këtu, sepse më ka kushtuar aq shumë rruga e gjatë për Tiranë", thotë 29-vjeçari në karrocën e invalidit. Ai na tregon se ishte aksidentuar në Greqi para 8 vitesh dhe se prej asaj kohe nuk reshte së kërkuari derman, me shpresën që një ditë do të mund të ringrihej përsëri në këmbë. "Për shkak të një plage që kam në fund të shpinës, më duhet të udhëtoj mjaft shpesh në Tiranë, dhe udhëtimi nëpër rrugën e vjetër është një torturë", thotë Arturi. Ai tregon se malet e Kalimashit ku ishte hapur tuneli i njihte shumë mirë, jo vetëm se ishte nga ajo zonë, por edhe sepse kishte punuar tre vjet si minator në minierën Kalimashit, para se të shkonte emigrant në Greqi. Ai qëndron disi larg nga turma dhe tymos i menduar. "Ka ardhur vetë me karrocë, nuk ka pranuar të hipë në makinë", kështu tregon vëllai i Arturit, i cili i qëndron afër si shoqërues. /.Gazeta Shqip/